Ushqimi dhe diabeti, rëndësia e dietës

 

Blerina Bombaj, dietologe

Diabeti është një sëmundje kronike dhe kërkon trajtim për gjatë gjithë jetës. Kjo sëmundje karakterizohet nga rritja e sheqerit në gjak, si pasojë e mungesës së insulinës ose paaftesisë së saj për të ulur sheqerin. Diabeti ndahet kryesisht në 2 kategori të mëdha, diabet tip 1 dhe diabet tip 2. Personat me diabet 1 nuk prodhojnë fare insulinë. Personat me diabet tip 2 prodhojnë pak insulinë ose insulina që prodhojnë nuk ka rendiment, (ose të dyja bashkë). Kontrolli i sheqerit në gjak në sëmundjen e diabetit kërkon një koordinim të mirë të sheqerit nga ushqimi me mjekimin dhe aktivitetin fizik. Monitorimi i shpeshtë është aleat i rëndësishëm në arritjen e kontrollit të mirë të glicemisë në gjak.

Çfarë është glicemia?

Karbohidratet (sheqernat) në ushqime gjenden në disa forma; të thjeshta (mono ose disakharide -me vetëm një-dy molekula sheqeri) dhe të përbëra (polisakharide-me shumë molekula sheqeri të lidhura me njëra tjetrën). Sheqeri i drithrave – amidoni është i përbërë (nga shumë molekula të glukozës të lidhura me njëra tjetrën), i frutave është sukroza, një sheqer i thjeshtë (i përbërë vetëm nga 1 molekulë fruktozë + 1 molekulë glukozë), ndërsa sheqeri i qumështit është laktoza, gjithashtu i thjeshtë, (i përbërë nga 1 molekulë galaktozë + 1 molekulë glukozë). Glukoza është sheqeri kryesor dhe më i rëndësishëm për njëriun. Pasi ne konsumojmë një ushqim që përmban sheqer, ai shpërbëhet në aparatin tretës në molekula glukoze dhe sheqerna të tjerë të thjeshtë (në varësi të përbërjes së ushqimit në sheqerna). Vetëm në këtë formë ato mund të përthithen nga aparati tretës në gjak. Sasia e glukozës që qarkullon në gjak quhet glicemi (nga greqishtja; glykozi = glukoze dhe aima = gjak). Gjaku ynë është “mjeti” transportues i oksigjenit (nga mushkritë), dhe gjithë lëndëve ushqyese (nga aparati tretës), që furnizojnë çdo qelizë të indeve dhe organeve që formojnë trupin tonë për të jetuar. Glukoza është “karburanti” kryesor i çdo qelize të trupit tonë dhe ajo transportohet nëpër qeliza nëpërmjet gjakut.

Çfarë është insulina?

Insulina është një hormon që prodhohet në pankreas pas konsumit të ushqimeve me përmbajtje sheqeri. Rritja e glukozës në gjak përbën “sinjal” për qelizat e pankreasit të prodhojnë insulinë. Roli i saj është që të hapi dyert e qelizave në mënyrë që sheqeri të kalojë nga gjaku brenda në qelizë dhe të përdoret si karburant ose të depozitohet si rezerve energjie. Në njëfarë mënyre, insulina është ajo që e kthen ushqimin në energji ose rezerva energjie që nevojiten për jetën e organizmit të njëriut. Në mungesë të insulinës, dyert janë të mbyllura dhe sheqeri mbetet jashtë qelizës duke u akumuluar në gjak. Trupi ynë prodhon sasi më të madhe insuline pas konsumit të ushqimit me përmbajtje sheqeri, ndërsa prodhon një sasi të vogël insuline ndërmjet vakteve si dhe gjatë natës, në mënyrë që sheqeri që sintetizon mëlçia dhe ai që çlirohet nga depozitat e trupit, të jetë i disponueshëm si lëndë djegëse për çdo qelizë. Trupi ynë mund të depozitojë një sasi të vogël sheqeri në mëlçi dhe muskuj, prandaj ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm sepse depozitat mbarojnë shpejt.

Si e kontrollon organizmi ynë sheqerin në gjak?

