Infeksionet mykotike të lëkurës, këshilla përkujdesjeje

fytyraMundësitë e marrjes së këtyre infeksioneve janë të mëdha. Ato mund të merren kudo, duke filluar që nga kopshtet e deri në familje nëpërmjet përdorimit të sendeve të njëri-tjetrit

Aishe Thartori

Infeksionet mykotike apo dermatofitozat janë ndër patologjitë më të njohura dhe përhapura në popullatë. Mjekja dermatologe në QSUT, Violeta Dajçi, pohon për gazetën “Shëndet Plus” se këto infeksione kanë aftësinë të zhvillohen në sipërfaqen e lëkurës duke prekur çdo pjesë të trupit, përfshirë këtu thonjtë dhe flokun. Shpeshherë ky i fundit shoqërohet me rënie.

Sipas dermatologes, mundësitë e marrjes së këtyre infeksioneve janë të mëdha. Ato mund të merren kudo, duke filluar që nga kopshtet (tek fëmijët) e deri në familje nëpërmjet përdorimit të sendeve të njëri-tjetrit. Ndër të tjera Dajçi apelon për një kujdes maksimal sidomos gjatë periudhës së dimrit dhe të verës, të cilat janë stinë që favorizojnë lindjen dhe përhapjen e infeksioneve mykotike.

Çfarë janë infeksionet mykotike të lëkurës?

Infeksionet mykotike ose dermatofitozat janë patologji të cilat shkaktohen nga një numër i madh mikroorganizmash që quhen “funghi”. Këto mikroorganizma kanë aftësinë të zhvillohen në sipërfaqen e lëkurës dhe mukozave, si dhe të futen në shtresa edhe më të thella të saj (stratum corneum, folikulin e flokut, thonjtë). Nën emërtimin “infeksione mykotike” të njohura gjerësisht në gjuhën e përditshme të njerëzve, përfshihen dhjetëra diagnoza dermatologjike në bazë të zonës së prekur dhe të florës shkaktare.

Violeta DajciSi shfaqen klinikisht këto sëmundje?

Shfaqjet klinike të tyre janë të ndryshme, në varësi të shkaktarit, kohëzgjatjes së sëmundjes, sipërfaqes së prekur, shoqërimit me patologji të tjera të lëkurës etj. Dermatofitozat në lëkurë shfaqen me skuama të bardha (si krunde) dhe nën këto zona mund të jetë eritematoze, e kaftë ose e bardhë. Këto vatra janë rrethore ose në trajtë hartë, me kufij të qartë me zonën e paprekur. Onykomykozat (myku i thonjve) shfaqet me trashje, zverdhje dhe thërrmim të thoit të prekur. Dermatofitozat e flokut që prekin kryesisht kokën, mjekrën dhe më rrallë zonën pubike, manifestohen me rënie të flokut, skuama hiperkeratozike në trajtën e një pllake rrethore etj. Në infeksione më të rënda si “korioni”, zona paraqitet si nodul inflamator, pa flokë dhe e dhimbshme.

Cilat janë ankesat më të shpesht të pacientëve?

Në përgjithësi ankesat shoqërohen me prurit dhe intensiteti i tij është nga i lehtë deri në pagjumësi. Ankesë tjetër është rënia e flokut në zona të caktuara, si dhe aspekti social kur elementet janë në zona të dukshme.

Kush preken me shumë nga këto patologji?

Nuk ka një rregull të mirëfilltë, por si çdo infeksion tjetër mundësia e marrjes është më e madhe në jetën kolektive (fëmijët e kopshteve, ushtarët etj), në ambientet publike (plazhet dhe sidomos pishinat), dhe në ambientet familjare (sendet e përbashkëta) bëjnë që të preken disa persona nga e njëjta patologji. Po kështu personat që djersijnë dhe lëkurat e yndyrosura, banakierët dhe persona të tjerë të shërbimit që mbajnë duart në ujë për kohë të gjatë, diabetikët dhe pacientet me imunodifiçencë, pacientët me patologji të lëkurës (portë hyrje) dhe ata që përdorin për kohë të gjatë pomada me përmbajtje kortizonike, janë të predispozuar të preken nga infeksionet mykotike. Ndërsa moshat e treta preken më tepër se pjesa tjetër e popullatës nga mykozat e thonjve./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim