Skleroza multiple, sipas specialistëve, është më e shprehur tek moshat e reja. Kryesisht prek 20-40-vjeçarë dhe haset më shpesh tek femrat në raportin 3 me 1. Ndërkohë që, sipas ndarjes gjeografike, rezulton të jetë më e shprehur tek popujt e bardhë. Përsa i përket prevalencës në vendin tonë rezulton të jetë 10.3-12.5 raste për 100.000 banorë.
Matilda Meta, mjeke neurologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.1 në kryeqytet, tregon më tepër lidhur me këtë sëmundje, shenjat klinike, mënyrat diagnostikuese, trajtimi, si dhe pse shpeshherë pacientët e ngatërrojnë me sëmundje të tjera.
Çfarë është skleroza multiple ( e shumëfishtë)
Skleroza multiple ose, siç njihet ndryshe, skleroza e shumfishtë, është një sëmundje kronike rekurente neurologjike që prek sistemin nervor qendror. Sëmundja prek disa funksione të neurologjike duke dhënë një klinikë shumë të larmishme me prekje të funksioneve motore (preken lëvizjet e vullnetshme dhe ato cerebrale), prekje të nervave kraniale, prekje të sfinkterave etj.
Në bazë të klasifikimit, skleroza multiple ndahet në 4 forma kryesore.
1-Forma e parë (RRMS-relapsin/remitting Multiple Sclerosis), është forma më e shpeshtë dhe 80-90% e rasteve vijnë në fillim të sëmundjes me këtë formë.
2-Forma e dytë (SPMS- secondaryprogressive MS) është e ngjashme me formën e parë, por në një pikë ndryshon. Sipas studimeve, 15 vjet pas shfaqjes së sëmundjes 15% e këtyre pacientëve, kanë nevojë për asistencë në lëvizje.
3-Forma e tretë, forma progressive primare (PPMS-primary progressive MS), takohet në 10% të rasteve dhe paraqet një rëndim të vazhdueshëm, por pa atake.
4-Forma e katërt, forma progresive me keqësime (PRMS-progressive relapsing MS), fillon gjithashtu me një ecuri progresive, por vërehen edhe atake keqësimi që i mbivihen këtij rëndimi.
Me çfarë shenjash klinike shfaqet skleroza?
Shenjat klinike janë të larmishme, sepse varet nga zona e dëmtimit, mund të fillojë me një shenjë e cila shumë shpejt mund të zhduket, por në mënyrë të përmbledhur një sklerozë multiple mund të shfaqet me dyfishim pamje, humbje ekulibri, vështirësi në ecje (paraparezë spastike), mpirje të gjysmës së trupit, çrregullime sfikikteriane të urinimit etj. Harresa haset më pak, por ajo që më ka bërë përshtypje mua, sidomos tek moshat e reja, është humori. Vijnë me një gjenjde të rënduar psikologjike.
Cila është mosha më e riskuar?
Skleroza multiple është më e shprehur tek moshat e reja. Kryesisht prek 20-40 vjeçarët, dhe më shumë femrat në raportin 3 me 1 (nuk dihet arsyeja se pse). Por edhe sipas ndarjet gjeografike, rezulton të jetë më pak e shprehur tek popujt me ngjyrë, kryesisht e hasim në Veriun e Evropës, Zelandën e Re, dhe Amerikën e Veriu.
Përsa i përket vendit tonë, sipas një raporti të disa viteve më parë, prevalenca e sëmundjes rezulton të jetë 10.3 raste në 1000 banorë-12.5/1000 banorë.
Pse haset gjithnjë e më shumë tek moshat e reja?
Sepse është shtuar diagnostikimi! Dikur thoshim që preken vetëm 40-vjeçarët, ndërsa tani po haset gjithnjë e më shpesh tek moshat e reja. Është bërë shumë normale të dignostikohet me sklerozë multiple edhe një 20-vjeçar, por kjo nuk ka të bëjë me uljen e moshës se sa me dignostikimin e hershëm. Ne sot diagnostikojmë shumë shpejt. Kemi neurologë të specializuar në shtim, që dyshojnë klinikisht, dhe kemi rezonancën që na e konfirmomon radiologjikisht.
Pra, kjo nuk do të thotë që parë nuk ka pasur sklerozë multiple tek moshat e reja, por nuk ka pasur diagnostikim, diagnostikimi behej vetëm klinikisht. Futja e rezonancës ishte një revolucion në mjekësi.
Si diagnostikohen pacientët me sklerozë multiple?
Diagnoza e kësaj sëmundjeje vihet në radhë të parë duke u bazuar tek shenjat e sëmundjes, e sidomos në veçoritë klinike të saj , që ne neurologët e quajmë shpërndarje e shenjave në hapësirë e në kohë. Por natyrisht ka edhe ekzaminime plotësuese, ndër të cilat më e rëndësishme është “Rezonanca Magnetike”. Megjithatë në 1% të rasteve ky ekzaminim mund të jetë normal dhe pacienti të jetë me sklerozë të shpërndarë. Ndër ekzaminimet e tjera mund të përmendim analizën e lëngut truno-shpinor e potencialet e evokuara. Megjithatë duhet të theksojmë se ky nuk është trajtim që meret në shërbim ambulator. Ne këtu thjesht i ndjekim për të parë se si është gjendja.
Si realizohet mjekimi i pacientëve me sklerozë multiple?
Mjekimi më përpara ka qenë me kortikoterapi që kombinohej me antiinflamator, ndërsa me futjen në treg të rezonancës dhe interferonit, tashmë sëmundja jo vetëm që kapet në kohë, por dhe trajtimi është më i mirë dhe për rrjedhojë edhe rezultatet janë të tilla. Interferoni është një mjekim shumë efikas sidomos tek dy format e para të sklerozës multiple. Përsa i përket rregullit të mjekimit me interferon ato nuk janë të përcaktuara/ varen nga ecuria e sëmundjes, mund të jetë një herë në 6 muaj, një herë vit, dy etj.
Duke qenë se simptomat janë të larmishme dhe shfaqen me periudha të shkurtra në kohë, a e ngatërrojnë pacientët me sëmundje të tjera?
Po, ndodh shpesh. Për shembull shkojnë tek reumatologu për dhimbje mesi, ndërkohë që pacienti mund të ketë kaluar pusen (atakun) e parë e cila mund të shfaqet me pak dhimbje dhe një vështirësi në ecje për dy-tre ditë, ose e anashkalojnë fare dhe pas 6 muajsh ose një viti shfaqet puseja e dytë. Më shumë se ngatërrim, unë do të thoja që pacientët nuk e vlerësojnë sa duhet. Edhe një mpirje e gjysmës së trupit apo çrregullim i pamjes mund të jetë një shenjë e parë./ https://shendeti.com.al/