Kur ne konsumojmë ushqim me përmbajtje sheqeri, pas disa minutave ai përthithet nga aparati tretës në gjakun tonë ku dhe fillon të akumulohet dhe kërkon të futet në qeliza të shërbejë si energji për to, por qelizat e trupit të njëriut i kanë dyert e mbyllura me çelës për glukozën (sheqerin kryesor të ushqimit). Në këtë rast, çelësi për glukozen është insulina. Ajo vjen si një mori çelësash duke hapur dyert për çdo molekulë glukozë që të futet brenda në qelizë. Nëse sheqeri rritet shumë në gjak, kjo përbën një alarm për pankreasin, i cili prodhon respektivisht shumë insulinë, me rezultat që kjo e dyta ta ulë edhe më shumë seç duhet sheqerin në gjak. Duke qenë se sheqeri duhet të qëndrojë konstant në gjakun tonë, për të mbajtur situatën nën kontroll, pankreasi prodhon një tjetër hormon – të kundërt me insulinën, i cili ka për detyrë të rrisë sheqerin në gjak kur ai është i ulët. Ajo quhet glukagon dhe vepron duke nxitur sintetizimin e glukozës në mëlçi dhe çlirimin e saj nga depozitat.
Në rastin e diabetit të tipit 1, nuk ka asnjë çelës të disponueshëm për glukozën, ndërsa në rastin e tipit 2 çelësat janë me pakice ose të shtrembër dhe nuk hynë në bravë. Rezultati është hipegrlicemia – pra akumulimi i sheqerit në gjak. Mjekimi me insulinë ofron me injeksion, pikërisht këto çelësa, ndërsa mjekimi me kokrra ka disa mënyra veprimi, si p.sh., të nxisë pankreasin të prodhojë më shumë çelësa ose të bëj “bravat” e dyerve të qelizave më të lira.
Duke qenë se insulina vepron si çelës edhe për yndyrnat dhe per sintetizimin e proteinave të muskujve, mugesa e saj ose e rendimentit te saj sjell rritje të yndyrnave dhe humbje të masës muskulare.

Përse dieta është jetike?

Qëllimi i dietës është:

  • Mbajtja e glicemisë në nivelet 90 – 130mg/dl esell, 150 – 180mg/dl 2 orë pas ushqimit dhe A1c <7
  • Ulja e peshës së tepërt
  • Prandalimi dhe trajtimi i hiperlipidemisë
  • Parandalimi dhe trajtimi i hipertensionit
  • Parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve të veshkave
  • Parandalimi i komplikacioneve, rritja e cilësisë dhe gjatësisë së jetës

Kontrolli i peshës trupore, një strategji parandaluese dhe trajtuese e diabetit tip 2

Një ulje prej 7% -10% të peshës trupore ose rreth 6kg dhjamë, rezulton në përmirësim të ndjeshëm të hemoglobinës së glukozuar HgA1c, ulje të yndyrnave dhe tensionit arterial. Reduktimi i kontrolluar i ushqimit ditor (reth 500kalori më pak në ditë), mundësisht i kombinuar me aktivitet fizik, mund të përbëjë një masë parandaluese për shfaqjen e diabetit tip 2 në persona mbipeshë të predispozuar ose që janë në fazat fillestare të paradiabetit.

Ushqimi i shëndetshëm për diabetin

  • Perime
  • Drithra të plota
  • Fruta
  • Qumësht pa yndyrë
  • Fasule
  • Peshk
  • Pulë
  • Mish i kuq pa dhjam

Nuk ka një ushqim perfekt që të mund të mbulojë gjithë nevojat që organizmi i njëriut ka në lëndë ushqyese, prandaj larmia dhe kontrolli i sasisë është mjaft e rëndësishëm. Nga çdo grup ushqimesh, është mirë të zgjedhim cilësinë më të mirë, që do të thotë të zgjedhim ushqimet që ofrojnë sa më shumë lëndë ushqyese si vitamina, minerale dhe fibra.

A mund të konsumoj të njëjtin ushqim me pjesën tjetër të familjes, kur jam me diabet?

Rekomandimet e ushqimit për personat me diabet janë njësoj si edhe për personat e shëndetshëm. Gjithkush mund të përfitojë nga një ushqyerje e shëndetshme si ajo që këshillohet për diabetikët.

Si të llogaris sa sheqer më nevojitet?

Duke qenë së sheqeri duhet të ofrojë përafërsisht gjysmën e energjisë ditore, sasia e tij është në varësi të kalorive që marrim.
Nëse marrim 2000 kalori në ditë, 1000 duhet të vijnë nga sheqeri.
1gr sheqer= 4kalori, kështu:
1000kalori: 4gr/kalori = 200gr sheqer/ditë

Femrat: për të mbajtur peshën 1800 – 2400 kalori/ditë, për të rënë në peshë 1200 – 1600kalori
Meshkujt: për të mbajtur peshën 2000 – 2800kalori/ditë, për të rënë në peshë 1600 – 2000 kalori.

Një llogaritje e thjeshtuar e kalorive ditore të shpenzuara

Meshkuj: Pesha x 1kalori x 24 ore x AF
Femra : Pesha x 0,9kalori x 24orë x AF
Aktiviteti Fizik = me 1,1 për ata që nuk kanë aktivitet fizik, 1,3 për aktivitet të lehtë dhe 1,5 për aktivitet të rregullt. Nëse duam të rrëzojmë peshë, duhet të zbresim nga 500 deri në 1000 kalori në ditë nga kaloritë ditore të shpenzuara. P.sh. : 1 grua me peshë trupore 90kg, që bën jetë sedentare do ta llogarisë keshtu:

Energjia ditore e shpenzuar = 90kg x 0,9kalori x 24orë x 1,1 = 2138kalori/ditë

Kjo formulë është thjeshtë orientuese, jo të gjithë individët mund të gjejnë rezultat të besueshëm me këtë formulë. Përshembull, adoleshentët, sportistët dhe personat që vuajnë nga sëmundje të caktuara që ndikojnë metabolizmin, nuk mund të bazohen në këtë formulë për përcaktimin e shpenzimit ditor energjetik.

