Dr. Migena Qato, Mjeke në Shërbimin Infektiv, në QSUT
Mënyra më e mirë për të diagnostikuar lambliazën (infeksion i rrezikshëm i zorrëve) është nëpërmjet testimit të antigenit në feç . Ajo çka identifikohet me këtë test është proteina e Giardia lamblia dhe më tepër se 90% e të infektuarve diagnostikohen me anë të këtij testi. (Lexoni – Lambliaza, çfarë duhet të dimë rreth infeksionit të rrezikshëm të zorrëve?)
Një tjetër mjet diagnostikimi është vëzhgimi mikroskopik i parazitit. Në mënyrë që të identifikojmë të gjithë të infektuarit, ky ekzaminim përsëritet me tre mostra të ndryshme nga çdo pacient. Krahasimisht me testin e antigenit, kërkon më tepër kohë dhe ka një përqindje më të ulet dedektimi. Por vëzhgimi mikroskopik ka avantazhet e veta duke qenë se na lejon të evidentojmë dhe patogjene të tjerë përveç lamblias, të cilët kanë shkaktuar sindromët diarreike në pacientë të caktuar. (Lexoni – Shenjat paralajmëruese të lambliazës (infeksioni i rrezikshëm i zorrëve).
Trajtimi
Trajtimi më i aplikuar deri me sot për giardiazën është imetronidazole (Flagyl) për 5-10 ditë. Ka një efikasitet të mirë, rreth 75% deri 100%, por zakonisht shoqërohet me efekte anësore të rëndësishme si nauze, dhimbje epigastrike dhe cefale`.
Aktualisht metronidazoli së bashku me dy preparate të tjera, Tinidazole dhe Quinacrine janë medikamentet e aprovuara edhe nga FDA (Food and Drug Administration) për trajtimin e Lambliazës.
Ndodh në disa raste, trajtimi me secilin nga këto preparate, të dështojë në eradikimin e këtij paraziti. Në të tilla raste, preparati mund të ndyshohet, të përdoret për një kohë më të gjatë ose të kombinohet me një preparat tjetër (psh quinacrinë dhe metronidazol).
Parandalimi
• Hapi i parë fillon me kontrollin e ujit që konsumohet. Uji i pijshëm konsiderohet i tillë kur i është nënshtruar testimeve të kujdesshme nga instancat përkatëse.
• Në rast se nuk ekziston siguria e testimit të ujit të pijshëm atëherë detyrimisht duhet aplikuar zierja dhe më pas filtrimi i tij.
• Të evitohen sjelljet ekspozuese (përdorimi i akullit nga ujë i patrajtuar, larja e dhëmbëve, larja e frutave dhe perimeve)
• Larja e kujdesshme e duarve (para ngrënies, pas përdorimit të tualetit, ndërrimit të pelenave ose prekjes së kafshëve shtëpiake) ngelet gjithashtu mjeti më i mirë, i sigurt parandalues.
Burimi: Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza


