Shumë pacientë të cilët vuajnë nga sëmundjet e zemrës ose kanë pasur ndonjë formë të hemorragjisë cerebrale, nuk i pinë ilaçet siç rekomandohet. Një studim tregon se pacientët e ndërpresin pirjen e ilaçeve vetëm tri muaj pasi kanë pasur hemorragji. Një studim i ri në Britaninë e Madhe thotë se, nëse pacientët me sëmundje zemre pinë një tabletë në vend të disa tabletave, ata ka më shumë të ngjarë të vazhdojnë ta marrin ilaçin që u është dhënë.
Pacientët që rrezikohen nga infarkti apo hemorragjia cerebrale marrin disa ilaçe. Disa mund të shërbejnë për uljen e tensionit, disa mund të kontrollojnë nivelin e kolesterinës. Ndonjë ilaç tjetër u jepet për të parandaluar infarktin.
Henrik Puz ka tension dhe diabet. Ai mori pjesë në një studim për të parë nëse do të ishte më mirë që të pakësonte numrin e ilaçeve..
“Pija disa ilaçe që shkonin deri shtatë tableta në ditë”.
Dr. Simon Tom i Institutit Kombëtar të Zemrës dhe Mushkërive në Kolegjin Mbretëror të Londrës, e dinte se ishte e vështirë për pacientët t’i pinin të gjitha ato ilaçe.
“Ne e dinim se kishte mangësi të mëdha në kujdesin shëndetësor dhe në përdorimin e ilaçeve parandaluese, veçanërisht në vendet me të ardhurat më të ulta”.
Dr. Tom udhëhoqi një studim që përfshinte 2000 pacientë. Pothuajse 90 përqind e tyre kishin pasur hemoragji cerebrale ose sëmundje zemre. 10 përqindëshi tjetër ishin në rrezik për t’u prekur nga probleme të tilla. Gjysma e pacientëve pinë çdo ditë një ilaç të quajtur politableta, që përmbante elemente për uljen e tensionit dhe ilaçe të tjera si aspirina për parandalimin e mpiksjes së gjakut. Pacientët e tjerë u këshilluan të vazhdonin me ilaçet që pinin rregullisht.
“Nga fundi i testimit më shumë pacientë pinin një dozë të caktuar poli-tablete se sa ata në grupin me ilaçet që pinin rregullisht”.
Pacientët që pinin politabletën shënuan përmirësim të dukshëm në mbajtjen nën kontroll të tensionit dhe të kolesterinës. Dr. Pycz thotë se ai mësoi gjithashtu diçka tjetër, duke marrë pjesë në studim.
“Kjo më ndihmoi të kuptoja se mbajtja nën kontroll e numrit të ilaçeve është me rëndësi. Politableta do të thotë të pish gjithmonë të njejtën dozë të kombinuar”.
Dr. Tom thotë se studimi nxori në pah ndërlikime të mëdha, sidomos për ata që nuk i pinin ilaçet rregullisht.
“Politableta krijon mundësi të mëdha për të pirë rregullisht të gjitha dozat e ilaçeve dhe kështu efekti i tyre është më i madh”.
Dr. Tom thotë se kjo ndodh për arsye se ata që në fillim të studimit kishin prirjen të mos i pinin rregullisht të gjitha ilaçet, me këtë politabletë i pinin të gjitha ato që u kishte këshilluar mjeku.
Studimi u botua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjeksisë. (VOA)


