Rrëfimi i gjyshes: Bota e autizmit, ja pse ka shpresë!

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

“Një arsye për shpresë, bota e autizmit”. Ishte kjo tematika që u trajtua në një seminar të hapur me të rinj të fushës së mjekësisë në kuadër të muajit të autizmit në Tiranë.

Studentë të mjekësisë të pranishëm në seminarin për autizmin

Studentë të mjekësisë të pranishëm në seminarin për autizmin

Disa shtete e quajnë prillin si Muaji i Autizmit për të edukuar njerëzit rreth kësaj sëmundjeje. Asnjeri nuk e di me saktësi se çfarë e shkakton autizmin, por mjekët janë në një mendje kur thonë se numri i rasteve me autizëm është në rritje.

Në këtë aktivitet ishin të ftuar profesorë të fushës së mjekësisë, mjekë psikiatër nga shërbimi i QSUT-së, fizioterapistë, si dhe psikologë zhvillimi.

Sipas programit të parashikuar, aktiviteti u përshëndet fillimisht nga profesori i asociuar Agim Shehi. Që në krye të herës Shehi theksoi se autizmi është një çështje e një rëndësie të madhe për gjithë shëndetësinë e botës e për rrjedhojë edhe për Shqipërinë.

1 në 68 fëmijë është autik

Rritja e prevalencës së autizmit u prek si një pikë e veçantë edhe nga mjekja psikiatre, Anita Pilika.

Ajo tha se shifrat e raportuara tregojnë se 1 në 150 fëmijë diagnostikohet me autizëm, ndërkohë që mendohet se tashmë shifrat kanë arritur në 1 në 68 fëmijë.

Familjet që kanë një fëmijë autik kanë 2-8% shans për të pasur një fëmijë tjetër autik dhe djemtë diagnostikohen 3-4 herë më shumë me autizëm se femrat.

Mësohet se prapambetja mendore është prezente në 75-80% të individëve me autizëm dhe se autizmi tani ndeshet më shpesh se fibroza cistike, kanceri dhe traumat fëmijënore.

Mjekja psikiatre Anita Pilika

Mjekja psikiatre Anita Pilika

Kur autizmi diagnostikohet dhe trajtohet shpejt, kostot që lidhen me çrregullimin mund të reduktohen në 66%.

Psikiatrja gjithashtu “kritikoi” librat për autizmin. “Mund të keni lexuar apo dëgjuar shpesh të thonë se fëmijët me autizëm janë të prirur t’i shohin njerëzit si objekte. E kundërta është e vërtetë. Fëmijët me autizëm kanë emocione”.

Ndër shkaqet e autizmit Pilika renditi si hipoteza më të forta, shkaqet gjenetike, shkaqet virale (rubeola, 3-mujori i parë shtatzënisë) dhe si hipoteza më të dobëta ajo përmendi: vaksinat me përmbajtje të lartë mërkuri dhe dieta ushqimore.

Lidhur me vaksinën si çështje e cila ka ngjallur debat në popullatë, Pilika e hodhi poshtë si mundësi për sa kohë që në Shqipëri përdoren vaksina pa përmbajtje mërkuri dhe prapë shënohen raste.

“Shumica e fëmijëve janë qenie shumë sociale, të cilat kanë nevojë dhe dëshirojnë kontaktin me të tjerët për t’u rritur dhe zhvilluar.

“Ata buzëqeshin, belbëzojnë, gugatin, qeshin dhe u përgjigjen me kënaqësi lojërave të ndryshme. Një fëmijë me autizëm duket se jeton në botën e tij/saj duke treguar një interes shumë të vogël për të tjerët dhe një mungesë vetëdijshmërie”.

Pas përfundimit të fjalës, mjekes iu drejtuan dy pyetje nga fizioterapistja gjithashtu e pranishme në aktivitet Fregen Dedja: A janë vezoret policistike shkak për autizëm? A ka kampe të mirëfillta ku prindërit mund t’i çojnë këta fëmijë?

Për pyetjen e parë Pilika u shpreh: “Nuk di ta them me saktësi. Ka raste që si shkak i kësaj sëmundjeje shfaqet jo vetëm autizmi, por edhe probleme të tjera të zhvillimit mendor. Por ka raste që kjo patologji nuk shfaq asnjë lloj problemi në këtë drejtim”.

Lidhur me pyetjen e dytë, mjekja tha se mungesën e kampuseve apo hapësirave të tjera më të përshtatshme e shikon si problem më vete që prej mbylljes së qendrës në Kombinat.

Rrëfimi i gjyshe Mirijes

Mirije Zhugli, një gjyshe e cila po rrit nipin e saj autik, u shpreh tejet e emocionuar teksa tregonte përpjekjet në dyer në institucionesh e klinikash private për të ndihmuar nipin.

Gjyshe Mirija duke folur për të pranishmit

Gjyshe Mirija duke folur për të pranishmit

“Ai është djali më i bukur në botë. Është një klasën e shtatë. Tani kemi problem se është në periudhën e adoleshencës. Megjithatë, jemi të kënaqur sepse ai kryen pjesën më të madhe të nevojave personale vetë. Ha vetë, vishet vetë, porosit vetë në lokal dhe kurrë nuk është ofenduar nga shokët e tij”, u shpreh Zhugli.

Së fundmi ajo dha një mesazh shumë të rëndësishëm duke u shprehur se nëse të gjithë hallkat funksionojnë siç duhet, një fëmijë autik mund të mësojë të jetojë e të përshtatet me jetën si gjithë të tjerët.

Fjala e Zhuglit u duartrokit nga të gjithë të rinjtë e pranishëm, të cilët e vlerësuan si rast të vërtetë suksesi.

Menjëherë pas rrëfimit të gjyshes fjalën e mori Blerina Aliaj, psikologe zhvillimi e cila trajtoi temën “Njohuri rreth terapive që përdoren me fëmijët autik”. Aliaj tha se duhet të flitet më shumë për autizmin, dhe jo vetëm në muajt dhe në datat e vendosura.

Si komponentë të rëndësishëm për trajtimin e këtyre fëmijëve ajo cilësoi psikologun, prindin dhe shkollën.

Seminari u mbyll me diskutime dhe pyetje midis studentëve të pranishëm dhe profesorëve që referuan.

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore