Pacientët, viktima të kalbëzimit të sistemit shëndetësor, privatët jashtë kontrollit

Eglantina Bardhi

“Ne jemi një popull që shajmë e mallkojmë  një skuadër futbolli pse nuk fitoi ndeshjen, dhe nuk marrim mundimin të flasim e protestojmë për abuzimin që bën shteti çdo ditë mbi shëndetin tonë, mbi të drejtën për t’u mjekuar, mbi atë çfarë e meritojmë me ligj”.

Kështu u shpreh Eglantina Bardhi, drejtoreshë e gazetës “Shëndet+”, e ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel” për të folur mbi temën “Viktima të mjekimeve të gabuara”. Bardhi foli për problemet që pacientët ndeshin çdo ditë në sistemin shëndetësor, mungesat në shërbime, si dhe theksoi se pacientët në Shqipëri kanë nevojë të trajtohen sipas protokolleve mjekësore, ashtu siç ndodh në të gjithë botën.

“Nëse ne të gjithë do fillojmë të kërkojmë atë çfarë na takon me ligj, qoftë edhe duke hapur një proces, qoftë edhe nëpërmjet një proteste, mendoj se gjërat edhe mund të fillojnë të ndryshojnë në sistemin shëndetësor shqiptar”.

Gazetarja: A është i madh fondi i QSUT-së që shkon për të dëmshpërblyer viktimat?

Bardhi: Viktimat nuk i dëmshpërblen QSUT, por i dëmshpërblen fondi në rastet më të shumta dhe unë në fakt dua të ndalem më shumë tek problemi i madh që ka sistemi shëndetësor dhe mos e bëjmë këtë bisedë thjesht për të identifikuar nëse është gabimi i mjekut apo faji i një personi.

Ne kemi një sistem shëndetësor tërësisht jashtë kontrollit dhe këtë e them me bindje të plotë. Aktualisht, gazeta jonë po bën monitorimin e aksesit të pacientëve në shërbimet shëndetësore dhe vëmë re se pacientët jo vetëm që nuk marrin një shërbim sipas standardeve, por përballen me mungesa të theksuara. Me mungesa të zbatimit të protokolleve mjekësore, me mungesa të theksuara të elementëve më bazike dhe kur ne kemi një sistem të tillë, pra që nuk i ofron pacientit as gjërat më minimale, atëherë si mund të pretendojmë  t’i kërkojmë llogari mjekut se sa faj ka.

Për të mos folur pastaj për sistemin privat i cili është komplet jashtë kontrollit, dhe kur them jashtë kontrollit askush nuk kontrollon as shërbimet që tashmë janë të kontraktuara nga shteti. Pra, jepet para nga taksat tona, nga shteti, për të marrë një shërbim pacientët në spital privat, dhe ata jo vetëm nuk marrin shërbimin si e kanë bërë kontratën me Fondin, por pacientët përballen me mungesa në mjekime, me dëmtime të shëndetit të tyre dhe me mungesa të analizave të cilat i kanë në kontratë, pra është një sistem krejtësisht i pakontrolluar dhe ajo çfarë unë dua të theksoj është se këtu duhet të vendoset baza ligjore, duhet filluar kontrolli i sistemit nga themeli, në mënyrë që të kemi mundësi të ndajmë kush gaboi apo kush neglizhoi.

Unë mendoj se duhet të merren praktikat botërore se si veprohet në rastet kur një pacient dëmtohet në sistemin shëndetësor. A e dini ju se ka fëmijë të cilët janë infektuar me virusin HIV/ AIDS në sistemin shëndetësor dhe këta fëmijë apo prindërit e tyre, jo vetëm që nuk janë dëmshpërblyer por vazhdojnë dhe ndeshen me një mungesë mjekimi pikërisht në sistemin shëndetësor. Në paguajmë sigurime shëndetësore, dhe kur vjen puna kur shkojmë në spital ne nuk marrim asgjë. Pra, jemi përballë një hani të madh ku ti nuk je as i kontrolluar, as i siguruar, dhe nuk të merr askush përsipër.

Nga ana tjetër edhe mjekut njëlloj si pacientit i shkelet e drejta e tij, pasi edhe ai do të punojë në kushte komode. Pra, është një kalbëzim i këtij sistemi dhe këtë e them me bindje. Unë mendoj se pacientët nuk kanë nevojë vetëm për ato foto të bukura duke prerë shiritin e një pavioni, por kanë nevojë të trajtohen sipas protokolleve mjekësore, ashtu siç ndodh në të gjithë botën.

Dua të theksoj se të gjithë pacientët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, duhet të dinë se ka një ligj që i mbron.

Postime të ngjashme

Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale