Neurokirurgjia, hapa para në trajtimin e Parkinsonit. Petrela: 15 vite investim

Bisedoi: Denisa Canameti / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

Prej një viti të sëmurët me Parkinson që janë në stad të avancuar të sëmundjes dhe të cilëve medikamentet nuk u japin më efekt, kanë një mundësi të re për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Ekipi i mjekëve të Shërbimit të Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Univesitare ka mundur të realizojë për herë të parë implantimin e një pajisjeje në tru, e cila ndihmon në reduktimin e shenjave klinike të sëmundjes.

Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, profesor Mentor Petrela, në një intervistë për gazetën “Shëndet+” tregon se ky projekt ka kërkuar më shumë se 15 vite punë dhe përgatitje nga ana e stafit të tij.

Shqipëria ka prevalencë si vendet përreth të sëmundjes së Parkinsonit. Parashikohet rritje me plakjen e popullatës, ndaj dhe realizimi i këtij implantimi është shumë i rëndësishëm.

Doktor Petrela, para një viti shërbimi i neurokirurgjisë prezantoi një projekt i cili sillte shpresë për të sëmurët me Parkinson, duke implantuar (mbjellë) një “pacemaker” në tru. Si funksionon ky “pacemaker”?

Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje e gjatë dhe shfaqet kryesisht në moshat e rritura. Që kur është diagnostikuar për herë të parë, kanë qenë të shumta tentativat për të kuptuar mekanizmin se ku qëndron kyçi i dëmit në qelizat nervore. Dhe janë lokalizuar një pjesë në ganglionet bazale, (ganglionet bazale; pjesa më vjetër e trurit të vendosura në qendër. Trupi i përdor këto pjesë të celulave të shpërbëra tashmë si burim energjie për konsum në rast nevoje etj.)

Natyrisht që problemi nuk është kaq i thjeshtë sa po e shpjegoj unë. Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishme, është që aty ka një fenomen ku ato që quhen mediatorët, që futen midis qelizave nervore dhe sinapseve, janë në mungesë ose është një proces tjetër. Në 2016, japonezi Joshinori Osumi fitoi çmimin Nobel. Ai e fitoi për autofaginë. Autofagia nënkupton që qelizat tona kanë një fenomen gjatë të cilit vetëdezintegrohen. Pra, si një veturë ndahet dhe bëhet në pjesë këmbimi, edhe qelizat fillojnë të ndahen copa-copa. Trupi i përdor ato për t’i djegur në rastet kur ka një stres, kur ka një uri përdor këto “copa” që vijnë nga dezintegrimi i qelizave. Ky është thelbi i zbulimit që u quajt autofagia.

Por, kjo shpjegoi që një pjesë e sëmundjeve, siç është kanceri, siç janë shumë sëmundje neurologjike, përfshirë edhe Parkinsonin, ndikohen nga ky proces i autofagisë.

Kjo që shpjegoj unë, është shkencë dhe është e ardhmja sesi do të zhvillohet.

Janë tentuar qelizat staminale për Parkinsonin, zbulimi i madh DOPA. Por u tregua që kjo nuk e mbulon problemin. Sëmundja vazhdon progresin dhe DOPA nuk e mbulon progresin e sëmundjes. Dhe progresi i sëmundjes është një progres degjenerativ, që lidhet mundësisht me autofaginë.

DOPA, trajtimi mjekësor e ka bërë punën e vet, por nuk e liron pacientin. Ajo që është sot në kulmin e zhvillimit, janë “pacemaker”-at që rregullojnë mekanizmin që i sëmuri të ndihet më mirë.

Stimulimi sot, Stimulimi i thellë i trurit (Deep brain stimulation-DBS), është në Parkinson, ka indikacionet e përcaktuara dhe është një shkencë e praktikuar, përdoret edhe në sëmundje të tjera, në sëmundje psikiatrike. Kanë filluar ta përdorin edhe në njerëz ankthiozë, sepse ai ankthi, ai stresi është autoliza që e mban, është ai proces që është nobelizuar këtë vit. Edhe aty ka raporte që janë përdorur në njerëz që janë me ankth, janë përdorur stimulatorët me pacemaker për të qetësuar të sëmurin. Por në Parkinson ky tani është një standard. Pra, futja e sondës me pacemakerin duke e targetuar dhe duke e kontrolluar nëpërmjet mjeteve kompjuterike, mund t’i japësh njeriut me parkinson një cilësi jete për disa vjet. Kjo teknikë sigurisht përdoret tek të sëmurët për të cilët janë harxhuar të gjitha mundësitë e tjera.

Pas ankthit që akoma është kërkimore si aplikim përdorimi i DBS përveçse në Parkinson është shtrirë në psikiatri në sëmundjen obsesive kompulsive, në Gilles de le Tourette, në depresion, etj.

A është trajnuar staf për të realizuar këtë ndërhyrje? A është tashmë një ndërhyrje rutinë në shërbimin e neurkirurgjisë?

Kam qenë i qartë që në fillim për ta zhvilluar si ide. Një nga studentët më të mirë që kisha unë, Ridvan Alimehmeti, e kam dërguar fillimisht në Institutin Karolinska në Stokholm e më pas në Istitutin Neurologjik “Carlo Besta” në Milano për 7- 8 vjet në dy qendra të mirënjohura botërore të kërkimit e aplikimit. Bëhet fjalë këtu e 15 vjet më parë, se nuk bëhen gjërat sot për nesër.

Çdo arritje ka 10 000 mijë orë punë, kështu thuhet në të gjithë këto tekstet e reja që masin performancat e njerëzve. Kjo tregon se ne kemi pasur kapacitet që ta bëjmë, por këto kapacitete nuk janë arritur brenda ditës. Ridvani ka qenë me target të qartë.

Sa implante janë kryer?

Janë kryer dy, sepse janë teknologji të shtrenjta. Dhe teknologji që nënkuptojnë rreth 50 mijë euro për një të sëmurë.

Cilat janë rezultatet? Sa të kënaqur jeni ju si profesionist me rezultatet e ndërhyrjeve që keni bërë?

Për rezultatet duhet të flisni me pacientët. Ne si profesionistë jemi të kënaqur, sepse shohim që të sëmurët kanë përfituar. Kanë përfituar cilësi jete. Fatmirësisht, vendi është i lirë dhe i hapur dhe ata shqiptarë që janë trajtuar këtu, kanë shkuar edhe jashtë dhe kam raport që u është bërë vlerësimi sipas shkallës së Parkinsonit dhe pacienti ka ardhur shumë i entuziazmuar, sepse i kanë thënë që është perfekte ajo që i është bërë.

Kush është kandidat për të përfituar nga implanti?

Nuk është se të gjithë të sëmurët me Parkinson shkojnë në pacemaker. Kandidat janë ata ku të gjithë mundësitë e mjekimit janë shteruar. Dhe këta janë një pjesë jo e paktë. Nuk po flas që ka edhe indikacione të tjera. Sot kemi një pjesë të revistave mjekësore ku 20% flitet për këto lloj pajisjesh që përdoren në kirurgjinë funksionale me indikacionet e ndryshme.

Çdo operacion ka risqet e veta. Cilat janë risqet e implantimit të pacemakerit?

Risqe për jetën nuk ka. E vetmja gjë është në mospërshtatjen, në mostargetimin e mirë të sondës së pacemakerit në vendin e duhur. Pra, flasim për qendra që fillojnë nga 3-5 milimetra brenda trurit të cilat studiohen në bazë të rezonancave, në bazë të skanerave, në bazë të matjeve shumë të sakta. Vënia e një pacemakeri është një operacion që mund të zgjasë një ditë komplet. Është një përputhje e teknologjisë me anatominë, e cila është individuale.

Pasi pacienti del nga operacioni…

Është ajo faza e parë kur ai do të përshtatet me atë robot që është implantuar dhe që e drejton. Do të thotë që, nganjëherë, mund të mos përshtatet mirë. Vëmë një protezë dhëmbësh dhe ditën e parë duket sikur ke një gjë të huaj në gojë.

A mundet që këta pacientë të bëjnë një jetë të pavarur?

Zakonisht këta janë të sëmurë të varur nga të tjerët. Implanti u jep mundësinë të bëhen të pavarur. Se është gjë shumë e rëndësishme që njeriu të jetë i pavarur në punën e vet.

Doktor, ju thatë që ka një kosto të lartë për pacientin. Keni kërkuar të jetë pjesë e paketave shëndetësore të financuara nga shteti?

Besoj arritja është realizuar në bashkëpunim me institutet e sipërprmedura dhe besimit të ndërsjelltë që është krijuar që ne kemi kompetencën për të kryer të tilla ndërhyrje me kontrolle të stadifikuara prej 15 vitesh një lloj check and balancë. Kjo është një rrugë që ka nisur prej 15 vjetësh. Por po të hyjmë me regjistra, buxhetet nuk do të dalin. Se edhe kjo që u krye, ishin në sajë të një përpjekje për të pasur sponsorizim. Ne nuk jemi një shtet i madh që ofrojmë ndonjë treg të madh, nuk jemi shtet shumë i pasur. Këto janë teknologji të shteteve të pasura. Nuk dua ta shoh me pesimizëm se, derisa ne arrijmë të aplikojmë teknologji të aplikuara që mbase mund të mos jenë në raport me zhvillimin e vendit.

Cili është plani i radhës doktor Petrela?

Kam gjithmonë një plan. Asnjëherë nuk rri pa plan. E kam planin, por nuk i kam ende gjithë elementët që ta deklaroj. Fillimisht duhet të kem njerëzit.

Kush është Mentor Petrela

Mentor Petrela është shefi i neurokirurgjisë në QSUT.  Një nga figurat më të nderuara shqiptare që e ka çuar lart emrin e tij si mjek, por jo vetëm. Akademia e Neurologëve në Botë e ka vlerësuar si ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë. Së fundmi është edhe anëtar ndërkombëtar i Shoqatës Amerikane të Neurokirurgjise AANS, më e vjetra dhe më e rëndësishmja në planet. Është pranuar me votë unanime në Akademinë e Shkencës Artit të Kosovës./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore