Denisa Canameti
Rasti i vogëlushes E.T., i cili u denoncua nga gazeta “Shëndet+” javën e kaluar, ka ngjallur edhe reagimin e mjekëve të Spitalit Universitar të Traumës. Mjekët Arjan Çelaj dhe Bardhyl Guçe, pas deklaratës së familjarëve, kanë kërkuar zbardhjen e së vërtetës, e cila, sipas tyre, është krejt tjetër.
“Pacientja E.T., e cila është në fakt 4 vjeçe, ka ardhur në spitalin e Traumës me datë 5 maj. Rasti i saj ka qenë i komplikuar. Vajza është edhe anemike, çka e ka bërë edhe më të vështirë trajtimin e saj. Fillimisht
kemi menduar që mund ta zgjidhim çështjen pa operacion, por duke e vendosur në allçi. Kjo është edhe arsyeja e vonesës së operacionit”, u shprehën mjekët Çelaj dhe Guçe.
Lidhur me denoncimin e prindërve të vogëlushes, bluzat e bardha thonë se nuk është e vërtetë se pacientja nuk është mbajtur peng. “Asnjëherë nuk kanë qenë problem materialet ortopedike”, thonë mjekët. Ata theksojnë se vogëlushja E.T. i është nënshtruar operacionit javën e kaluar dhe, pavarësisht vështirësive, operacioni ka rezultuar i suksesshëm.
Rasti i vogëlushes E.T. u denoncua në gazetën “Shëndet+” nga prindërit e saj, të cilët pretenduan se vajza e tyre mbahej peng nga mjekët dhe se për shkak të mungesës së materialeve ortopedike, që kushtonin 1800 euro (shumë të cilën ata nuk e paguanin dot), ajo nuk po bëhej operacion.
Mungesa e materialeve ortopedike në Spitalin Universitar të Traumës është tashmë një çështje e pranuar edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ky i fundit disa muaj më parë kërkoi nga pacientët që të mos u hidhnin faj mjekëve për këto mungesa, për shkak se nuk ishte përgjegjësia e tyre.
Por pavarësisht premtimeve të ministrit për zgjidhjen e këtyre mungesave, mësohet se Spitali i Traumës vazhdon të ketë probleme.

