Bisedoi: Denisa Canameti
Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e veshkave është duke bërë një kontroll të paktën një herë në vit. Ky kontroll duhet të përfshijë detyrimisht matjen e tensionit të gjakut, kryerjen e analizës së urinës, si dhe matjen e kreatininës në serum.
Krahas vlerësimit të këtyre treguesve, duhet bërë kujdes edhe me stilin e të jetuarit, veçanërisht me dietën ushqimore që zbatojmë gjatë përditshmërisë. Kjo pasi kequshqyerja dhe mungesa e aktiviteteve fizike renditen ndër faktorët që nxisin sëmundjet kronike të veshkave. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, mjeku nefrolog Alketa Koroshi rendit problemet që mund të shfaqen me veshkat në rast ekspozimi ndaj këtyre faktorëve të riskut.
Doktor, kur nisin problemet me veshkat?
Ka një teori që është teoria e Barkerit, e cila thotë se problemet e veshkave te të rriturit e kanë zanafillën e tyre që në jetën intrauterine (brenda barkut të nënës). Pesha mesatare e njeriut që lind është 3.4 kg. Është konstatuar që te një fëmijë që lind me peshë të vogël ose lind prematurë, nuk arrijnë që të zhvillohen mirë nefronet, që janë njësia bazë funksionuese e veshkave.
Këto nefrone kanë prirjen që me zhvillimin e fëmijës, të hipertrofohen (të fryhen), pasi i nënshtrohen një mbingarkese funksionale për arsye se kompensojnë edhe punën e nefroneve të tjera që nuk janë të zhvilluara. Nga mbingarkesa funksionale, këto nefrone i nënshtrohen një presioni të rritur të kapilarëve glomerularë që janë brenda glomerulave dhe kjo bën që nga ky presion i rritur në membranën filtruese, në glomerulat, të ketë një filtrim më të madh të lëndëve dhe të ujit dhe të përshpejtojë sklerozën glomelurale, që çon në rritje progresive të këtij fenomeni dhe çon në ezaurim apo daljen jashtë funksioni dhe të nefroneve të mbetura. Dhe kjo çon në insuficencë renale.
Pra, veshka me kalimin e kohës nuk është në gjendje në jetën adulte (si i rritur) që të plotësojë detyrat e saj: të eliminojë kreatininën, urenë dhe produktet e tjera të katabolizimit proteinik dhe çon në rritjen e azotemisë, në rritjen e kreatinemisë. Kjo është progresive, është e pandalshme, shkon deri në insuficencë renale terminale. Pra, i sëmuri detyrimisht duhet të futet në dializë ose duhet të bëjë një procedurë transplanti.
Jo vetëm pesha e ulët në lindje, por studimet në disa vende europiane, sidomos në vendet nordike, tregojnë që edhe të ushqyerit e nënës gjatë kohës së shtatzënisë ka një rëndësi të veçantë. Në kohën e luftës, në këto vendet nordike ku kishte uri dhe nënat nuk ushqyeheshin mirë, lindën fëmijë të cilët në jetën adulte u sëmurën shumë nga sëmundjet kardiovaskulare, nga infarktet e miokardit, nga diabeti dhe nga veshkat, sëmundje që ishin sëmundje metabolike në përgjithësi, të cilat treguan që ka shumë rëndësi ushqyerja e nënës në kohën e shtatzënisë.
Një nënë që nuk është ushqyer mirë në kohën e shtatzënisë dhe që fëmija lind me peshë të ulët: deri në dy vitet e para pas lindjes, si rregull fëmija mban një peshë të ulët, por nëse pas dy vjetëve të para fillon dhe shton në peshë dhe në moshën e adoleshencës 11 vjeç ai arrin peshën e moshatarëve të tjerë, që kanë lindur normal sa i përket peshës, kjo është negative. Kjo predispozon ata që dhe në jetën adulte të sëmuren nga zemra dhe nga veshkat.
Problemet e veshkave që vijnë nga kequshqyerja e nënës, sa të shprehura janë?
Sidomos në vendet e pazhvilluara, sidomos në vendet e botës së tretë, në Afrikë, kjo është shumë e shprehur. Nga një studim që është bërë në moshën adulte në vendet e Afrikës Subsahariane, është konstatuar që gjysma e adultëve vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave. Kjo e ka zanafillën që në moshën intrauterine.
Po të lindurit të vendin tonë? Edhe ne kemi probleme me ushqyerjen.
Nuk jemi me atë kequshqyerje që kemi qenë para viteve 90’. Është rritur shumë standardi i jetesës. Atëherë njeriu nuk shikonte një frut. Në ato kohë, në vitet 50’, ushqeheshin fëmijët me bukë misri dhe me çaj. Pa marrë proteina fare. Ose i jepnin fëmijës një llokum të mbështjellë me garzë dhe fëmija e përtypte llokumin ashtu sikur garzës dhe merrte pak glukozë. Fëmija 3-4-muajshe.
Mosha faktor risku për veshkat:
Mosha është faktor risku për veshkat. Ndodh sepse është vetë fenomeni i plakjes së veshkave, sklerotizimi që pësojnë nefronet. Dhe bashkangjiten faktorë risku gjithmonë: në adultët zhvillohet më shumë hipertensioni arterial që është një faktor risku.
