Një vit pas zhbllokimit të studimeve për specialistë në mjekësi, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të ndryshojë procedurën e
pranimit të kandidatëve. Në rregulloren e firmosur një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit hiqet parimi i meritë-preferencës, duke lënë në fuqi atë të meriztës, që favorizon ata që kanë më tepër pikë.
Kandidati aplikon sipas formularit të aplikimit dhe i nënshtrohet konkursit të prnimit për të testuar njohuritë në fushën përkatëse të studimit. Zgjedhja e programit specializues bëhet në bazë të renditjes së kandidatit sipas pikëve të fituara”, thuhet në rregulloren e ndryshuar. Kjo mendohet të shmangë situatat e papritura kur një kandidat me pikë maksimale të mos fitojë për faktin se në preferencat e renditura nuk ka asnjë apo shumë pak kuota pranimi. Këtë vit, ai që ka pikët maksimale zgjedh profilin që dëshiron, ndërsa të tjerët zgjedhin nga vendet e mbetura bosh.
Ndërkaq, sërish përparësi u është dhënë atyre që kryejnë studimet e larta jashtë vendit. Nëse nota mesatare e atyre që mbaronin fakultetin jashtë vendit shumëzohej me 1.25, në rregulloren e re shumëzohet me 1.1 krahasuar me kandidatët vendës. Veç ndryshimit të rregullores, qeveria ka ulur ndjeshëm edhe numrin e kuotave në 97, duke pasur parasysh edhe mungesën e thkesuar të mjekëve specialistë. Për dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli, numri është i mjaftueshëm, duke nënvizuar se mjekësia është në kërkim të cilësisë.
“Numri i kuotave është propozuar nga ne në bazë të kapaciteteve pritëse që kemi. Ajo që synojmë ne si fakultet, është të sigurojmë specialistë me cilësi, jo thjesht sasi. Pra, nuk mund të pranonim pafundësisht specializantë”, thotë ajo. Kandidatë potencialë këtë vit mendohet të jenë ata që përfunduan fakultetin vjet apo që nuk fituan. Mjekët e diplomuar këtë vit skualifikohen direkt, pasi nuk kanë dhënë ende provimin për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit./ Panorama


