U zhvillua sot në Ministrinë e Shëndetësisë mbledhja e Komitetit Ad-Hoc për Përgjigjen ndaj Gripit. Komiteti, i drejtuar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është i përbërë nga specialistë të shëndetit publik dhe shërbimeve universitare. Komiteti arriti në përfundimin se në Shqipëri ekziston një gjendje me intensitet mesatar të qarkullimit të virusit të gripit, me prirje rritëse në 15-ditorin e fundit.
Sipas të dhënave të survejancës të sistemit ALERT rezulton se numri i përgjithshëm i infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore, pavarësisht nga shkaku, është rreth 16500, ose rreth 5% më shumë raste se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Numri i rasteve të idenfitikuara laboratorikisht me infeksion nga virusi pandemik AH1 është 19 në të gjithë vendin, ndërkohë që nga 337 mostra të dyshuara për grip, vetëm në 46 prej tyre është izoluar virus i gripit. Duke filluar nga muaji tetor 2013 e deri më sot janë raportuar 124 raste me sindromë të rëndë respiratore, prej të cilëve, vetëm 8 rezultojnë pozitivë për virusin e gripit.
Komiteti konstatoi se Shqipëria nuk bën përjashtim nga situata e përgjithshme në Evropë, në Itali dhe në Greqi, ku bashkëqarkullojnë virusi sezonal i gripit dhe virusi pandemik i gripit. Ndërkohë që në Greqi, raportohet një qarkullim i shtuar me intensitet të lartë gripi.
Ministri i Shëndetësisë vlerësoi përgjigjen e deritanishme të sistemit shëndetësor në lidhje me survejancën dhe menaxhimin klinik të rasteve të paraqitura, që kanë të bëjnë me riaktivizimin e mekanizmit të koordinimit në lidhje me menaxhimin e rasteve që kanë nevojë për kujdes spitalor dhe përgatitjen e skemës së menaxhimit të rastit në të gjitha qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit duke u udhëhequr nga Klinika e Sëmundjeve Infektive QSUT në bashkëpunim me ISHP. Gjithashtu, Beqaj vlerësoi riaktivizimin e mekanizmit të koordinimit të rasteve me sëmundje të rëndë respiratore akute në mënyrë që pacientët të marrin kujdesin intensiv të menjëhershëm, në kohën e duhur nën koordinimin e shërbimeve përkatëse universitare në QSUT në bashkëpunim me spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”.
