Del ekspertiza/ Zbulohet shkaku i helmimit në mitingun e PD-së

Instituti i Mjekësisë Ligjore e konsideron të zbuluar shkakun e helmimit masiv që ndodhi tek 76 qytetarë mbështetës të opozitës, në mitingun hapës të fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 qershorit në Tiranë.

Mjekësia Ligjore ka dorëzuar në prokurori aktin e ekspertimit në lidhje me problemet shëndetësore të 76 protestuesve përfshi edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha që mori ndihmë mjekësore 7 orë pas mitingut hapës të fushatës elektorale.

“Probabiliteti më i lartë për problemet shëndetësore të konstatuara tek 50 mostrat e marra në analizë është që ato të jenë shkaktuar si pasojë e rrezatimit të prozhektorëve si pasojë e qëndrimit nën këtë efekt për 2-3 orë”, thuhet ndër të tjera në aktin e ekspertimit të Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit thonë se mjekësia ligjore e ka bazuar ekspertimin në analizimin e të dhënave nga mostrat e marra tek 50 shtetas nga totali prej 76 personash që u patraqitën me shqetësime në spital (QSUT).  Personat u paraqitën në urgjencë më 28 maj, një ditë pasi kishin marrë pjesë në hapjen e fushatës së opozitës më 27 maj 2017 në Tiranë.

Prokuroria e Tiranës mësohet se e ka administruar në dosje këtë dokument, ndërsa është në pritje të mbërritjes së analizave nga Gjermania ku është kërkuar me letërporosi, një ekzaminim më i thelluar për shkakun e shqetësimeve shëndetësore që shfaqen protestuesit e opozitës.

Vetëm 7 orë pas pjesëmarrjes në tubimin e zhvilluar në bulevardin tek kryeministria, 230 persona përfshi edhe kryetarin e PD Lulzim Basha, u paraqitën me simptoma të skuqjes, enjtes dhe irritimit në fytyrë, në kokë dhe në qafë. Disa prej pjesëmarrësve kishin skuqje e irritim edhe në pjesën e krahëve.

Pak javë më parë në prokurori mbërriti edhe një përgjigje e organeve të specializuara të ushtrisë shqiptare e cila theksonte se një ditë pas mitingut të PD, në bulevard nuk janë gjetur mostra lëndësh kimike apo ushtarake helmuese.

Ushtria u përfshi në hetimin e rastit bashkë me policinë, prokurorinë dhe SHISH-in pas dyshimeve për një akt të mundshëm sabotazhi.

Prokuroria po i vazhdon hetimet për këtë rast me akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore dhe ndotjes së ambientit deri në mbërritjen e përgjigjes së analizave shkencore të kërkuara në Gjermani në lidhje me shkakun e problemeve shëndetësore që u shkaktuan tek rreth 230 protestues të PD.

Policia aludoi që në fillim për efekte të shkaktuara nga prozhektorët, madje disa prej tyre u sekuestruan por përfaqësuesit e kompanisë paraqitën dokumente për cilësinë e pajisjeve dhe për përdorimin e ndriçuesve në aktivitete të tjera si mitingje partish apo koncerte ku nuk ishte raportuar asnjë problem shëndetësor tek pjesëmarrësit./ Panorama

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet