Denisa Canameti
Ditën e premte u zhvillua në Tiranë Simpoziumi i 22-të i Dhomave dhe Urdhërave të Mjekëve të Evropës Qendrore dhe Lindore (ZEVA). Urdhri i Mjekut të Shqipërisë (UMSH), mirëpriti për herë të dytë simpoziumin, që nga viti 2005 i organizimit të takimeve të tilla të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat shërbejnë si ura të rëndësishme komunikimi, bashkëpunimi dhe informimi të anëtarëve dhe institucioneve politikëbërëse të shëndetit.
Pjesë e takimit ishin Fatmir Brahimaj, si president i Urdhrit të Mjekëve, Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, si dhe Albana Vokshi, Kryetare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë.
Në fjalën e tij, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se se detyrë prioritare për 300 ditët e para të punës së tij ka qenë reformimi i Urdhrave të profesionistëve të shëndetësisë, duke u qeverisur me standarde të njëjta, si dhe duke u kërkuar të kenë rol më të madh në rritjen e vazhdueshme të cilësisë së kontrollit të profesionsitëve të shëndetësisë”.
E përsa u përket sfidave, në fjalën e tij ministri theksoi se “edukimi në vazhdim i profesionistëve të shëndetësisë përbën ende një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Ministria e Shëndetësisë në zbatim të angazhimeve programore për reformimin e sistemit shqiptar të kujdesit shëndetësor”.
Përveç të tjerash, ministri Ilir Beqaj foli për një frymë bashkëpunuese midis institucionit të cilit ai drejton dhe Urdhrave, gjë që është e përcaktuar edhe me ligj.
Në këtë simpozium, duket se janë shkrirë edhe akujt midis Presidentit të Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj dhe Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. E thënë kjo, sepse në intervistën e para disa javëve për “Shëndet+” Brahimaj u shpreh se Ministri ka refuzuar që t’i përgjigjet kërkesës së tij për takim. Kjo nënkupton se jashtë “syve të botës” midis këtyre dy institucioneve nuk flitet për frymë bashkëpunimi.


