Familjarët e gazetarit të vdekur: Spitali, pa ilaçe dhe shërbim

Disa ditë më parë, ndërroi jetë nga leuçemia akute, gazetari Arbër Sela. 29-vjeçari nga qyteti i Fierit nuk mundi të mposhtte këtë sëmundje të rëndë, duke lënë pas djalin 2-muajsh dhe familjen. Ai u njoh me këtë sëmundje rreth dy javë para se ai të ndërronte jetë. Arbër Sela vuante nga një sëmundje shumë e rëndë dhe pashërueshme dhe shpresat që ai të jetonte ishin të pakta.Arber Sela

Gjatë ditëve të qëndrimit të tij në spital familjarët i bënë apel shtetit dhe çdo personi për ndihmë ekonomike, por nuk mundën të siguronin të ardhura të mjaftueshme për kurimin e tij. Për Arbërin nuk ishte hera e parë që përballej me një sëmundje të rëndë, sepse rreth dy vjet më parë ai mposhti një sëmundje tumorale. Ishte kategorizuar edhe si një invalid dhe të ardhurat mujore nuk mund të mposhtin dot kurimin e sëmundjes së tij.

Në familjen e tij tashmë ka rënë zia dhe familjarët tregojnë për gazetën “Shekulli” vështirësitë që hasën gjatë procesit të kurimit në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”. Një nga vështirësitë më të mëdha ishte pamundësia ekonomike për kurimin e tij. Vëllai i tij Astrit Sela tregon problemet dhe paqartësitë që hasi ai dhe familja e tij gjatë procesit të kurimit. Ai shprehet shumë i indinjuar dhe i trishtuar për realitetin në të cilin ndodhet spitali “Nënë Tereza”.

Sipas Astriti, vëllai i tij vuante nga një sëmundje shumë e rëndë dhe pashërueshme, por ndihma dhe mbështetja në spital nuk ishte në nivelet e duhura. “Që në hapat e para të shtrimit në spital të Arbërit, mjekët na thoshin nuk ka shpëtim dhe se kjo ishte një sëmundje shumë e rëndë duke e tejkaluar. Spitali nuk kishte të gjitha medikamentet e nevojshme për kurimin e vëllait dhe u përballëm me mungesë e barnash”, shprehet ai. Ai rrëfen se ilaçin e domosdoshëm për Arbërin, të quajtur vesanoid e ka blerë në mënyrë private jashtë vendit, në Greqi, dhe që kushtonte 400 euro. Për Astritin problematik ishte edhe mungesa e stafit mjekësor gjatë fundjavës dhe ditëve të zyrtarizuara pushim.

Atje e kuptova realitetin, se sa pak vlerësohet jeta njerëzore

“Tmerri dhe peripecitë që kaluam në atë pavijon janë një traumë qe do ngelet gjatë në mendjen time”, me këto fjalë rrëfehet vëllai i Arbërit, Astrit Sela. Me fytyrën e mbuluar nga trishtimi dhe dhimbjen madhe shpirtërore që e shoqëron gjatë gjithë kohës, ai shprehet se jeta e njeriut në duart e mjekësisë shqiptare nuk është e sigurt. “Në pavijonin e hematologjisë e kam parë vetë dhe e kam dëgjuar nga goja e infermierëve, se një infermiere kishte nën kujdes 40 pacientë, e pakonceptueshme.

Shpesh herë më pyesnin infermieret se çfarë mjekimi ka vëllai dhe në çfarë orë e merr mjekimin, sepse nuk mbanin mend nga ngarkesa. Pavijoni i hematologjisë kishte vetëm një mjek roje, gjë që është e tmerrshme, sepse në rast urgjence mund të ndodhin njëkohësisht 2 apo 3 pacientë jo mirë dhe kjo nuk mund të përballohet vetëm nga një mjek”, u shpreh ai. Sipas tij problematikë tjetër që rrezikonte jetët e pacientëve ishin edhe ditët pushim të fundjavës dhe ditët e zyrtarizuara pushim.

“Të shtunën dhe të dielën farmacitë dhe banka e spitalit ishin pushim. Ne na rastisi edhe e hëna, dita e pashkës, e cila ishte pushim dhe vëllai u has me mungesë barnash dhe gjaku”, tha Astriti. Me sytë e mbushur me lot ai më tej shtoi se barnat ishin shumë të shtrenjtë dhe nuk mund t’i gjente dhe blinte lehtësisht. “Edhe barnat na është dashur t’i blejmë në mënyrë private, duke kushtuar shumë. Më të nevojshmen e blemë në Greqi me shumë sakrifica dhe probleme dhe me frikën se në çdo moment mund të bllokoheshe në doganë.

Por pas kërkimeve te vazhdueshme për ilaçet e vëllait morëm një informacion se ky ilaçi (Vesanoid) gjendej edhe në Tiranë në një depo farmaceutike. Me shpejtësi të madhe e blemë dhe punonjësit të kompanisë na thanë se për këtë ilaç është hedhur dy herë tenderi dhe është anulluar, gjë që më la një shije të hidhur”, rrëfeu ai. Por në mendje e Astritit ngrihen shumë pikëpyetje për këtë gjendje spitalore, duke u përpjekur të gjejë përgjigjen.

“Po strukturat në spital, drejtoria dhe strukturat përgjegjëse për ilaçet, për diagnozat, për tenderimet dhe rastet urgjente çfarë bëjnë? Janë shumë hallka që janë pasive dhe që rrezikojnë çdo ditë jetë njerëzish me atë pasivitetin e tyre profesional”, thotë ai. Sipas tij, fajin e ka sistemi mjekësor që është realizuar dhe ndërtuar në këtë mënyrë dhe jo një mjek apo punonjës i vetëm.

“Kur farmacia e spitalit dhe depo farmaceutike ishin të mbyllura mjeku më tha: ”Sot është pushim dhe farmacia spitalit është mbyllur, shko bli ilaçet se nesër hapet farmacia. Si ka mundësi që nuk ka personel urgjence”, nënvizoi ai. Ai tregoi trishtueshëm se edhe ambientet e këtij spitali nuk kishin kushte, as temperaturë normale për pacientin në dhomë. “Infermierja dilte kontroll për rezistencat ngrohëse dhe thoshte hiqini se nuk lejohet dhe më heqin nga puna. Sipas konceptit të tyre pacienti duhej të vdiste së ftohti”, përfundoi ai.

QSUT: “Vesanoid” mungon, nuk kishte ofertë 

Burime nga Qendra Spitalore Universitare në Tiranë thanë dje për gazetën “Shekulli”se rasti i kurimit të të ndjerit Arbër Sela ka vijuar sipas procedurave ligjore, duke plotësuar në çdo pikë kërkesat e pacientit brenda mundësive të Shqipërisë. Sipas tyre Arbër Sela vuante nga një sëmundje e rrezikshme dhe e pashërueshme. “Në vijim të informacionit të kërkuar lidhur me gjendjen shëndetësore, diagnozën dhe shërbimet e ofruara për pacientin Arbër Sela, mjekët në bazë të Ligjit nr. 9887, dt 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, nuk mund të prononcohen.

Çdo e dhënë e kërkuar është regjistruar në kartelën personale të pacientit”, tha zyra e shtypit pranë QSUT-së. Të pyetur për ditët e pushimit të depove farmaceutike dhe farmacisë së spitalit, ata kanë deklaruar se në ditët e pushimeve zyrtare apo në fundjavë, farmacitë spitalore janë on call, sipas nevojave të shërbimeve dhe kërkesave emergjente që mund të kenë. Problematike tjetër që u pyet ishe mungesa e medikamentit Vesanoid, i denoncuar nga familjarët e Arbërit, këtë problem ata e faktuan.

“Për medikamentin Vesanoid, QSUT-ja ka pasur mungesë, pasi për këtë medikament nuk ka pasur ofertë nga operatorët ekonomikë farmaceutikë. Më tej ata shtuan se në rastet kur pacienti vuan nga një sëmundje e rëndë zbatohen të gjitha protokollet e mjekimit në pavijonin ku është shtruar. “Në rastet shumë të rënda, të cilat nuk mund të kurohen në vendin tonë, kalojnë në Komisionin Ndërspitalor për të vazhduar më pas me procedurat në Ministrinë e Shëndetësisë për trajtim e kurim jashtë vendit thanë burimet zyrtare.

Ditën e djeshme, rreth dy javë pas aplikimit për të kuruar Arbër Selën jashtë vendit, erdhi zyrtarisht konfirmimi nga spitali Onkologjik i Ankarasë, në Turqi për kurimin e tij. Por Arbëri nuk mundi të bëhet pjesë e këtij kurimi në këtë spital për të zgjatur sadopak jetën e tij edhe pse shpenzimet e transportit do të mbuloheshin nga familjarët.

“Çdo ditë ne bënim përpjekjet që vëllai im të bëhej sa më mirë. Kemi komunikuar deri në strukturat më larta qeveritare, të cilat janë përgjigjur maksimalisht, fakt që nuk mund ta mohoj, por që nuk mundëm të shpëtonim. Fakt tjetër është që për të ndihmuar Arbërin u mobilizuam të gjithë, farefisi, qytetarë dhe të rinj. E di që Arbëri vuante nga një sëmundje e pashërueshme, por çdo lloj sëmundje që të jetë, duhet luftuar me medikamentet e duhura deri ne fund”, përfundoi ai.  

Burimi: Shekulli

Postime të ngjashme

Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje