Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Eliksiri i jetëgjatësisë, sipas kërkimeve të gazetarit të “New York Times”, Dan Buettner, gjendet tek ushqimi. Që nga viti 2004, Dan Buettner, një kërkues shkencor i specializuar për jetëgjatësinë, ka bashkëpunuar me “National Geographic” për të zbuluar se cilët popuj jetojnë më gjatë. Ata i përqendruan studimet e tyre në pesë shtete: Greqi, Kaliforni, Itali, Japoni dhe Kosta Rika. Buettner ka shkruar disa libra në lidhje me këtë temë, ku zbulohen sekretet e popujve që kanë jetuar më gjatë dhe ushqimet që ata kanë konsumuar.
Edhe pse aktiviteti fizik luan një rol të rëndësishëm, ushqimi është ai më kryesori. Asnjë nga këto shtete nuk kanë një dietë ushqimore të njëjtë, megjithatë kanë një piramidë të njëjtë të rëndësisë së ushqimeve.
Nga kërkimet e tij shkencore ka arritur në përfundimin se këto 7 ushqime të zgjasin jetën:
Peshku – është një burim i mirë i acideve yndyrore omega 3 dhe proteinave, lëndë ushqyese këto shumë të rëndësishme për shëndetin. Një studim i kryer në vitin 2015 zbuloi se konsumimi i peshkut ul rrezikun e vdekjes nga çdo shkaktar. Më të preferuarat në këtë rast do të ishin sardelet dhe merluci, të cilët nuk janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të mërkurit apo substancave të tjera kimike.
Vaji i ullirit – Nuk duhet të frikësoheni nga yndyra nëse e merrni atë nga burimet e duhura. Yndyrat e pangopura ulin rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, dhe vaji i ullirit është një burim i mirë i këtyre yndyrave. Një studim i vitit 2014 zbuloi se një dietë ushqimore ku përfshihet vaji i ullirit është më efektiv në uljen e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës se dietat e tjera me pak yndyra. (Lexoni – Ja pse duhet të konsumoni vaj ulliri çdo mëngjes).
Manaferrat – Të gjitha frutat janë të mira për shëndetin, por manaferrat janë një ndër më të mirat. Ato përmbajnë më pak nivele të sheqerit se shumësia e frutave, plus ato janë të pasur me fibra dhe antioksidues, janë shumë të shijshme.
Avokado – Ashtu si vaji i ullirit, edhe avokado është e pasur me yndyra të pangopura. Avokadoja është e mirë për shëndetin e syve, ndihmon për absorbimin e lëndëve ushqyese dhe për humbjen në peshë.
Hudhra – është e pasur me lëndë të ndryshme ushqyese që mund të bëjnë gjithçka, duke filluar nga rritja e sistemit imunitar deri tek ulja e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i zorrëve. (Lexoni – 10 përfitimet që i sjell hudhra shëndetit).
Frutat e thata – janë një ndër ushqimet më të mira që mund ta konsumoni, duke qenë se janë të pasura me yndyra të shëndetshme, proteina dhe fibra. Një studim i fundit i kryer nga Universieti i Harvardit ka zbuluar se njerëzit që konsumojnë fruta të thata rregullisht jetojnë më gjatë dhe janë më pak të rrezikuar të preken nga sëmundje vdekjeprurëse, si kanceri, sëmundjet e zemrës etj. Sipas këtij studimi, konsumimi i rregullt i arrave, gati 30 gramë, në 4-5 ditë të javës i shton njeriut dy vite jetë. (lexo këtu)
Vetëm duhet të keni kujdes me sasinë që konsumoni, pasi ato janë të pasur me shumë kalori.
Drithërat – Shumë njerëz mendojnë se për t’u ushqyer shëndetshëm duhet të shmangim karbohidratet. Në fakt nuk është ide e mirë. Ka disa lloje karbohidratesh që janë shumë të rëndësishme për shëndetin, dhe drithërat janë nga më të shëndetshmit që mund të zgjidhni. Ato janë të pasur me vlera të ndryshme ushqyese, sidomos fibra. Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit shëndoshen për shkak të mungesës së fibrave, të cilat furnizojnë bakteret e mira në stomak. Pa këtë lëndë ushqyese, bakteret e mira nuk do të funksionojnë siç duhet, dhe njerëzit rrezikohen që të bëhen obezë dhe të vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
Burimi: Yahoo Health / https://shendeti.com.al/



