Blertina Koka / Shëndet+
“Lidhja mes vaksinës dhe autizmit është stisur për çështje biznesi”. Kjo është deklarata e Silva Binos, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik pak ditë pas debatit të shumtë për mosvaksinimin e fëmijëve.
Në një reagim në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”, Bino shkruan se “lidhja e vaksinave me autizmin u stis nga një mjek anglez dhe kjo u lidh me vaksinën ndaj fruthit, rubeolës dhe parotitit, por që më pas u vërtetua se ai ishte paguar nga grupet antivaksinë. Pra, lexoni me thellë e më gjatë”.
Bino mohon që shkrimi i botuar në portale të jetë shkruar nga Agjencia Amerikane për Kontrollin e Ushqimeve dhe Barnave. Sipas saj, është e faktuar tashmë që autizmi nuk ka asnjë me lidhje me vaksinat.
Znj. Bino tregon eksperiencën e saj kur është prekur nga sëmundje infektive: “Unë personalisht jam dëshmi e një çmimi të tillë kur ra epidemia e fruthit. Si jo e vaksinuar u infektova gjatë përkujdesjes së këtyre pacientëve në vitin 1989 dhe isha në gjendje tepër të rëndë. Fatmirësisht shpëtova dhe jam sot për të dëshmuar atë çka shkakton mosvaksinimi”, shkruan Bino.
Çështja nëse duhet të vaksinohen fëmijët apo jo është diskutuar shumë këto kohët e fundit në të gjithë botën. Para disa ditësh, aktori Robert De Niro, prindër i një fëmije autik, deklaroi se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm. Ky pretendim i aktorit u hodh poshtë nga disa mjekë, ndërsa u përkrah nga një numër i madh prindërish.
Ndërkohë, në disa portale të huaja dhe shqiptare (me përjashtim të gazetës “Shëndet+”) ka qarkulluar lajmi se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka konfirmuar se vaksinat shkaktojnë autizëm. Ky lajm ka alarmuar disa prindër, të cilët refuzojnë të vaksinojnë fëmijët nga frika e madhe se vaksina shkakton autizëm.
Kjo situatë ka krijuar panik në radhët e prindërve me fëmijë të vegjël që, sipas kalendarit kombëtar të vaksinave të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, prisnin datën për t’i bërë vaksinën e vitit të parë të lindjes, por edhe të atyre që kanë fëmijë autikë, të cilët sot më shumë se kurrë janë të bindur se fëmija e tyre është sëmurë për shkak të kësaj vaksine.
Reagimi i plotë në Facebook i Silva Binos:
Për fat të keq çfarë ka shkruar një website antivaksinë e shesin si FDA shumë turp edhe media të cilat pretendojnë vërtetësinë. Me gjasme vetëm çorodisin njerëzit. Po këto website deri tani akuzonin vaksinën e Fruthit, por duke qenë se prindërit pas vdekjeve të fëmijëve me Fruth filluan të mos i përfillin e ndryshuan vaksinën dhe tani fajin e ka vaksina kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mirë. Përse një luftë kaq e madhe ndaj vaksinave pa të cilat do të kishim parë tmerre me sy ashtu siç pamë ne gjatë epidemisë se Poliomielitit (akoma dhe sot një person jeton me respiracion të drejtuar pranë spitalit infektiv) dhe asaj të Fruthit me vdekjet dhe prapambetjet mendore e me tej të rasteve me Tetanoz dhe Difteri. Mos ardhtë kurrë ajo kohë dhe ju dhëntë zoti pak më tepër mend. E para duhet lexuar me mend në kokë se çfarë shkruan edhe website i vjetër i tripedias pra që nuk e shkruan FDA por çka kanë raportuar disa njerëz, e dyta këto studime janë thënë e stërthënë që vaksinat nuk shkaktojnë autizëm dhe autizmi nuk ka lidhje me vaksinat, se po te ishte kjo gjë do te ishte shumë e thjeshtë i ndërprisnim vaksinat dhe zhduknim autizmin. Lidhja e vaksinave me autizmin u stis nga një mjek anglez dhe kjo u lidh me vaksinën ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Parotitit, por që më pas u vërtetua se ai ishte paguar nga grupet anti vaksine. Pra, lexoni më thellë e më gjatë. Unë personalisht jam dëshmi e një çmimi të tillë kur ra epidemia e Fruthit. Si jo e vaksinuar, u infektova gjatë përkujdesjes së këtyre pacientëve në vitin 1989 dhe isha në gjendje tepër të rëndë dhe ku nga frika se mos infektoheshin vetëm kolege si Kleomeni Cani u kujdesen për mua. Fatmirësisht shpëtova dhe jam sot për të dëshmuar atë çka shkakton mos vaksinimi.


