Denisa Canameti
Menjëherë pas publikimit nga gazeta “Shëndet+” dhe shoqata “Together for Life” të rastit të Ornela Dervishit, 21-vjeçares me diagnozë Morbus Hodgkin, stadi IVB, ka reaguar shoqata “Ryder Albania”. Mjeku dhe drejtori ekzekutiv i “Sue Ryder Care”, Fatmir Prifti, nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe shoqatën Together for Life, është njohur me dosjen e vajzës.
Pas vlerësimit të rastit, Prifti tregon se ata kanë komunikuar me babanë e saj, Mystretin, të cilin e kanë ftuar për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që vajza të përfitojë nga shërbimi paliativ, e drejtë të cilën ajo e fiton me ligj.
“Kemi vënë kontakte me babanë e Ornelës, të cilin e presim sot të na vijë. Do të përpiqemi t’i japim atij çdo alternativë dhe ai vetë do të zgjedhë se cila është më e mira. Fatkeqësisht në Fier nuk po funksionon shërbimi paliativ, atje ku vajza duhet të shkonte, kështu që jemi të detyruar t’i ofrojmë Beratin, Durrësin ose Tiranën.
“Hospis në banesë e kemi të vështirë t’i premtojmë. Mund të shkojmë një herë, dy herë në shtëpinë e saj në Çermë, më shumë e kemi të pamundur. Do të përpiqemi t’i sigurojmë çdo medikament kundër dhimbjeve.
“Pavarësisht punës që është bërë me këtë shërbim, sepse janë hartuar ligje, standarde, pra është një shërbim që po sistemohet, prapë ka mangësi në burime njerëzore. Është e nevojshme që të ketë specialistë, pra, njerëz që diplomohen për atë punë, që të merrem pikërisht me shërbimin paliativ. Nuk mund të merret mjeku onkolog me shërbimin paliativ. Për më tepër që nëpër rrethe ka mangësi edhe në mjek specialistë onkologë”, shprehet Prifti.
Fatmir Prifti, mjek-anestezist dhe njëkohësisht specialist i terapisë së dhimbjes, tregon për eksperiencën e shoqatës “Sue Ryder Albania”, shoqatë e cila ka afërsisht 20 vjet që ofron përkujdesje për të sëmurët terminalë në fundin e jetës në Tiranë dhe Durrës. Ekipet e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve socialë vizitojnë afërsisht 400 pacientë çdo vit në shtëpitë e tyre, duke ofruar asistencë mjekësore dhe mbështetje emocionale. Fondacioni SOROS është një nga donatorët kryesorë që ka mbështetur në vazhdimësi zhvillimin dhe forcimin e disiplinës së kujdesit paliativ në Shqipëri. Përmirësimi i kuadrit ligjor, rritja e gjendjes së medikamenteve të lidhura me disiplinën, hapja dhe bërja funksionale e njësive në spitalet rajonale, si dhe konsolidimi i standarteve të përkujdesjes, përbëjnë qasjet kryesore të cilat gjejnë reflektim në strategjinë 2014-2017 të Fondacionit.


