Me verën fillon në tavolinë lufta kundër celulitit. Që nuk do të thotë të hash më pak, por të hash ushqime që e luftojnë atë. Siç dihet, celuliti nuk është i lidhur detyrimisht me mbipeshën; shfaqet madje edhe në femrat e dobëta dhe sportive. Një sërë faktorësh ndikojnë në shfaqjen e celultit; faktorët endokrinë, mjedisorë dhe të stilit të jetesës. Këta faktorë përcaktojnë ngadalësimin e qarkullimit të gjakut që shkakton për
pasojë mbajtjen e lëngjeve në indet intersticiale të qelizave. Për këtë arsye dy janë objektivat e një forme të ushqyeri anticelulit: të përmirësojë qarkullimin e gjakut dhe të eliminojë lëngjet e tepërta.
Në listën e pazareve tuaja nuk duhet të mungojnë:
- Ushqimet e pasura me flavonoide që favorizojnë qarkullimin mikrokapilar të gjakut dhe që forcojnë muret e enëve të gjakut. Flavonoidet janë përbërje kimike natyrale të gjendura në bimë e fruta të ndryshme, të njohura për cilësitë e tyre antioksidante. Njihen gjer më sot, 5000 lloje të ndryshme flavonoidësh, që ndihmojnë organizmin të luftojë radikalet e lira, përgjegjëse për plakjen qelizore dhe origjinën e shumë sëmundjeve kronike degjenerative. Për të shtuar sasinë e flavonoideve në dietën tonë, duhet të shtojmë racionin e frutave dhe përimeve (sidomos atyre me ngjyrë të errët blu-manushaqe).
- Kështu që konsumoni sa më shumë patëllxhanë, lakër të kuqe, frutat e pyllit, luleshtrydhet, qershitë dhe kumbullat. Sasitë ideale të këshilluara janë 400 gramë fruta në ditë (pothuajse 3 fruta) dhe 200 gramë perime në çdo vakt. Në pije flavonoidet mund t’i gjeni në çajrat e ndryshëm, në kafe dhe në verën e kuqe. Gjithashtu, i gjejmë edhe tek çokollata dhe tek vaji i ullirit, por bëni kujdes me konsumimin e tepërt të tyre.
Ushqimet që përmbajnë kalium, pasi kaliumi lufton veprimin e kripërave dhe favorizon drenimin e organizmit. Përpiquni të fusni në dietën tuaj bajamet, bishtajoret, salcën e domates, kajsitë, kërpudhat, patatet, rukolën, miellin e sojës, drithërat integralë, shafranin, rrushin e thatë etj.- Ushqimet me përmbajtje të lartë fibre që kanë fuqi pastruese, sepse ndihmojnë dhe nxisin procesin e tretjes, duke bërë të mundur nxjerrjen jashtë organizmit të mbeturinave trupore.
- Ushqime të pasura me vitamin C, e vyer për muret kapilare, si: agrumet, kivit, luleshtrydhet, brokoli, domate, radhiqe, lakra të egra etj.
- Ushqime që favorizojnë mikroqarkullimin: gështenjë kali, tërfil i ëmbël, fshesë kasapi etj (bimë të cilat mund të përdoren për përgatitjen e çajrave me efekt kullues)
- Ushqime me cilësi diuretike, si: ananasi, shalqiri, angjinaret, kastraveci, radhiqet, finoku, pjepri dhe pjeshkat
Mos harroni të praktikoni gjithashtu këshillën e vjetër: pak kripë dhe shumë ujë.
Përshtati në shqip: Eni Mjeshtri


