Thyerjet e kockave, problemet pas traumave dhe trajtimi i tyre

Mjeku ortoped traumatolog Erald Gogu flet për vështirësitë në ngjitjen e kockave dhe rrezikshmërinë e tyre

“Sëmundjet e kockave janë të shumëllojshme, por këtu në Spitalin Universitar të Traumës ne trajtojmë kryesisht problemet e traumës. Megjithatë ortopedi-traumatologjia nuk është vetëm traumë. Trauma është vetëm njëra anë, ndërsa pjesa tjetër përfshin sëmundjet e lindura apo sëmundjet degjenerative, të cilat shfaqen me kalimin e kohës”. Kështu e përkufizon punën e tij në Spitalin Universitar të Traumës mjeku kirurg – ortoped – traumatolog Erald Gogu. Ai tregon në një intervistë për gazetën “Shëndet +” rastet e vështira të trajtimit të traumave, ndërsa jep këshilla të kujdesit pas frakturave apo operacioneve.

“Përgjithësisht këtu vijnë pacientë që kanë një stad të avancuar të sëmundjes. Pacientët pasi trajtohen në spitale të rretheve apo poliklinika këtu në Tiranë, hapi i fundit është mbërritja këtu që në të shumtën e rasteve bëhen ndërhyrjet kirurgjikale”, shton mjeku Gogu.

Doktor, mund të më thoni cilat janë rastet më të vështira të traumave me të cilat ju përballeni? Si i klasifikoni ato?

Trauma është gjithmonë e vështirë për t’u trajtuar. Mund të vijnë raste që nuk i kemi hasur më përpara, ose mund të vijnë raste të politraumave, ku pacienti ka të frakturuar shumë nga ekstremitetet e trupit. Përshembull një të sëmurë që kemi aktualisht në spital ka 2 femurët të frakturuar, ka dhe frakturë të paleolit medial. Pra, politrauma është shumë e vështirë, sepse në radhë të parë duhet të përqendrohemi tek shpëtimi i jetës së pacientit dhe pastaj në zgjidhjen e të gjitha problemeve, frakturave që ka i sëmuri.

Në kushtet e mungesës së kohës për të vendosur, a e keni të vështirë të merrni një vendim për mënyrën e ndërhyrjes që do të kryhet tek pacienti?

Pa diskutim që është e vështirë, por ne mundohemi që të punojmë në ekip kur jemi në urgjenca, pra që çdo mjek merret me pjesën e tij. Kjo do të thotë që ortopedi merret me ekstremitetet, neurokirurgu merret me problemet e kokës dhe të kolonës trupit. Kirurgu abdominal merret me problemet e barkut dhe të toraksit dhe në të njëjtën kohë është mjeku reanimator që merret me reanimimin apo shpëtimin e pacientit nga gjendja kritike.

Kujdesi pas traumave dhe operacioneve

Në rastet e dëmtimeve të kockave, traumave apo politraumave, çfarë u rekomandoni pacientëve pas ndërhyrjeve kirurgjikale? Cilat janë gabimet e shpeshta që bëjnë pacientët në kujdesin pas traumave?

Përgjithësisht, pasi ka përfunduar ndërhyrja, i sëmuri qëndron për disa ditë, nga 3 ditë deri në 10 apo edhe 2 javë, që është periudha postoperatore e qëndrimit në spital. Gjatë kësaj kohe bëhet mjekimi i plagës, përgjithësisht çdo ditë dhe rehabilitimi. Këshillat që jepen më shpesh janë kujdesi ndaj plagës, mjekimi i plagëve në mënyrë sterile. Në rastet e frakturave të poshtme të këmbëve, nuk duhet mbështetur për një periudhë të caktuar kohore këmba në tokë, sepse çdo kockë ka një periudhë mesatare të shërimit. Në varësi të kockës së frakturuar apo trajtuar, i jepen rekomandimet e nevojshme pacientit. Nëse të dëmtuara janë ekstremitetet e sipërme, duhet që duart të mos përdoren për punë fizike për një periudhë të caktuar, e cila do të shërbejë për ngjitjen e frakturës.

Në shumë raste ndodh që edhe pas një operacioni, këmba dora apo zona të tjera të frakturuara nuk ngjiten siç duhet. Cilat janë shkaqet dhe sa e rrezikon pacientin një gjë e tillë?

Kjo është shumë e rrezikshme për pacientin. Kur nuk ngjitet fraktura hyn tek komplikacionet e trajtimit. Ngjitja e kockave është një proces, i cili zhvillohet në mënyrë natyrale, e bën vetë organizmi, jo se është mjeku ai që bën ngjitjen e kockës. Mjeku bën fiksimin e kockës, çuarjen në vend të kockës dhe pastaj hyn në funksion organizmi që bën ngjitjen. Ngjitja e kockës varet nga shumë faktorë përveç pjesës së operacionit që krijon përshtatshmërinë për ngjitjen e kockës. Në këtë rast kanë rol faktorët e tjerë siç është gjendja e përgjithshme e të sëmurit, mosha e të sëmurit, gjendja lokale e frakturës. Të gjithë këta faktorë kanë rëndësinë e tyre. Kur ndodh që një frakturë nuk ngjit ose ngjit me vonesë, konsiderohet komplikacion dhe mund të lindë nevoja edhe për një ndërhyrje të dytë apo të tretë.

Po në rastet kur kocka ngjitet, por nuk ka ngjitje të drejtë. Nga se ndodh kjo?

Kjo zakonisht ndodh në rastet kur pacienti lëviz më shpejt nga sa i është rekomanduar. Mund të ketë mbështetur pjesën e frakturuar më shpejt. Por në të njëjtën kohë varet edhe nga shumë faktorë të tjerë të brendshëm të organizmit, të cilët i përmenda më lart. Nëse reagimi i organizmit ndaj ngjitjes nuk është i duhuri, mund të ndodhin edhe deformime të tilla.

Cila është mosha kur kockat ngjiten dhe ripërtërihen më shpejt?

Kuptohet që moshat e reja janë ato që e përballojnë më mirë një traumë. Kur themi moshat e reja konsiderojmë nga 20-50 vjeç, pastaj me kalimin e moshës, mbi 50 vjeç trajtimi i pacientëve është shumë më i vështirë. Kjo ndodh për faktin se këta pacientë kryesisht kanë edhe sëmundje të tjera që i shoqërojnë. Në moshën mbi 50 vjeç kuptohet që në përgjithësi ka edhe sëmundje të tjera, ku kryesisht janë sëmundjet e zemrës, hipertensioni, diabeti, janë probleme të ndryshme të sistemit nervor. Të gjitha këto e komplikojnë trajtimin e të sëmurit, sepse mund të jetë një pacient i papërshtatshëm për t’u operuar dhe e dyta është që nëse operohet, risqet e operacionit janë shumë më të mëdha se një moshë e re, që nuk i ka sëmundjet e tjera.

Doktor, nisur nga kjo dëshiroj t’ju pyes për ngjitjen e kockave “të buta”siç konsiderohen në gjuhën e popullit. E kam fjalën për rastet kur nuk ka ngjitje të indit kockor…

Kjo quhet pseudo-artrozë, nëse ngjitja nuk është siç duhet të jetë. Në një rast normal, indi që ngjit kockën duhet të jetë ind kockor. Në rastin e pseudo-artrozës, nuk është ind kockor, por ind fibrotik i përzierë me ind kockor dhe kjo nuk është një kockë e shëndetshme. Por në rastin kur ngjitja është bërë, por jo aty ky duhet, pra kur ekstremiteti ka një deformim, ngjitja është e shëndetshme, por nuk është atje ku duhet të ishte. Kjo në terma mjekësorë quhet “Malunion” apo ngjitje e keqe në vija të trasha dhe në këto raste, kjo ngjitje e keqe dhe ky deformim ka ndikim në pjesën e brendshme të organizmit por edhe nga ana estetike. Në këtë rast lind nevoja që plaga të rifrakturohet dhe të fiksohet në vendin e vet.

Cila konsiderohet mënyra më efikase për ndërhyrjet në rastin e thyerjes së kockave, me apo pa operacion?

Nuk do të thotë që ndërhyrja me operacion është gjithmonë më e sigurta. Vendimi për të ndërhyrë me operacion apo jo varet nga lloji i frakturës. Kur shohim frakturën ne themi nëse ka apo jo indikacion për t’u trajtuar me operacion. Ka shumë fraktura që trajtohen në mënyrë konservative, pra pa operacion dhe pastaj mbahet me gips apo me suporte. Por në rastet e frakturave kur fiksimi është i pamundur të bëhet përmes suporteve të jashtme, në këtë rast jemi të detyruar të shkojmë tek operacion. Nuk mund të thuhet që operacioni është zgjidhja më e mirë për çdo frakturë, siç nuk mund të thuhet se ndërhyrja konservative është më e mira për çdo frakturë. Çdo gjë varet nga lloji i frakturës. Në përgjithësi frakturat që trajtohen në mënyrë konservative pa operacion janë më të lehta. Frakturat më të vështira, në përgjithësi kanë nevojë për operacion.

Po sa i përket pjesëve metalike që vendosen në këmbë. Sa duhen mbajtur ato dhe a kanë efekte anësore në organizëm?

Këto janë materialet e sintezës apo fiksimit që mund të jenë nga plaka apo vida, mund të jenë fiksues të jashtëm, mund të jenë proteza të shumëllojshme. Tek moshat e reja që janë ende në zhvillim, në rritje, deri në moshën 18 vjeç është e domosdoshme heqja e këtyre materialeve ndihmëse me të cilat është bërë fiksimi i frakturës. Kur vëmë re që kocka është ngjitur, në këtë rast duhen hequr, pasi në të kundërt ndikon keq në zhvillimin kockor të sëmurit. Përgjithësisht periudha e mbajtjes së materialeve tek kjo moshë është 3 muaj deri në 1 vit. Kurse tek të rriturit që janë mbi 18 vjeç, shumica dërrmuese e materialeve nuk janë të domosdoshme për t’u hequr. Për t’u hequr janë vetëm ato materialet cilat japin një bezdi tek i sëmuri për shembull materiale që janë në kontakt të ngushtë me lëkurën apo që janë afër kyçeve, të cilat gjatë lëvizjes japin dhimbje. Në këtë rast heqja e tyre bëhet e domosdoshme. Por edhe në rastet kur kemi një komplikacion, heqja bëhet e domosdoshme. Në rastet e tjera normale, heqja nuk është e domosdoshme. Në përgjithësi njerëzit i heqin, sepse nuk duan të kenë një trup të huaj në trupin e  tyre, pavarësisht se materialet që përdoren vitet e fundit fatmirësisht janë materiale shumë cilësore dhe të sigurta./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore