Këngëtarja dhe moderatorja Gerta Heta që prej muajsh është përfolur për shtatzëninë e saj, ka lindur përpara kohe. Gerta që ishte në pritje të dy vajzave binjake, solli në jetë vetëm njërën prej tyre. Këngëtarja ka shkruar një letër prekëse në adresë të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku ka falënderuar me përulësi stafin e mjekëve dhe infermierëve, që vogëlushja Matea, e cila luftoi për jetën për gati dy muaj, arriti të mbijetojë.
Letra: Gerta Luna Djarmati Dhj 1, 12:22pm
“Ato erdhën në jetë të dyja, shumë para kohe, po vetëm Matea arriti të mbijetojë. Matea ime luftarake që, falë dëshirës së të madhit Zot për të mos ma copëtuar shpirtin për jetë, e falë punës së jashtëzakonshme të bluzave të bardha të S.U.O.GJ. “Mbretëresha Geraldinë”, sot është në shtëpi pas 50 ditësh në reanimacion. Lindi 1000 gramë, sot vetëm 1530 gramë, shumë rrugë për të bërë, por shpresoj që luftën më të madhe, atë për jetën e fituam. Mirënjohje për stafin shumë human të reanimacionit të bebave. Keni gjithë bekimet e një nëne. Jua puth duart me përulësinë më të madhe”.
Pas publikimit të kësaj letre në llogarinë zyrtare në “Facebook”, një nga mjekët që ka ndjekur gjendjen e Mateas, shpjegoi më poshtë me terma më profesionalë cila ishte situata e vogëlushes që tani është në gjendje të mirë.
“Ardhja në jetë e Mateas së vogël me 08/10/2015 është një mrekulli për prindërit e saj pasi arriti të mbijetojë nga një prematurë e thellë 28-29 javëshe gemelare. Matea lindi me detres respirator, insuficienzë respiratore/ SMH dhe peshonte vetëm 1000 gramë. Vogëlushes iu desh të kalonte të gjitha fazat e oksigjenimit nga ventilimi i drejtuar (TET), në ventilim nazal, në Oksigjenimi me Kaskë (HOOD) dhe më në fund më 28/10/2015 kaloi në fazën e frymëmarrjes normale me O2 në ambient të lirë. Nëna filloi ta ushqejë me gji. Falë punës së mjekëve dhe infermierëve të Repartit të Terapisë Intensive të S.U.O.GJ. “Mbretëresha Geraldinë” tashmë Matea e vogël peshon 1530 gramë dhe ka dalë nga spitali pasi gëzon shëndet të plotë. Këtë na e tregon dhe FALENDERIMI I NENËS SË MATEA-S SË VOGËL. Dhe ne ju falenderojmë znj. Gerta Luna Djarmati për fjalët e ngrohta për stafin tonë!”


