Kivi është mbreti i frutave. Sipas një studimi japonez, kivi ia kalon edhe mollës kur është fjala për frutat më të shëndetshme. Japonezët sugjerojnë se tashmë është koha për proverbin “një kivi në ditë e mban mjekun larg”. Sipas studimit të publikuar në “Buletinin Biologjik dhe Farmaceutik”, kivi lufton me efikasitet plakjen qelizore, falë nivelit të lartë të substancave antioksidante që ka në përbërje, një nivel që e kalon dukshëm edhe atë të agrumeve.
Ekspertët japonezë të Universitetit të Tokios kanë përdorur vullnetarë, të cilëve u kanë kërkuar të konusmojnë tre kivi në ditë. Pas monitorimit të këtij ndryshimi të dietës ushqimore, dhe në mënyrë të veçantë matjes së nivelit të antioksidantëve të quajtura polifenole, në urinën e tyre, ata nxorën përfundimin se kivi është një ndër frutat që kanë rol të dukshëm në luftën kundër plakjes së qelizave.
Për më tepër, kivi luan rol parandalues edhe në sëmundje të rënda që kanë të bëjnë me plakjen e qelizave, si sëmundjet e karakterit degjenerativ si Parkinsoni apo Alzajmeri.


