Keratokonus, trajtimi i sëmundjes së syve të rinj

Bisedoi: Elona Tereziu

Keratokonusi është sëmundje progresive joinflamatore dhe joinfektive e kornesë, e cila çon në ulje graduale të shikimit dhe shoqërohet me hollim të vazhdueshëm të indit korneal. Mosha më e hershme e shfaqjes së sëmundjes është  ajo mes 10 – 20 vjeç, por më tepër haset në periudhën e pubertetit, atëherë kur dhe shfaqen shenjat e para të përkeqësimit të shikimit.

Blerina Kambo, mjeke oftamologe, tregon për gazetën “Shëndet+” shkaqet e sëmundjes ku thekson se megjithëse janë akoma objekt studimi,  ka disa teori të bazuara mbi kërkimet shkencore që e lidhin atë me faktorët gjenetik, sistemin hormonal dhe kushtet mjedisore ku një mjedis me diell të fortë, ajër të ndotur dhe grimca pluhuri veprojnë si faktorë alergjik  duke shkaktuar dëmtime mekanike si rrjedhojë e fërkimit e për pasojë edhe dëmtim të kornesë.

Ndërkohë që ndalet në mënyrë të veçantë tek rëndësia e diagnostikimit të hershëm ku thekson se diagnostikimi në kohë dhe trajtimi individual në varësi të stadit të zhvillimit parandalon sëmundjen, komplikacionet, si dhe përmirëson cilësinë e shikimit tek këta pacientë.                                                    

Çfarë është keratoknus?

Keratokonusi është sëmundje progresive jo inflamatore dhe jo infektive  e kornesë ( xhamit të syrit), e cila çon në ulje graduale të shikimit dhe shoqërohet me hollim të vazhdueshëm  të indit korneal. Gjatë zhvillimit të kësaj sëmundje ndryshon anatomikisht  edhe forma e kornesë nga sferike që është në normë,  në konike tek pacientët me keratokonus.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie dhe kush janë me të riskuar?

Shkaqet ekzakte të kësaj sëmundje janë akoma objekt studimi por ka disa teori të bazuara në kërkimet e shumta shkencore mbi keratokonusin. Në shfaqjen e keratokonusit luajnë rol kombinimi i faktorit gjenetik, sistemit hormonal dhe kushtet mjedisore. Të predispozuar për shfaqjen e kësaj sëmundje janë pacientët të cilët kanë histori familjare me keratokonus ose me anomali të tjera refraksioni në veçanti astigmatizmi ose numri cilindrik në korrigjimin me syze që këta pacientë mbajnë. Grupi tjetër i faktorëve janë ata alergjikë. Mjedisi me diell të fortë, ajri i ndotur me grimca pluhuri veprojnë si faktorë alergjike dhe irritues duke shkaktuar fërkime të vazhdueshme  të syrit nga ana e pacientit që do të thotë dëmtim mekanik kronik i kornesë të syrit. Përveç këtij mekanizmi, dielli i fortë krijon radikale të lira në indin e kornesë, të cilat çojnë në dëmtim të kësaj të fundit.

Edhe sëmundje si astma bronkiale, ekzema, alergjitë ushqimore janë predispozitë për zhvillimin e keratokonusit.  Zhvillimi hormonal gjatë periudhës së pubertetit si dhe ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë janë faktorë përkeqësimi ose progresi të sëmundjes.

Ku dhe sa shpesh haset?

Sëmundja e keratokonusit ka një incidencë 1/ 2000 në popullatën e përgjithshme. Kjo shpeshtësi ndryshon dhe në varësi të popullatës dhe shpërndarjes gjeografike. Studimet tregojnë që vendet me ditë të shumta dielli  si India, Lindja e Mesme, Jugu i Evropës kanë prevalencë më të shpeshtë të keratokonusit në krahasim me vende si Danimarka, Finlanda, Rusia, Japonia dhe Amerika Veriore.  Pacientët e moshës së re janë ata që diagnostikohen me sëmundjen e keratokonusit. Mosha më e hershme e shfaqjes së sëmundjes është 10 – 20 vjet por më tepër në periudhën e pubertetit, atëherë kur dhe shfaqen shenjat e para të përkeqësimit të shikimit. Të dyja gjinitë preken pothuajse njëlloj nga kjo sëmundje por në vende të ndryshme prevalenca është po e ndryshme.

Me çfarë simptomash shoqërohet/shqetësimet e pacientit?

Simptomat e para të keratokonusit janë kryesisht turbullim i shikimit larg dhe afër si dhe vështirësi në korrigjim me syze. Pacientët me keratokonus nuk arrijnë të kenë një pamje të kënaqshme dhe të plotë me syzet që mbajnë. Një tjetër fakt është ndërrimi i shpeshtë i syzeve apo lenteve të kontaktit që vjen si rrjedhim i përkeqësimit të shikimit ose progresit të sëmundjes. Rritja e ndjeshmërisë së syve nga drita e fortë dhe dielli është një tjetër simptomë e keratokonusit. Shpesh këta pacientë qetësohen duke mbajtur syze dielli. Lotimi, skuqje e syve dhe  fërkimi i shpeshtë i tyre janë të tjera simptoma subjektive që shoqërojnë pacientët me keratokonus. Vështirësia në drejtimin e automjeteve, në veçanti natën si dhe efekti i dritave vezulluese (glare) janë të tjera simptoma të pacientëve. Dhimbjet e kokës dhe përreth syve bëhen edhe më të shpeshta tek pacientët me keratokonus edhe pse këta të fundit mund të mbajnë rregullisht syze optike dhe lente kontakti.

Si bëhet diagnostikimi dhe sa e rëndësishme është kapja në kohë?

Gjatë një vizitë okulistike rutine dhe në mikroskop është e mundur diagnostikimi i keratokonusit, por në raste të tilla sëmundja është e avancuar dhe e një stadi të lartë zhvillimi. Ekzaminimi  me anë të së cilit sëmundja mund të diagnostikohet saktë dhe herët është topografia korneale ose harta e kornesë. Përmes këtij ekzaminimi kompjuterik dhe jo invaziv për pacientin mjeku arrin të marrë informacionin e duhur në lidhje me rregullsinë e sipërfaqes së kornesë (xhamit të syrit), trashësinë e saj, formën dhe pjesën më të hollë të kornesë, arrihet të përcaktohet gjithashtu stadifikimi i sëmundjes që është i rëndësishëm në zgjedhjen e metodës së trajtimit të sëmundjes.

Trajtimi/ llojet?

Në stadin fillestar kur gabimet e refraksionit janë të ulëta dhe vështirësitë në shikim larg ose afër minimale, pacientit i rekomandohet kompensim me anë të syzeve ose lenteve të kontaktit. Lentet e kontaktit duke qenë se qëndrojnë në kontakt me kornenë e syrit rregullojnë formën e saj dhe përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shikimit. Por si syzet ashtu dhe lentet e kontaktit nuk janë metoda parandaluese për sëmundjen por vetëm kompensuese, domethënë ato vetëm përmirësojnë cilësinë e shikimit të pacientit larg dhe afër.

Për trajtimin e keratokonusit përdoren 3 procedura kirurgjikale invazive: cross linking, unazat korneale dhe transplanti korneal.

Efikase në stadet fillestare dhe parandaluese e sëmundjes së keratokonusit është trajtimi cross – linking. Gjatë kësaj procedure syri pikohet me riboflavine të lëngshme, Vitaminë B2 e cila nën veprimin e rrezeve ultraviolet që emeton aparati bën të mundur lidhjen e saj me kolagjenin e kornesë duke e forcuar indin korneal dhe duke e parandaluar kështu hollimin e mëtejshëm të kornesë dhe krejt sëmundjes së keratokonusit . Efektiviteti i kësaj metode është i lartë kur sëmundja kapet në stadet fillestare.

Vendosja e unazave korneale është një tjetër metode invazive gjatë së cilës në indin korneal vendosen mekanikisht ose përmes lazerit unaza prej materiali kompatibël me indin e kornesë të cilat jo vetëm që stabilizojnë kornenë por përmirësojnë dhe shikim në mënyrë jo të plotë.

Në stadin e fundit të sëmundjes kur trashësia e kornesë është holluar në vlera minimale dhe në indin korneal kanë ndodhur ndryshime të parikthyeshme, rekomandohet transplanti i kornesë. Është një metodë kirurgjikale invazive por efikase në trajtimin e keratokonusit.

Si mund të parandalohet?

Sëmundja e keratokonusit është një patologji e cila nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë mund të shkaktojë humbje të shikimit dhe invalidizim të syrit. Mënyrat parandaluese janë të lidhura së pari me eliminimin e faktorëve provokues.

Mbrojtja  me syze nga rrezet e diellit, dritat e forta dhe alergeneve natyrore, diagnostikimi në kohë si dhe trajtimi individual në varësi të stadit të zhvillimit e parandalon sëmundjen, komplikacionet dhe përmirëson cilësinë e shikimit tek pacientët me keratokonus./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor