U zhvillua në Gjirokastër trajnimi “Avokatësia dhe Lobimi”, i organizuar nga zyra e projektit TACSO për Shqipërinë. Në këtë trajnim morën pjesë 18 organizata të shoqërisë civile nga qytete të ndryshme të vendit, mes të cilave edhe përfaqësues të “Together for life”.
Trajnimi i zhvilluar ditët e para të qershorit në qytetin e Gjirokastrës (i përzgjedhur si një qytet për t’u promovuar) ishte vazhdim i trajnimit të kryer në muajin prill “Zhvillimi Organizativ dhe Menaxhimi i Organizatave të Shoqërisë Civile”.
Këto trajnime të organizuara nga zyra e projektit TACSO me fondet e Bashkimit Evropian, vijnë me qëllim dhënien ndihmë organizatave të shoqërisë civile për të kryer një punë më të mirë dhe për të ditur bashkërendimin e tyre me shoqërinë, mënyrën se si duhen menaxhuar dhe se si mund të arrihet më mirë te publiku.
Trajnimi i parë 3-ditor i zhvilluar në Gjirokastër ishte i përqendruar tek organizmi dhe menaxhimi, ndërsa trajnimi i dytë “Avokatësia dhe lobimi” synonte që t’u jepte përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile njohuri të zgjeruara lidhur me mënyrën se si duhet të mbrojnë dhe të realizojnë ndryshimet e kërkuara në të mirë të shoqërisë, duke përfshirë aty edhe përfaqësues të lartë të shtetit, për t’i nxitur ata të veprojnë dhe realizojnë ndryshimin për publikun e gjerë.
Shoqata “Together for life”, e cila ishte ndër të përzgjedhurat për të marrë pjesë në këtë trajnim, ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve përmes informimit dhe edukimit të popullatës në lidhje me edukimin, shëndetin, mjedisin dhe çështjet sociale.


