“Të Stela Resort”/ Rehabilitim përmes fizioterapisë në ujë

Bisedoi Elona Tereziu

Fizioterapia njihet si një ndër format më të mira trajtuese që ndihmon në rikuperimin e shpejtë të personave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të kockave, atyre neurologjike, lëndimeve sportive, aksidenteve e sëmundjeve muskulore.

Ajo bëhet më efektive veçanërisht nëse realizohet në ujë, për shkak të reduktimit të forcës së gravitetit, çka bën që ushtrimet të realizohen më me lehtësi dhe pa dhimbje.

Përfitimet e saj janë të shumta, duke qenë se kundërveprimi i gjymtyrëve me ujin bën që të vihen në lëvizje të gjithë muskujt njëkohësisht, e megjithatë në Shqipëri aplikohet shumë pak si shërbim.

Sajmir Manaj, “Te Stela Resort”, shpjegon për gazetën ‘Shëndet +’ rëndësinë e aplikimit të saj dhe sëmundjet ku është më efektive.

Çfarë është fizioterapia në ujë?

Fizioterapia në ujë, ose ndryshe hidroterapia, është një metodë trajtimi gjatë së cilës përdoret efekti i favorshëm i ujit mbi gjendjen e përgjithshme të organizmit.

Kur trupi hyn në kontakt me ujin, për shkak të forcës së gravitetit pesha reduktohet dhe për rrjedhojë ushtrimet bëhen më lehte dhe njëkohësisht të gjithë muskujt vihen në lëvizje. Pra, ka efekt lehtësues në lëvizje për shkak të forcës së gravitetit. Vetë uji ndikon duke ushtruar presion mbi gjymtyrët, muskujt, lëkurën pasi personit i duhet të kundërveprojë me rezistencën e ujit.

Cilët janë përfitimet e fizioterapisë në ujë?

Fizioterapia ujore mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve, të nxisë relaksimin, të mobilizojë nyjet, të forcojë muskujt, të zhvillojë ekuilibrin dhe koordinimin, dhe të përmirësojë aftësitë e përgjithshme.

Në çfarë patologjish rekomandohet?

Ka një sërë sëmundjesh që mund të rehabilitohen përmes fizioterapisë, veçanërisht asaj në ujë. Më saktë unë do thosha që fizioterapia në ujë është efektive në çfarëdolloj patologjie që ka nevojë për t’u rehabilituar përmes lëvizjes.

Disa nga këto patologji mund të përmendim: skoliozën, hernien, patologjitë e shtyllës kurrizore, patologjitë e kolonës vertebrale, lëndimet sportive, rastet neurologjike, paralizat cerebrale etj.

Sa herë në javë duhen ushtruar këta persona?

Varet nga lloji i patologjisë dhe gjendja shëndetësore e personit, pra sa të nevojshme e ka dhe sigurisht sa i gatshëm është për të bashkëpunuar.  Në rastin e skoliozës, unë do të rekomandoja të ishte e përditshme, deri në një korrigjim të plotë të pjesës që është devijuar nga qendra.

E rëndësishme është të theksojmë se, për një disiplinë më të mirë dhe për të arritur rezultate të shpejta, ushtrimet duhen kombinuar, pra jo vetëm fizioterapi në ujë, pacienti duhet të ushtrohet edhe  jashtë saj/vetë në shtëpi.

Aktualisht sa persona janë të regjistruar ‘’Te Stela’’dhe me çfarë problemesh janë paraqitur ata?

Aktualisht kemi të regjistruar katër persona, por duhet theksuar se jemi vetëm në ditët e para. Të katërt kanë probleme të ndryshme. Rasti i parë ka një kontrakturë muskulore në pjesën e shpatullës. Kjo vjen si pasojë llojit të punës që ai bën, pasi kryesisht këtë problem e kanë personat që qëndrojnë gjatë ulur, ose punojnë para kompjuterit.

Rasti tjetër është një zonjë e cila ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e kaviljes dhe midis shputës së këmbës. Dy rastet e tjera pastaj, njëri ka probleme me skoliozën dhe njëri me artikulacionin sakoiliak./ Shendeti.com.al

Për çdo interesim në lidhje me këtë artikull, ju lutemi të kontaktoni “Te Stela Sport Center” në 067 20 333 10, http://testela.al/al/sport-center/ ose në Facebook: “Te Stela Resort”

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën