Në Ditën Botërore të Zemrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përuroi reanimacionin e kardiologjisë dhe hemodinamikës në QSUT, ndërsa tha se së shpejti do të ndërtohet edhe spitali i ri i sëmundjeve të brendshme.
“Reanimacioni i Kardiologjisë në QSUT është një model i mirë që duhet përhapur në të gjitha spitalet e vendit, në mënyrë që sa më shpejt të shohim atë që të gjithë duam, një shërbim sa më cilësor për qytetarët”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Ne realizuam Urgjencën kardiake 24/7, duke shpëtuar 3 mijë jetë njerëzish nga nëntori i vitit 2015. Kemi hapur edhe dy qendra të reja hemodinamike, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin Rajonal të Shkodrës. Me paketat e kardiologjisë falas në sistemin jopublik kemi diagnostikuar dhe trajtuar më shumë se 5000 procedura/vit. Por shumë ende mbetet për të bërë. Do të zgjerojmë shërbimet për sëmundjet kardiovaskulare. Së shpejti, me laboratorin e ri të hemodinamikës në Fier”, premtoi Manastirliu.
29 shtatori është Dita Botërore e Zemrës. Specialistët e sëmundjeve kardiovaskulare flasin për statistika të frikshmë përsa i takon këtyre grup sëmundjeve duke thënë se 60% e vdekjeve shkaktohen nga problemet shëndetësore të zemrës.

