Moisiu: Të futet edukata seksuale në sistemin 9-vjeçar. Po ulet mosha e shtatzënisë në zonat rurale dhe po ngrihet në zonat urbane
Esido Barkaj
Statistikat e spitaleve gjinekologjike publike të vendit flasin për një rritje të numrit të aborteve ku nënat janë nën moshën 18 vjeç. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +”, Rubena Moisiu, drejtore e spitalit obstestrik-gjinekologjik “Koço Gliozheni” shprehet se këto aborte zënë rreth 5% të numrit total gjatë një viti.
Një tjetër shqetësim, sipas Moisiut, janë edhe abortet selektive. Ajo thotë se mungesa e statistikave është problematike, pasi shumë prindër që nuk duan vajza u drejtohen klinikave private për të bërë aborte në tremujorin e dytë të shtatzënisë, periudhë në të cilën aborti është i ndaluar me ligj.
Doktoreshë, Shqipëria ka marrë vërejtje për sa i përket aborteve selektive? Si paraqitet situata në vend?
Problemi i abortit selektiv është shumë i gjerë dhe nuk është i lidhur vetëm me institucionin ku unë punoj. Madje, është i lidhur më shumë me struktura jashtë institucioneve publike. Megjithatë, mbetet problematike për vendin tonë, madje përfshin rajonin e Kosovës dhe trevat shqiptare të Maqedonisë. Ky është një problem, i cili u evidentua nga Këshilli i Europës në bazë të statistikave dhe të demografisë që ato disponojnë nga INSTAT-i. Atyre iu rezultoi që në Shqipëri për 100 femra të lindura ishin 112 meshkuj të lindur. Është një raport jonormal.
Sipas Këshillit të Europës, raporti duhet të jetë 100 femra me 105 meshkuj. Ky raport jonormal nuk ishte vetëm për një vit. Pasi mund të ndodhë rastësia që në një vit mund të lindin më shumë meshkuj. Ky ishte një raport që kishte vite që ishte instaluar, por më tepër dhe më keq akoma vinte edhe në rritje. Unë kam një shifër që shpresoj ta mbaj mend mirë, e cila është dhënë nga INSTAT-i, ku sipas cencusit të fundit ky raport është 100 me 116. Pra, kemi një tendencë rritjeje.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Shëndet+”)


