Gurët në veshka, çfarë na rrezikon

Valbona Bajrami, mjeke nefrologe pranë Spitalit Continental

Bisedoi: Elona Tereziu

Gurët në veshka janë një nga çrregullimet më të zakonshme  dhe më të shpeshta të  traktit urinar. Haset më shpesh tek meshkuj sesa te femrat me raportin 2-4 meshkuj: 1 femër, ndërkohë që mosha më e prirur rezulton të jetë ajo mes 30-50 vjeç (për meshkuj), ndërsa për femrat piku konsiderohet menopauza dhe periudha e fundit e shtatzënisë.

Valbona Bajrami, mjeke nefrologe pranë Spitalit Continental, shpjegon se cilët janë personat më të riskuar, ku thekson se një rol të veçantë luan dieta, stili i jetesës dhe sigurisht sëmundjet e tjera.

Ndërkohë që shpjegon mënyrat e trajtimit, jep edhe disa këshilla mjaft të vlefshme që duhet të ndjekin këta pacientë, duke nisur që nga dieta deri në kontrollet strikte të herëpashershme.

Çfarë janë gurët në veshka dhe si formohen ato?

Nefrolitiaza ose e thënë ndryshe gurët e aparatit urinar, që në gjuhën popullore njihen si gurë në veshka, janë masa të forta kristalinash me forma dhe përmasa të ndryshme që formohen brenda sipërfaqes së veshkave. Ato zakonisht janë të përbëra nga kalciumi, fosfati dhe acidi urik (urik acidi) dhe ndryshojnë në përmasa nga 2 mm – 12 mm.

Formimi i gurëve ose litogjeneza kalon nëpër 3 faza:

  1. Formimi i nukleusit ose bërthamës së gurit
  2. Grumbullimi i kristaleve
  3. Rritja e gurit

 Faza e parë përkon me kalimin e lëndeve minerare nga gjendja e lëngët në gjendje të ngurtë, gjatë së cilës krijohen kushte për formimin e kristaleve të vegjël.

Faza e dytë përkon me fillimin e procesit të bashkimit të kristaleve dhe nuk është gjë tjetër veçse përgatitore për fazën e tretë.

fazën e tretë guri zmadhohet duke vështirësuar eliminimin e tij nëpërmjet urinës.

Zhvillimi i këtyre fazave kushtëzohet nga shumë faktorë, shumica e të cilëve janë të panjohur, por pa dyshim mbingopja e urinës luan rol kryesor në rritjen e gurëve.

Mbingopja e urinës  me një kripë gurëformuese pakëson aftësinë tretëse të urinës për këtë kripë, duke favorizuar kristalizimin e saj, ndërsa aftësia tretëse e urinës për këtë kripë varet nga shumë faktorë  ku më thelbësorët janë “Pehashi Urinar” dhe “Vëllimi Urinar”.

Urina normale ushtron një veprimtari frenuese të kristalizimit, e cila tek njerëzit që formojnë gurë është më e vogël se te njerëzit normalë, çka shpjegon arsyen se përse për të njëjtën shkallë mbingopje urine disa njerëz formojnë gurë dhe disa jo.

Ndërkohë që sipas përbërjes kimike i klasifikojmë në:

  1. Gurët kalcikë:

-Oksalate kalciumi

-Fosfate kalciumi

  1. Gurët nga acidi urik
  2. Gurët struvitë (fosfo-amonio-magneziane)
  3. Gurët nga cistina
  4. Gurët nga ksantina etj.

Sa shpesh haset kjo patologji?

Mesatarisht prevalenca globale shkon 5-64%. Në Evropë prevalenca është midis 5-9 % . Megjithatë ka edhe raste të veçanta të studiuara së fundmi në Greqi është gjetur një prevalencë 15% në popullatën rurale në Thebes.

Kjo rritje është parë ndërmjet sekseve, racës dhe moshës. Preken më shumë meshkujt se femrat, në raport 2-4 burra: 1 grua. Përsa i përket racës prevalenca dhe incidenca është më e lartë tek raca e bardhë e ndjekur nga hispanikët, raca e zezë dhe aziatikët.

Me çfarë shenjash klinike paraqiten pacientët me kalkulozë renale në spital?

Pacientët vijnë me dhimbje të forta mesi, e cila në disa raste përhapet nga përpara në drejtim të trajektores së uretrit dhe deri në fund të barkut. Dhimbja në kolikën renale përshkruhet si dhimbje që nuk ndryshon me ndryshimin e pozicionit. Ato janë të ngjashme me dhimbjet e lindjes. Simptoma të tjera shoqëruese janë:

Të përziera, të vjella, urinim me gjak dhe i dhimbshëm, temperaturë, vështirësi në urinim dhe me djegje. Kolika renale është gjendje urgjente, por këtu ka të bëjë shumë dhe pozicioni i gurit në ureter.

Sapo paraqiten pacientët në spital, menjëherë qetësojmë dhimbjen për të vazhduar më pas me procedurat e tjera ekzaminuese.

Për trajtimin e kolikës renale përdorim preparate si antispastike (buskopan, spasmodil,etj) antiinflamatorë josteroide (voltaren, benketol, artrosilene etj). Në rast të mosqetësimit të dhimbjes përdorim opiate si morfina, fentanyl etj. Rekomandohen dhe vaska me ujë të ngrohtë  ose borsë në vendin e dhimbjes.

Si diagnostikohet një pacient me kalkulozë renale?

Përveç anamnezës së pacientit që na ndihmon shumë, ne në spitalin tonë kryejmë një sërë ekzaminimesh imazherike që janë:

Ekografia renale. Imazhet në veshkë me hije posteriore >2 mm i konsiderojmë gurë.

Ro-grafia direkte të aparatit urinar ku shihen gurët rentgenopake.

Urografi  intravenoze, sidomos për gurët në uretër.

CT skaneri helical pa kontrast sidomos në rastet e gurëve rentgenotransparente.

Gjithashtu dhe ekzaminimet laboratorike në gjak dhe urinën 24-orëshe për të marrë të dhëna për përbërjen e gurit./ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore