Nga Rita Strakosha
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pati dje një tryezë diskutimi me shoqërinë civile, ku ndër të tjera u shtrua problemi i mbajtjes në burgje të personave të sëmurë mendorë të cilët kanë kryer vepra penale, por për të cilët, për shkak të papërgjegjshmërisë penale, është marrë masa e trajtimit të detyruar në spital. Janë 158 persona të tillë në burgjet e Shqipërisë, të cilët duhet të mbahen në spital, por në fakt mbahen në burg. Personat kanë nevojë për trajtim mjekësor, kushte të cilat burgu nuk ua ofron në nivelin e kërkuar.
Sipas Avokatit të Popullit, Z. Igli Totozani, i pranishëm në takim, ka munguar vullneti i gjithë qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemit. Nuk beson se mungojnë fondet, megjithëse pretendimi i qeverive ka qenë se po presin donatorë për projektin. Ka pasur plan për të ndërtuar një spital në Tufinë, por projekti mbeti në letër. Sipas Komitetit të Helsinkit, kjo është një situatë e rrallë edhe në rajon, madje Komiteti ka menduar të hedhë në gjyq qeverinë për problemin.
Në takim u fol dhe për punësimin e grave të burgosura, ku Qendra Kombëtare Për Shërbime Komunitare kërkoi të bashkëpunojë me Drejtorinë e Burgjeve për të punësuar gratë në bashkëpunim me bizneset private. Punësimi i grave të burgosura jo vetëm ndihmon financiarisht familjet e tyre, por dhe ndihmon gjendjen e tyre shpirtërore duke i mbajtur aktive gjatë qëndrimit në burg.


