Rubena Moisiu: Rastet e infertilitetit në rritje. Hapja e kësaj qendre është kthyer tashmë në një domosdoshmëri
Esido Barkaj
Të gjitha çiftet që kanë vështirësi për t’u bërë prindër tashmë do t’u jepet mundësia që procesin e Fekondimit In Vitro (apo siç i quajmë “bebet në epruvetë” ta kryejnë edhe në spitalet publike. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, drejtoresha e spitalit obstetrik-gjinekologjik, Rubena
Moisiu, shprehet se ky shërbim, i cili pritet të përurohet në muajin qershor, ka ardhur si pasojë e rritjes së rasteve të infertilitetit. Për këtë arsye qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë kanë financuar këtë projekt me ndihmën e ndërkombëtarëve. Ky proces është kryer në Shqipëri vetëm në spitalet private me një kosto tepër të lartë.
Ministria e Shëndetësisë synon të aplikojë dhe Fekondimin In Vitro në maternitetet publike. Ku konsiston ky projekt?
Ky është një projekt që ka nisur afërsisht para dy viteve në bashkëpunim me projektet IPA ADRIATICA të cilat janë projekte që përfshijnë gjithë rajonin. Ky projekt është nënshkruar edhe nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian. Ne patëm mundësinë të përfitojmë një grant të këtij projekti dhe qëllimi i projektit tonë ishte ndërtimi i një qendre të fekondimit të asistuar ose e njohur ndryshe të “Riprodhimit të asistuar” në një spital publik.
Vlen të përmendim se ky projekt do të zbatohet për herë të parë në një spital publik, sepse ju e dini mirë që në Shqipëri është kryer prej vitesh, por vetëm në klinika dhe spitale private. Kjo ka njëfarë kostoje, prandaj ka qenë e veshtirë nga qeveria shqiptare për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Por me anë të këtij projekti ne do të mbulojmë pjesën financiare.
Pjesën financiare të kujt?
Këtu bëhet fjalë për pjesën financiare të blerjes së aparaturave dhe sidomos të laboratorit, pasi është më i rëndësishmi në këtë procedurë. Natyrisht ne kemi kërkuar vazhdimisht edhe ndihmën e qeverisë shqiptare, sepse në këto projekte qeveria quhet bashkëfinancuese me 15% të shumës totale të investuar. Pra, kuptohet që pa ndihmën e qeverisë, ky projekt nuk realizohet. Patëm një ndihmë të madhe nga qeveria jonë. Madje, qeveria e ka futur këtë projekt si një përparësi në 6-mujorin e saj të parë. Ne aktualisht jemi në fazën ku po mbaron thuajse përfundimisht rikontruksioni i godinës, e cila ndodhet në ambjentet e brendshme të maternitetit “Koço Gliozheni”. Presim që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ta kemi të përfunduar në fund të muajit maj dhe në fillim të qershorit të përurohet.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 1 majit 2014 të gazetës “Shëndet+”)