Sëmundjet e veshkave në moshat 18-50-vjeçare
Në këto mosha nuk janë aq të shprehura elementët e insuficencës renale por janë të shprehura fenomenet e tjera që janë të lidhura me mënyrën e jetesës, si përshembull, infeksionet urinare: për shkak të mungesës së higjienës, për shkak të kontakteve jo të rregullta me partnerët e vet. Infeksionet urinare, sidomos infeksionet urinare të zakonshme vijnë edhe për shkak të mënyrës jo të rregullt të të ngrënit të ushqimeve, për shembull ushqimet me shumë yndyrna, kalori, ushqimet me shumë kripë. Të ushqyerit më shumë kripë predispozojnë njerëzit që të krijojnë gurë në veshka.
Infeksionet urinare të pakuruara:
Një infeksion urinar zakonisht transmetohet në rrugën nga poshtë sipër. Domethënë, infeksioni urinar zakonisht shkaktohet nga mikrobet të cilat janë të depozituara në zorrën e trashë, për shkak të kalimit nga poshtë sipër shkon në fillim në vezikën urinare dhe jep një cistit, i cili është shumë herë më i diagnostikueshëm te femrat dhe ka më shumë shenja, ndërsa te meshkujt rrallë herë është i diagnostikueshëm sepse nuk jep shumë simptoma. Nëse ky nuk kurohet, atëherë infeksioni në bazë të virulencës që kanë mikrobet (se mikrobet kanë disa zgjatime të cilat kapen në mukozat e rrugëve urinare) ngjitet sipër, pavarësisht se urina vjen poshtë. Ato shkojnë deri në veshka duke shkaktuar infeksione të indit renal, të ashtuquaturat pielonefrite, që mund të jenë akute ose kronike.
Janë inflamacione të mishit, të tulit të veshkës, të cilat nëse nuk mjekohen mirë shkaktojnë cikatrizim (sklerotizim). Ai indi i shëndoshë, ajo pjesa e prekur nga inflamacioni shndërrohet nga një ind normal në një ind cikatricial që nuk ka asnjë funksion. Mirëpo vatrat të cilat janë të lokalizuara në veshkë, shtohen nëse infeksioni nuk mjekohet mirë dhe e nxjerrin veshkën jashtë lojës. Nxjerrin nefronet funksionuese gjithmonë e më shumë jashtë loje derisa fillon insufiçenca renale.
Kistet në veshka janë dy llojesh:
Janë kiste të fituara dhe kiste me origjinë hereditare (të trashëguar). Sëmundja e trashëguar e kisteve renale është një sëmundje që përbën afërsisht 5-10% të insuficencave renale. Në qendrat e dializës 5-10% e të sëmurëve në dializë janë me veshka polikistike, e kanë origjinën nga veshkat polikistike. Janë të trashëguara. Zakonisht trashëgohen nga prindi, ne themi sipas trashëgimisë autosomale dominante, domethënë nga prindi te fëmija. Mundësia e transmetimit të këtyre kisteve është 50%. Nëse nëna është e sëmurë me kiste të trashëguara, nëse bën 4 fëmijë, 2 fëmijë sëmuren nga kistet dhe dy fëmijë të tjerë nuk sëmuren. Këta që sëmuren, ia trashëgojnë fëmijëve të tyre në shansin 50%. Dy e kanë, dy nuk e kanë. Ky është propabiliteti i kalimit. Por kjo është një sëmundje që mund të kapet herët me studime gjenetike. Dhe e paralajmëron nënën. Në mënyrë që të lindë fëmijë të shëndoshë.
Cilat janë problemet e veshkave të shprehura më shumë te meshkujt?
Meshkujt në dy ekstremet e jetës kanë më shumë propabilitet të sëmuren nga veshkat. Ndërsa femrat sëmuren më shumë të moshën e mesme: 20-40 vjeç, për shkak të ndërtimit anatomik të rrugëve urinare te femrat, ku mundësia e hyrjes së infeksionit është më e madhe.
Te meshkujt, në moshën e tretë mbi 65 vjeç për shkak të zhvillimit të hipertrofisë së prostatës, urina grumbullohet në vezikën urinare dhe bëhet shkak për infeksione dhe sëmundje të veshkave.
Prostata a sjell komplikacione edhe në veshka?
Shkaku kryesor i të sëmurëve (meshkuj) me veshka në moshën e tretë është hipertrofia e prostatës. E cila është shumë e shpeshtë. Domethënë, në moshën mbi 60 vjeç, mbi 70% e meshkujve kanë prostatën e zmadhuar. Trajtimi i prostatës bëhet në fillim me ilaçe, të cilat zvogëlojnë përmasat e prostatës, ose ilaçe që lirojnë kanalin ku kalon urina. E lirojnë kanalin dhe i sëmuri nuk ka shqetësim. Ose bëhet me operacion.
Doktor, cilat janë disa nga simptomat më të shprehura që u tregojnë pacientëve se problemi është me veshkën?
Një i sëmurë që eksplorohet për problemet e veshkave që në fillim duhen bërë dy analiza kryesore të cilat janë hapi i parë: analiza e urinës komplet dhe analiza e keratininës në gjak. Nëse bën analizën e urinës, aty mund të përcaktosh nëse ke ose jo infeksion urinar, ke apo jo albuminë në urinë, ke apo jo gjak në urinë. Dhe analiza e keratininës, e dyta është shumë e rëndësishme, sepse tregon nëse je ose jo me insufiçencë renale. Nëse keratinina është pak e rritur, qoftë edhe pak mbi normë, atëherë tregon se je me insuficencë renale. Nëse kjo është e qëndrueshme atëherë kjo ka një prirje që me kalimin e kohës do të rritet progresivisht. Mjekimi mund ta vonojë progresionin e insuficencës renale, por nuk e ndalon dot. Kjo është fatkeqësi./ Shendeti.com.al