Yndyrnat dhe proteinat nuk shkaktojnë rritje të sheqerit, a mund ti marr pa masë?

Marrja e yndyrnave dhe proteinave duhet të jetë gjithashtu e kontrolluar dhe ekuilibruar mirë. Yndyrnat duhet të përbëjnë 30% të kalorive ditore me 1gr = 9kalori, ndërsa proteinat 15-20% të kalorive ditore ku 1gr = 4kalori. Ushqimet e yndyrshme dhe ato proteinike, vërtetë nuk kanë sheqer, por sasia dhe cilësia e tyre luajnë rol vendimtar; yndyrnat në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe hipertensionit, proteinat në parandalimin e sëmundjeve të veshkave, dhe të treja bashkë me sheqerin, në kontrollin e peshës trupore.

Yndyrnat më të shëndetshme:

  • Vaji i ullirit i shtypur në të ftohtë, ullinjtë
  • Vaji i shtypur në të ftohtë (i arrës, kungullit, avokados, lirit, lulediellit, susamit, etj)
  • Frutat e thata (arra, bajame, lajthi, kikirike, etj)
  • Farat (kungulli, luledielli, susami, liri, kerpi, etj)
  • Yndyra e peshqve të kaltër

Yndyrnat që duhet të kufizohen:

  • Yndyra e bulmetit, gjalpi, kremi i djathit
  • Margarina, pana, salca e kosit
  • Dhjami dhe pjesët e yndyrshme të mishit të kuq
  • Lëkura e pulës, e gjelit, e qengjit dhe kecit
  • Vajrat vegjetal të rafinuar, veçanërisht të përdorur me shumë se 1 herë në gatim
  • Ushqimet e skuqura

Proteinat e shëndetshme:

  • Peshku (veçanërisht peshku i kaltër)
  • Mishi i bardhë i shpendëve (pa lëkurën)
  • Gjiza, djathi i njomë i dhisë
  • Mishi pa dhjam
  • Frutat e thata dhe farat
  • Veza (të kufizohet në 3/javë nëse vuani nga hiperkolesterolemia familjare)

Proteina që duhet të kufizohen:

  • Mishi i kuq me dhjamë
  • Mishi, pula ose peshku i skuqur
  • Djathi kaçkavall, i bardhë, djathi i deles
  • Të brendshmet e gjësë së gjallë

Sheqeri i ushqimit – Sasia është shumë e rëndësishme

Nese duam te kemi kontroll mbi sheqerin në gjak, duhet të kemi kontroll shumë të rreptë të sasisë në total të sheqerit në ushqim dhe shpërndarjes së tij në çdo vakt. Sasia ditore e sheqerit në dietë nuk duhet të jetë më pak se 130gr/ditë. Për një grua e cila nuk synon të rrëzojë peshë trupore, sasia e sheqerit varion nga 250 – 300gr/ditë, ndërsa për një burrë që gjithashtu kërkon të mbajë peshën konstante, sasia e sheqerit që nevojitet është nga 325 – 375gr/ditë. Këto sasi ndryshojnë në rastin e një diete hipo ose hiperkalorike, në rastin e personave me aktivitet fizik shumë të lartë dhe në rastin e grave shtatzanë apo në laktacion.
Është shumë e rëndësishme që të mos merret as më pak e as më shumë sheqer nga sasia e nevojshme, çdo ditë. Po kaq e rëndësishme është shpërndarja e sheqerit në 5-6 vakte në ditë dhe konsumi i tyre çdo ditë në të njëjtat orë, veçanërisht për ata persona që mjekohen me insulinë. Për ta thjeshtuar konceptin e shpërndarjes së sheqerit në vakte, e shprehim atë më njësi, ku 1 njësi = 15gr sheqer. 1 njësi sheqer është ajo sasi e ushqimeve që përmban 15gr sheqer. Nisur nga sasitë ditore të sheqerit të lartpërmëndura, një grua nevojitet përafërsisht 15 njësi sheqer në ditë ndërsa një burrë mesatarisht 20 njësi sheqer në ditë. Këto njësi duhet të shpërndahen në 5-6 vakte sipas madhësisë së tyre. Vaktet kryesore duhet të përmbajnë më shumë njësi ndërsa vaktet e vogla (të ndërmjetme) më pak./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin