Pse Hillary Clinton (dhe ju) duhet të pini ujë rregullisht?

Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka

hillary-clinton_uje

Gjendja shëndetësore e kandidates demokrate për Presidente të Amerikës, Hillary Clinton, nuk ka qenë e mirë këto kohët e fundit. Gjatë ceremonisë përkujtimore të sulmeve terroriste të 11 shtatorit ajo ka pasur marrje mendsh dhe humbje të ekuilibrit, siç mund ta shihni edhe në videon e publikuar në media.

Sipas mjekes personale të Clinton, dr. Lisa R. Bardack, kandidatja për presidente është diagnostikuar me pneumoni. Ndërsa mjekë të tjerë thonë se gjendja e saj mund të ketë ardhur si pasojë e dehidratimit. Bashkëshorti i saj, Bil Clinton, tha të hënën se nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.
“Ka pasur më shumë se një rast në këto vitet e fundit kur ajo ka qenë e dehidratuar”, tregon ai.

Mediat amerikane raportojnë se Clinton është shpesh e dehidratuar dhe moskonsumimi i ujit në mënyrë të rregullt ka qenë “burim tensioni” midis kandidates dhe stafit të saj.

Kur ndodh dehidratimi?

Dehidratimi ndodh kur trupi humbet më shumë lëngje sesa merr, duke prishur balancën e kripës dhe sheqerit. Uji është shumë i rëndësishëm në jetën tonë, dhe trupi e përdor atë në mënyra nga më të ndryshmet, duke filluar nga lubrifikimi i kyçeve deri tek rregullimi i temperaturës dhe nxjerrjes jashtë të toksinave nëpërmjet djersitjes, urinimit dhe jashtëqitjes.

Nëse nuk trajtohet menjëherë, dehidratimi mund të çojë në ndërlikime shëndetësore më serioze; mund të ndikojë tek funksionimi i veshkave, rrit mundësitë e formimit të gurëve në veshka, shkakton dëmtim të muskujve dhe kapsllëk.

Faktorët që mund të çojnë në dehidratim janë dieta ushqimore, aktiviteti fizik, diarreja kronike, urinimi i shpeshtë dhe djersitja e tepërt.

Kush është më i rrezikuar?

Çdokush mund të preket nga dehidratimi, por disa janë në rrezik më të lartë se të tjerët. Foshnjat dhe fëmijët janë sidomos më të rrezikuar, duke qenë se trupi i tyre është bërë me 65-75% ujë.

Të moshuarit gjithashtu janë në rrezik, duke qenë se humbasin ndjesinë e etjes me kalimin e moshës, që do të thotë se ata harrojnë të pinë mjaftueshëm ujë. Clinton, që është 68 vjeç, mund të futet tek kjo kategori. Sipas një kërkimi të fundit të kryer nga BBC, një në pesë të moshuar që jetojnë në azil nuk pinë mjaftueshëm lëngje dhe ata që vuajnë nga dementia janë 6 herë më të rrezikuar të preken nga dehidratimi.

Njerëzit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, si diabeti, fibroza cistike dhe sëmundjet e veshkave, si dhe alkoolistët, janë gjithashtu më të rrezikuar nga dehidratimi.

Cila është mënyra më e mirë për ta shmangur atë?

Pini sa më shumë ujë! Instituti i Mjekësisë rekomandon që femrat nga mosha 19-70 vjeç të pinë 2.7 litra ose 11 filxhanë me lëngje në ditë. Ndërsa për meshkujt e të njëjtës moshë rekomandohet të pinë 3.7 litra.

Këtu përfshihen lëngje si ujë, çaj, kafe, lëngje frutash etj, të cilat përmbajnë të gjitha ujë. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i rekomandon qytetarët të zgjedhin ujin në vend të lëngjeve të sheqerosura, si dhe i rekomandojnë mësuesit të edukojnë studentët e tyre rreth rreziqeve të konsumimit të shumë të kafeinës, përfshirë edhe pijet energjike.

Burimi: Time.com/ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës