Denisa Canameti, Shëndet+
Gjatë komisionit të shëndetësisë, kryetarja Albana Vokshi këmbënguli te kontrata me koncesionarin dhe korrupsionin që sipas saj e ka karakterizuar këtë kontratë. Vokshi tha se koncesionarit i janë dhënë 1.7 miliardë lekë, duke parashikuar kontrolle edhe për këta 110 mijë persona, por që nuk janë bërë asnjëherë.
Ajo akuzoi Beqajn se po mbron interesat e privatit. Sipas Vokshit, me zgjerimin e moshës së përfituesve për check-up falas, nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç, Vilma Nushi do të marrë më shumë para, pasi më shumë njerëz nuk do të shkojnë për ta bërë këtë kontrroll.
Vokshi: Shpresoj që edhe deputetët ta kenë kuptuar se çfarë keni bërë. I keni dhënë koncesionarit para për 110 mijë check-up, pa bërë asnjë kontroll të ndonjë qytetari. Sa investime në qendra shëndetësore do ishin bërë me ato 1.7 mld lekë. Keni thirrur mjekët që ju mendoni se kanë performancë të ulët me check-up në qendra shëndetësore të vendit. Si mund të investohet personalisht një ministër në këtë gjë. Nëse nuk jeni të implikuar në këtë koncesion, ju nuk duhet të ndërhyni, apo të bëni këtë gjë. Duhet të ndryshoni veprim, se po zhyteni plotësisht në korrupsion.
Beqaj: Nga këto kontrolle janë dhjetëra jetë njerëzish të shpëtuara nga këto kontrolle. Janë diagnostikuar në kohë sëmundje të zemrës, kancerit të zorrës së trashë, diabetit, etj.
Vokshi: Ju po shkelni kontratën. Kontrata thotë që të ndërtoni 20 laboratorë, jo të nënkontraktoni. Ju keni ngritur 3 laboratorë, të tjerët i keni nënkontraktuar. Po mbroni interesat e privatit.
U keni bërë presion mjekëve për performancë të ulët që të shtojnë check-up. Ju sapo pranuat korrupsionin galopant, duhet të jepni dorëheqjen.

