Fruthi i merr jetën fëmijës në New York, viktima e parë në 30 vite

Një fëmijë në kontenë Lewis, në shtetin e Nju Jorkut, ka humbur jetën si pasojë e fruthit. Lajmi u konfirmua të hënën nga autoritetet shëndetësore, duke shënuar vdekjen e parë të lidhur me këtë sëmundje në shtetin e Nju Jorkut në 30 vitet e fundit.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shprehu ngushëllimet për familjen e fëmijës, duke theksuar se fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse dhe se vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë kundër saj.

“Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikacione serioze dhe madje edhe vdekjen. Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër kësaj sëmundjeje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të autoriteteve shëndetësore të shtetit të Nju Jorkut dhe kontesë Lewis.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, deri më 24 tetor në të gjithë shtetin e Nju Jorkut ishin raportuar 178 raste me fruth. Vetëm në kontenë Lewis ishin konfirmuar 15 raste deri më 14 tetor, të gjitha te persona që nuk kishin marrë vaksinën MMR (fruth, shytat dhe rubeolë).

Përballë përhapjes së rasteve, guvernatorja Hochul kishte shpallur muajin e kaluar gjendjen e emergjencës në nivel shtetëror.

Rritja e rasteve me fruth në SHBA

Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjatë këtij viti në Shtetet e Bashkuara janë raportuar më shumë se 4,800 raste me fruth, shifra më e lartë që nga viti 1991.

Më shumë se një e katërta e rasteve janë regjistruar në Pensilvani, ku janë raportuar edhe pesë vdekje të lidhura me sëmundjen.

Ekspertët e shëndetit publik e lidhin kryesisht rritjen e rasteve me rënien e mbulimit me vaksinim. Të dhënat e CDC-së tregojnë se në vitin 2024, rreth 93% e fëmijëve trevjeçarë në SHBA kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës MMR, një përqindje nën nivelin 95% që konsiderohet i nevojshëm për të parandaluar shpërthimet e sëmundjeve shumë ngjitëse.

Sa i rrezikshëm është fruthi?

Fruthi nuk është një sëmundje e lehtë e fëmijërisë. Sipas CDC-së, rreth një në pesë persona të pavaksinuar që preken nga fruthi përfundon në spital.

Komplikacionet mund të jenë veçanërisht të rënda te fëmijët e vegjël:

  • Rreth një në 20 fëmijë me fruth zhvillon pneumoni, një nga shkaqet kryesore të vdekjes nga kjo sëmundje në moshat e vogla.
  • Një në 1,000 fëmijë mund të zhvillojë encefalit, pra inflamacion të trurit.
  • Në rastet e rënda, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione kërcënuese për jetën.

Vaksina MMR rekomandohet në dy doza gjatë fëmijërisë dhe siguron rreth 97% mbrojtje kundër fruthit.

Autoritetet shëndetësore amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollojnë statusin e vaksinimit dhe të sigurohen që fëmijët të kenë marrë të dyja dozat e rekomanduara.

Ndërkohë, Organizata Panamerikane e Shëndetësisë pritet të shqyrtojë javën e ardhshme statusin e eliminimit të fruthit në rajon. Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin statusin e eliminimit të kësaj sëmundjeje, të cilin e kanë mbajtur që prej vitit 2000.

Postime të ngjashme

ADHD te fëmijët: Çfarë duhet të dinë prindërit? - Podcast me terapisten neurozhvillimore Emi Shehi
Mjekja endokrinologe: Pse gratë shtatzëna nuk duhet të ndjekin dieta drastike
53-vjeçari mbeti pa ndjenja në bulevard, QSUT jep informacion mbi gjendjen shëndetësore të tij
Angazhimi vullnetar në Pukë, si u mbrojt një familje nga rreziku i zjarreve në pyje
Oltjon Muzaka largohet nga Shëndetësia dhe emërohet zv.ministër i Punëve të Brendshme
Kalvari i mbijetesës: Kur sistemi shëndetësor dështon, dhe ndërhyrja ndërkombëtare bëhet shpëtimi i vetëm
Pesë ankesa çojnë në KPP tenderat e lavanderive të spitaleve me fond mbi 6.1 milionë euro
Ministrja Sala prezanton shërbime të reja për të moshuarit, ndërsa Kujdesi Shëndetësor në Banesë vazhdon të mbetet pa financim të qëndrueshëm