Faza e parë e Axhendës së Zhvillimit Post-2015 në Shqipëri “E ardhmja që duam” përfshiu më shumë se 5000 shqiptarë, të cilët në mënyrë aktive morën pjesë rreth temave të pabarazive sociale, punësimit të të rinjve dhe qëndrueshmërisë së mjedisit.
Zërat e të rinjve u dëgjuan në të gjithë konsultimet. Rreth 3000 shqiptarë shprehën shqetësimet e tyre nëpërmjet Anketës MYËorld2015. Tre prioritetet kryesore ishin: kujdes më i mirë shëndetësor, arsimim i mirë, mundësi më të mira punësimi.
Gjatë konsultimeve, mes të tjerash, pjesëmarrësit theksuan nevojën për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve në nivel kombëtar dhe lokal. Bashkëpunimi mes shtetit dhe qytetarëve u konsiderua kyç për të rritur efektivitetin e shtetit.
Në këtë kontekst, faza e dytë e konsultimeve është përqendruar në monitorimin pjesëmarrës dhe format ekzistuese dhe të reja të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë.
Pjesëmarrësit nga organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të qeverisë, përfaqësues të institucioneve shëndetësore në vend, diskutuan çështje që lidhen me shëndetin riprodhues me fokus kryesor në përmirësimin e kornizave ligjore dhe strategjike dhe dhënien e rekomandimeve për të forcuar mekanizmat e monitorimit.
Midis shumë rekomandimeve, sa më poshtë u konsideruan si prioritet për politikëbërësit dhe institucionet shtetërore, si edhe për shoqërinë civile dhe sektorin privat.
• Shqipëria ka nevojë të organizojë më mirë treguesit ekzistues të monitorimit për shëndetin riprodhues në përputhje me standartet e OBSH/UNFPA.
• Është e nevojshme që të rishikohen dhe përditësohet legjislacioni dhe strategjitë ekzistuese, si edhe të sigurohen fondet e nevojshme për zbatimin e programeve në fushën e shëndetit riprodhues.
• Duhet të identifikohen mekanizmat dhe mjetet e nevojshme për të mbështetur ndërhyrje të qëndrueshme që përmirësojnë shëndetin e të rinjve dhe komuniteteve rurale.
• Praktikat më të mira në fushën e shëndetit riprodhues duhet të dokumentohen dhe të ndahen gjerësisht.
• Duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme në protokollet e kujdesit shëndetësor për të adresuar nevojat specifike të adoleshentëve dhe grupeve në nevojë.
• U theksua nevoja për të përfshirë edukimin seksual dhe të shëndetit riprodhues në programet shkollore për të mundësuar zgjedhje të sakta dhe të informuara mirë në jetë.
Konsultimet do të vazhdojnë në të gjithë vendin dhe do të përfshijnë qytetarët nga të gjitha sferat e jetës.


