Sa i kushton një çifti shqiptar të pasurit një fëmijë!

Bisedoi: Elona Tereziu

Për të gjithë ato çifte që nuk mund të kenë fëmijë, shkenca ka ardhur në ndihmë me fekondimin in vitro (apo bebet në provëza, siç njihet rëndom).  Një procedurë e tillë ka plot 15 vite që aplikohet në vendin tonë, megjithëse ende në asnjë nga strukturat shtetërore.

Arsyeja?! “Fekondimi in vitro kërkon teknologji të avancuar dhe aparatura të kushtueshme. Për fat të keq, ne nuk i kemi, duke lënë si mundësi zgjidhje vetëm privatin, megjithëse për shkak të kostos së lartë shumë çifte tërhiqen. Kështu shprehet për gazetën Shëndet+, Erlin Kurti, mjek obstetër- gjinekolog pranë spitalit “Mbretëresha Geraldinë”.

E ndërkohë që tregon se sa i kushton një çifti shqiptar të paturit një fëmijë, ai ndalet dhe tek legjislacioni. Çfarë parashikon ligji mbi shëndetin riprodhues? Po për ato femra që duan të bëhen nëna pa baba a është e mundur tek ne një procedurë e tillë? Si realizohet ndjekja e gruas shtatzënë dhe si regjistrohet ky fëmijë? Këto dhe të tjera detaje mjaft interesante mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Doktor, çfarë është fekondimi (fertilizimi) in vitro?

Fekondimi in vitro (FIV) është një procedurë që realizohet në kushte laboratorike. Kjo procedurë konsiston në marrjen e vezëve tek partnerja femër dhe e spermatozoideve tek partneri mashkull dhe bashkimi i tyre në mënyrë të orientuar, nga e cila përftohet formimi i embrionit. Më pas merret ky embrion dhe implementohet në kavitetin uterin.

Është një procedurë e cila sigurisht kërkon pak kohë, duke nisur që nga realizimi i ekzaminimeve paraprake, që janë të domosdoshme për të evituar patologjitë që mund të shoqërojnë formimin embrional.

Sa aplikohet tek ne një procedurë e tillë?

Fekondimi in vitro është një procedurë që ka bërë të mundur që shumë çifte të cilët e kishin humbur shpresën për të pasur një fëmijë, t’i gëzohen sot prindërimit.

FIV është një zgjidhje mjaft e mirë sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me fertilitet të instaluar bashkëshortor. Infertiliteti bashkëshortor (qoftë tek mashkulli, qoftë tek femra) , sipas klasifikime botërore është pothuajse 50 me 50, pra haset pothuajse njëlloj tek të dy partnerët. Dikur ka qenë akuzuar vetëm femra për infertilitetin bashkëshortor, por metodat e investigimit dhe tek burrat, kanë treguar që të dy partnerët mund të jenë “fajtorë” për moskonceptimin e një barre.

Cilët janë faktorët që e çojnë  një çift drejt infertilitetit?

Faktorët që çojnë drejt këtij infertiliteti në 10-15% të rasteve janë idipatike dhe ne nuk mund t’i vëmë një emër, por një rol të rëndësishëm luan mosha. Një pjesë e madhe e femrave sot mendojnë se duhet përfunduar shkolla, karriera e të tjera me radhë, dhe pastaj mendojnë  për një shtazëni. Por mbi moshën 35 vjeç fertilizmi (koncepsioni ose ngjizja) bie në një masë të konsiderueshme tek femrat.

Faktorë të tjerë për infertilitet femëror mund të konsiderohen edhe abortet e kryera më parë, infeksionet e ndryshme të traktit gjenital, veçanërisht ato që shkaktojnë edhe mbyllje të tubave ose konkluzion tubar.

Ndërkohë që infertiliteti mashkullor ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e qelizave mashkullore (spermatozoideve) cilësinë, shpejtësinë, lëvizshmërinë etj. Ndërkohë, një rol të veçantë  luajnë dhe sëmundjet e ndryshme që mund të ketë kaluar, si për shembull varikoçela apo edhe ndërhyrjet kirurgjikale në moshë të vogël dhe mund të shkaktohen në rrugët spermatike, pa harruar alkoolin, duhanin dhe përdorimin e lëndëve narkotike.

Sa shpesh haset infertiliteti bashkëshortor?

Infertiliteti bashkëshortor zë një shifër jo pak të vogël. Sot në botë ai haset pothujse tek 20-30% e çifteve, por që sigurisht jo të gjithë shkojnë drejt fekondimit in vitro.

Çiftet fillimisht vijnë për të “eksploruar” problematikën e infertilitetit, dhe një pjesë e mirë e tyre përfundojnë me shtatzëni përmes trajtimit që ne u ofrojmë, ndërsa pjesa tjetër duhet t’i nështrohet fekondimit in vitro.

Megjithatë, nuk është se ne nxitojmë për t’i drejtuar tek fekondimi in vitro. Fillimisht bëjmë disa përpjekje për të eliminuar shkaqet e mundshme. Në rast se kemi të bëjmë me infertilitet të instaluar/ të pakorrigjueshëm, atëherë detyrimisht shkojmë drejt fekondimit in vitro.

Cilat janë ekzaminimet praprake që duhet të kryejë një çift para se t’i nështrohet një procedure të tillë?

Çifti duhet t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve paraprake duke filluar që nga ekzaminimet e thjeshta, si: ekografia, vlerësimi i funksionit hormonal, niveli i spermogramës tek partneri mashkull etj. Të gjitha këto duhet të përfshihen në dinamikën e vlerësimit të cilat do t’i bashkëngjiten një sërë ekzaminimeve të tjera që mund të jenë edhe të dhënat gjenetike të çiftit, sepse ajo çka synohet është përfitimi i një embrioni sa më të përshtatshëm, pa anomali. Përgatitjet fillojnë pasi këto ekzaminime rezultojnë në normë.

Janë dy protokolle që përgatisin gruan për fekondimin in vitro, janë protokolle të shkurtra dhe protokolle të gjata. Në protokollet e shkurtra futen ato çifte të cilat janë diagnostikuar qartë dhe problematika e tyre është e njohur dhe nuk ka nevojë për ta zgjatur në kohë, por fillohet menjëherë stimulimi i ovarit me qëllim që të përftohet një numër sa më i madh vezësh (ovocitesh).

A është i njëjtë protokolli i ndjekjes për këtë grua shtatzënë?

Protokolli është pothuajse i njëjtë, por frika është më e madhe  për shkak se barra është përftuar në kushte të vështira. Sigurisht, është një barrë shumë e dëshiruar dhe, nëse humbet, shancet për ta përfituar sërish janë të pakta.

Cila është mosha kur një femër duhet të shqetësohet për fertilitetin e saj?

Moshat janë të ndryshme, por ajo që duhet të kuptojmë, është se në moshat e mëdha mbi 35 vjeç, fertiliteti bie me 5% në vit, ovulacioni është më i pakët dhe cilësia e vezëve është jo shumë e mirë, ndaj nuk mund të pritet pa fund për të konceptuar një barrë.

Por këtu do të doja të shtoja një gjë shumë të rëndësishme. Në botë ka një praktikë shumë interesante që unë për herë të parë e kam hasur në Japoni. Një pjesë e madhe e vajzave të reja (nën moshën 30 vjeç) i nështroheshin procesit të kriopreservimit të ociteve. Ky proces konsiston në marrjen e vezëve dhe futjen e tyre në ngrirje për t’i përdorur në momentin kur do t’i duhen asaj. Kjo është një procedurë shumë e mirë dhe jep mundësi pozitive, pasi  me kalimin e viteve veza pëson ndryshime karakteristike, qoftë në thelbin gjenetik, qoftë në strukturë dhe në njëfarë mënyre vjetërohet. Ndaj ruajtja në këtë moshë është mjaft interesante, pasi jep mundësi që femrat të vendosin vetë se kur dëshirojnë të bëhen nëna.

A ka femra që kërkojnë të bëhen nëna pa pasur partner?

Ky është një elemet i rëndësishëm që, megjithëse mund ta ndeshim në jetën e përditshme, shprehet shumë pak. Shoqëria jonë ka shumë elemente patriariarkale dhe nuk është fort e përgatitur për këto lloj sfidash. Janë raste tepër të veçanta ato që i drejtohen institucioneve shtetërore për këto lloj problemesh. Por, përtej kësaj, unë nuk jam i sigurt nëse kjo mund të ndodhë në Shqipëri për shkak të legjislacionit mbi shëndetin riprodhues, pasi në këtë rast do të na duheshin bankat e spermës dhe një doner.

Ku qëndron problemi?

Kur është bërë ligji për shëndetin riprodhues, nuk është se ka pasur ndonjë vizion të qartë përsa i përket të ardhmes dhe të gjitha këtyre elementeve zhvillimore që ka shoqëria. Ky është një nga ligjet e para dhe ndoshta ka ardhur koha të rishihet, duke e plotësuar me këto mikroelemente që nuk janë marrë parasysh. Në këtë mënyrë do t’u vinim në ndihmë shumë femrave shqiptare, por dhe meshkujve pa diskutim.

Si bëhet regjistrimi i një bebeje të ardhur në jetë në një mënyrë të tillë?

Është e njëjta gjë si me fëmijët legalë. Mund të regjistrohet vetëm me emrin e nënës.

A ka çifte që tërhiqen për shkak të kostos së lartë që ka një procedurë e tillë?

Sigurisht, ka shumë çifte që nuk e përballojnë dot koston e lartë dhe tërhiqen, ashtu sikurse ka çifte që e provojnë një herë dhe herën e dytë nuk kthehen më.

Çështja e fekondimit in vitro është një problem shumë i madh tek ne dhe them se ka ardhur koha të rishikohet. Fekondimi in vitro duhet të ofrohet në mënyrë absolute nga një strukturë shtetërore, të përfshihet në skemën e sigurimeve shëndetësore dhe të ketë një çmim tavan.

Vendet  fqinje, si Maqedonia, Mali i Zi,  madje dhe Kosova në mos gaboj, e kanë futur në skemën e tyre këtë sistem dhe funksionon shumë mirë.

Ofrimi i fekondimit in vitro nga një strukturë shtetërore do  të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për dhjetëra çifte në këtë vend, duke mos i lejuar ata të konsumojnë të gjithë sistemin e tyre financiar vetëm për të pasur një shtatzëni që, në fund, edhe mund të mos e realizojnë.

Pse nuk realizohet në spitalet publike?

Sepse mungon infrastruktura. Fekondimi in vitro kërkon teknologji të avancuar dhe aparatura të kushtueshme. Për fat të keq, nuk i kemi, duke lënë si mundësi zgjidhjeje vetëm privatin, ndaj është dhe një procedurë kaq e kushtueshme./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore