Veliaj: Së shpejti të rinjtë, pjesë e këshillit bashkiak

Elena Beta

Në kuadër të fushatës “Youth Voice”, rrjeti shqiptar “Zëri i të rinjve”/”Youth Voice”mbështetur nga UNFPA-ja, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Veç diskutimit, kryebashkiakut iu dorëzua nga të rinjtë e shoqërisë civile një deklaratë me disa pika proritare, për t’u adresuar në Tiranë.

Takimi Youth Voice me kryebashkiakun Veliaj (1)

  • Trefishimi i buxhetit për Rininë
  • Nxitja e sipërmarrjes rinore
  • Hapja e qendrave rinore në zonat periferike
  • Vënia në fuqi e Kartës së të Rinjve dhe Studentit në bashkëpunim me MAS
  • Forcimi i Bordit Rinor Këshillimor i Bashkisë Tiranë

Kryetari Veliaj u shpreh i kënaqur me takimin, teksa u shpreh se “do të themelojmë këshillin bashkiak të qytetit, ku për herë të parë duam që të fusim në këshillin bashkiak përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe presidentët e secilit gjimnaz të Tiranës si një mënyrë për të marrë kontakt dhe propozime nga secili prej institucioneve tona arsimore”, tha Veliaj.

Takimi Youth Voice me kryebashkiakun Veliaj (2)

Përveç kësaj risie, kryebashkiaku përmendi edhe disa çështje të cilësuara shumë të rëndësishme, si: çështja e filantropisë, ku çdo i ri do të japë kontributin e vet. “Ajo që duhet të bëjmë, është të jemi pak më shumë kreativë edhe përsa i përket mënyrës së financimit, si dhe tërheqjes së investimeve të reja në bashki”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Veliaj foli edhe për një aplikacion të bashkisë të quajtur “Tirana ime” ku secili do ketë mundësi t’i japë feedback bashkisë, të njihet se ku ka ndotje, të shikojë nëpërmjet kamerës trafikun, me qëllim krijimin e një qyteti transparent.

Takimi Youth Voice me kryebashkiakun Veliaj (3)

Si një mënyrë për nxitjen e ideve të reja, kryebashkiaku përmendi edhe çështjen e partneritetit me biznesin, ku bashkia dhe Qeveria Amerikane dhe Norvegjeze kanë financuar sipërmarrjet rinore. “Momentalisht po përgatiten platformat, duke dashur të identifikojmë disa vende në Tiranë që mund të shërbejnë si inkubatorë biznesi. Bëhet fjalë për disa hapësira ku interneti është falas, ku qiraja është falas, ku ka energji elektrike dhe ujë, të cilat mund të përdoren si zyra për 6 muaj maksimumi një vit nëse keni një ide biznesi me shpresën që ky biznes do ecë dhe do keni mundësi t’i mbuloni vetë këto kosto. Nëse ju keni ide të tjera do të isha shumë i lumtur t’i eksploroja”, përmbylli kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërkohë, Manuela Bello, Përfaqësuese Asistente e UNFPA-së, falënderoi vullnetarët dhe organizatat të cilat janë bërë pjesë e fushatës “Zëri i të rinjve /Youth Voice”, duke i ftuar për bashkëpunime në projekte akoma më të mëdha, pasi vetëm me projekte të tilla mund të adresohen nevojat e rinisë në kuadrin e nevojave të përgjithshme të zhvillimit të Shqipërisë.

Postime të ngjashme

Rreth 16 milionë kg mish derri nga Brazili, BE e ndaloi, Shqipëria vazhdon të importojë me shumicë
Anulohet tenderi prej 50 milionë eurosh për hemodializën
A do ta shërojë AI kancerin? Ja çfarë thotë shkenca
Kostoja e shëndetit, 8% e shqiptarëve nuk përballojnë ekzaminimet, e dyta më e lartë në Europë
“Ministri e vdekjes”- Protestuesit ndalen para ministrisë së Shëndetësisë
Historia e hemodializës, shërbimit që shteti ‘refuzon’ ta ofrojë vetë
Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
A ndikon obeziteti në fertilitetin e grave?