Megjithëse shumë projekte të energjisë së rinovueshme janë projekte të mëdha, teknologjitë për energjitë e rinovueshme i përshtaten edhe zonave rurale dhe të largëta, ku energjia është shpesh vendimtare për zhvillimin e njerëzimit
Eglantina Bardhi
Është e rëndësishme që me pak energji të bësh të njëjtën gjë apo më shumë. Kjo do të thotë ta kursesh atë apo në terma të tjerë mund ta quajmë eficiencë të energjisë. Për gazetën “Shëndet+”, dr. ing. Besim Islami, konsulent energjie, flet lidhur me faktin se pse kjo eficiencë është e rëndësishme dhe se si ajo mund t’i bëjë njerëzit të kursejnë më shumë, por edhe të ndikojë në ekonominë shqiptare duke e bërë atë më efektive dhe më konkurrente me ndërmarrjet rajonale.
Çfarë do të thotë eficiencë e energjisë?
Kursimi i energjisë do të thotë të mos ngrijmë në errësirë – me fjale të tjera të realizojmë plotësisht komfortin tonë në familjet tona (të mos ngrijmë dhe të mos rrimë në errësirë) dhe njëkohësisht kemi mundësi të kursejmë energji. Synimi bazë do të jetë rrisim kursimin e energjisë duke ruajtur komfortin normal dhe në të njëjtën kohë të kemi kursim energjie dmth kursim parash! Kursimi do të vazhdojë të ndihet akoma edhe më shumë sa më shumë të rriten çmimet e burimeve energjetike.
Eficienca e energjisë (EE) do të thotë të bësh të njëjtën gjë ose më shumë, me më pak energji dhe ka një vend të rëndësishëm në të gjithë sektorët e ekonomisë: industri, transport, shërbime, bujqësi. Përmirësimi i EE i referohet reduktimit të energjisë së përdorur për një shërbim të dhënë (ngrohje, ndriçim, etj.) ose aktivitet të caktuar industrial. Reduktimi i konsumit të energjisë, zakonisht, shoqërohet me ndryshime teknologjike gjë që do të sjelli reduktim të kostos së prodhimit dhe qenien me kompetitiv të ndërmarrjes në sektorin përkatës.
Çfarë do të thotë energji e rinovueshme?
Energjia e rinovueshme (ER) është energjia që vjen nga burime natyrore të tilla si drita e diellit, uji, biomasa, era, shiu, baticat, valët dhe nxehtësia gjeotermike. Kjo lloj energjie ndihmon në kursimin e burimeve jo të rinovueshme të energjisë (qymyri, nafta, gazi natyror, etj.) për gjeneratat e ardhshme. Megjithëse shumë projekte të energjisë së rinovueshme janë projekte të mëdha, teknologjitë për energjitë e rinovueshme i përshtaten edhe zonave rurale dhe të largëta, ku energjia është shpesh vendimtare për zhvillimin e njerëzimit (p.sh. energjia elektrike e prodhuar nga energjia diellore në zonat pa akses në rrjetin e energjisë elektrike).
A kanë filluar njerëzit në Shqipëri të përdorin eficiensën e enegjisë në banesat e tyre?
Energjia është përdorur me eficencë edhe më parë Shqipëri. Por niveli i penetrimit ka qenë i vogël, pasi çmimet e energjisë kanë qenë të ulta (nuk kanë pasur nxitje për të kursyer energjinë) dhe niveli i ndërgjegjësimit gjithashtu ka qenë i ulët. Me kalimin e viteve në Shqipëri lindi fenomeni i mospagesës së energjisë elektrike që solli edhe një shfrytëzim akoma më të vogël të teknologjive eficiente.
Në 3-4 vitet e fundit IFC-ja dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare kanë financuar ndjeshëm për futjen e teknologjive eficiente dhe për ndërgjegjeëimin e publikut për rritjen e eficencës së energjisë. Një punë shumë të madhe kanë bërë në këtë drejtim edhe nëpërmjet stabilizimimit të programeve të kreditimit eficentë të energjisë. Në këtë drejtim tashmë janë stabilizuar programet kreditimit të eficencës së energjisë nga ana e IFC-së me bankat “Credins”, “Societe General Albania”, “Fondacionit Besa”, “ProCredit”, BKT.
Sa e rëndësishme është përdorimi i eficiensës së energjive të rinovueshme dhe eficiencës së energjisë?
Shqipëria prodhon vetëm 72% të furnizimit të saj me energji. Pjesa më e madhe (82%) vjen nga importet e energjisë, të cilat ndikojnë negativisht në deficitin tregtar të vendit në nivel ndërkombëtar. Intensiteti energjetik është treguesi kryesor i eficiencës së energjisë në ekonominë e një kombi. Ai llogaritet si një raport i konsumit të energjisë për njësi të GDP-së. Rrjedhimisht, intensiteti energjetik i lartë tregon një kosto të lartë prodhimi për njësi të GDP-së. Intensiteti energjetik i Shqipërisë është rreth dy herë më i lartë sesa mesatarja e vendeve të BE-së.
Sektori rezidencial konsumon rreth 24% të energjisë në Shqipëri, që është më pak se sektori i transportit (38%) dhe më shumë se sektori i industrisë (15%), sektori i shërbimeve (9%) dhe sektori i bujqësisë (5%). Burimet kryesore të energjisë për sektorin e banesave janë: 53% energjia elektrike; 28% biomasa/drutë; 10% vajguri dhe energjia diellore dhe 9% dizeli dhe LPG-ja.
Më sipër janë përmendur disa nga parametra bazë pse është e rëndësishme kursimi energjisë në nivel kombëtar. Kursimi i energjisë në radhë të parë do të sjellë rritje komforti, kursim energjie, kursim parash, zvogëlim të kostos së prodhimit nëpër fabrika, ulje të intensitetit energjetik, reduktim të gazeve me efekt serë. Nga ana tjetër kjo do të bëjë që vendi ynë të plotësojë direktivat europiane të energjisë 20:20:20:20. Kjo direktivë kërkon që çdo vend anëtar dhe kandidat i BE-së (përfshi edhe Shqipërinë si anëtare e Komunitetit të Energjisë) në vitin 2020 të jetë 20% më shumë eficente, 20% më shumë penetrim të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe 20% më pak gaze me efekt serë të emetuara në atmosferë.
A mund të na jepni disa shembuj konkretë dhe të thjeshtë se si njerëzit mund të kursejnë falë eficiensë së energjisë dhe energjive të rinovueshme?
Energjia mund të kursehet në radhë të parë në familjet/shtëpitë/apartamentet tona dhe disa nga masat më të rëndësishme mund të jenë: të përdorim ndriçim natyral, të fikim dritat në hapësirat/dhomat që nuk qëndron njeri; të përdorim llamba eficente; të termoizolojmë muret e jashtme, çatinë/tarracën, dyshemenë; ndërrimin e dritareve të vjetra me një xham në ato plastike me dy ose me tre xhama; futjen e sistemeve qendrore të ngrohjes me palete; futjen e sobave eficente me dru zjarri; futjen e sistemeve të paneleve diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë; blerjen e të gjitha pajisjeve elektroshtëpiake me etiketë A apo të kategorive më të larta etj.
Kursimi i energjisë mund të bëhet në shkolla, spitale, fabrika dhe në çdo sektor tjetër të ekonomisë. Të njëjtat masa të përmendura më sipër mund të zbatohen kudo dhe kjo do të sjellë kursime të mëdha të buxhetit për ndërtesat publike dhe ulje të kostos për bizneset private. Kjo është e vetmja mundësi që do ta bëjë ekonominë shqiptare më efektive dhe më konkurrente me ndërmarrjet rajonale.
Për më tepër informacion
Përdorimi eficent i energjisë në banesa dhe kredidhënia bankare për investime në banesa janë dy çështje tepër të rëndësishme për të cilat do t’i gjeni përgjigjet në faqet e gazetës “Shëndet Plus” si dhe në portalin e kësaj gazete ëëë.shëndeti.com.al. Aty mund të klikoni dhe të shkoni direkt në marrjen e informacioneve të plota lidhur me eficencën e energjisë dhe mënyrën se si mund të merrni kredi për ta realizuar një gjë të tillë. Lehtësisht do të gjeni informacionin e kërkuar dhe në faqen e internetit të Shoqatës së Bankave www.aab.al.
Kjo faqe interneti informuese për publikun është bërë e vlefshme me mbështetjen e Projektit të Eficensës së Energjisë në Banesa të IFC-së.


