Mëngjesin e 27 nëntorit 2015 tavolina e punës së dr. Ilir Ohrit kishte një pamje të veçantë. Vendin e librave dhe të mjeteve të zakonshme të punës e zëvendësonte një buqetë e madhe me lule shumëngjyrëshe me një urim të përzemërt: “GËZUAR 60-VJETORIN E LINDJES”. Ky urim këtë radhë nuk ishte i zakonshëm, ndryshonte në motivin e tij, por ajo çka është më e rëndësishme: vinte në mënyre të sinqertë nga personeli mjekësor, kolegët mjekë, infermierët dhe sanitaret e Klinikës së Reanimacionit Qendror të QSUT-së, me të cilët dr. Iliri ndan përditë emocionet e punës.
Simbolika e urimit për 60- vjetorin e lindjes së dr. Ilirit ka në përmbajtjen e vet 36 vite pune në reanimacion, në një prej reparteve më të vështira të mjekësisë, aty ku më shumë se kudo në mjekësi ndeshesh përballë me të sëmurë rëndë, madje në mjaft raste mjeku e ka të pamundur të pengojë përfundimet fatale pas operacioneve të rënda ose aksidenteve të ndryshme.
Dr. Iliri bën pjesë në plejadën e shkëlqyer të mjekëve shqiptare. Ai futet në historinë e mjekësisë shqiptare si mjeku i urtë, punëtor që për gati 4 dekada nuk rreshti së punuari për përmirësimin e shërbimit. Ai gjithashtu falë urtësisë, mençurisë dhe vullnetit për realizimin e misionit të mjekut dhe të aftësive të veçanta komunikuese, ka fituar admirimin e gjithë kolegëve, prej të cilëve ka pasur si shpërblim vetëm respektin e pamasë.
Dr. Iliri 36 vjet të punës pa u shkëputur nga reanimacioni, fillimisht si mjek, pastaj si Shef Shërbimi ka përjetuar gëzime të veçanta që natyra e punës së reanimatorit ia dhuron dendur. Por ka përvuajtur edhe shqetësime nga më të ndryshmet. Ato janë mbresa të paharruara, i përkasin pasojave me origjinë nga mjediset e papërshtatshme të klinikës, të cilat për natyrën e mjekimit dhe gjendjen e pacientëve të shtruar kërkojnë përkujdesje dhe vëmendje të veçantë.
Sot dr. Iliri me stafin e klinikës feston në mënyrë të thjeshtë dhe të themi të rastësishme këtë jubile të jetës së tij në një mjedis pune të rregulluar dhe krejt ndryshe nga çfarë ishte pak vite më parë, por ai diskuton mbi atë që do të përmirësonte akoma më shumë këtë veprimtari kaq jetësore. Dr. Iliri vjen nga një familje mjekësh me virtyte të larta patriotike dhe të ushtrimit të profesionit mjekësor. Gjyshi i tij dr. Musa Ohri, firmëtar i Kongresit të Përmetit, i ati dr. Drini Ohri, një mjek i nderuar, organizator i shkëlqyer, zv. Ministër i Shëndetësisë dhe drejtor i Spitalit nr.1.
Në shembullin e të parëve të tij, dr. Iliri punon me profesionalizëm në fushën e vështirë të reanimacionit, detyrë që ai e zgjodhi me dëshirën e tij për ta ushtruar vazhdimisht me dinjitet dhe profesionalizëm.
Në përvjetorin e 60-të të lindjes së dr. Ilir Ohrit, stafi i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë bashkohet me urimin e familjes dhe të personelit mjekësor të Klinikës së Reanimacionit Qendror për t’i uruar kolegut tonë të dashur, jetë të gjatë, lumturi në familje dhe suksese të mëtejshme në punë.
Zv.President i UMSH-së Tiranë
Dr. Maksim Basho, Dr. Faik Toska, Dr. Lordian Nunci


