Çdo qënie njerëzore gëzon të drejta që lindin që në momentin e ardhjes së tij në jetë. Të drejta të tilla si e drejta e jetës, e shëndetit, e jetës familjare, e jetesës pa dhunë, janë të drejta themelore garantimi i të cilave synon të krijojë një standart të përshtatshëm jetese për çdo fëmijë.
Deri në dekadën e fundit të shekullit të kaluar këto të drejta nuk ishin të unifikuara në të gjithë botën. Situata ndryshoi në shtator 1990, me hyrjen në fuqi të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për të Drejtat e Fëmijës”, ku të drejtat e cituara më lartë dhe të tjera, morën vlerë universale dhe u bënë të detyrueshme në mbarë botën.
Një nga të drejtat themelore të fëmijëve që garantohet nga Konventa është mbrojtja e fëmijës nga çdo lloj forme dhune. Neni 19 i Konventës përcakton se “fëmijës i njihet e drejta të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën ose zhvillimin e tij normal”. Konventa gjithashtu sanksionon se çdo shtet ratifikues ka detyrimin që të marrë “të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës”.
Sot kjo Konventë konsiderohet si traktati më i ratifikuar në historinë e të drejtave të njeriut dhe ka ndihmuar në transformimin e jetës së miliona fëmijëve në të gjithë botën.
Shqipëria e ratifikoi Konventën e OKB “Për të Drejtat e Fëmijës” në dhjetor të vitit 1991, duke e bërë atë pjesë e korpusit ligjor të brendshëm. Pas ratifikimit vendi ratifikues merr përsipër të sigurojë që të drejtat e fëmijëve të jenë të garantuara dhe të mbrojtura. Në këtë kuadër, Shqipëria, si Shtet Palë, ka ndërmarrë një reformë të tërë politikash dhe legjislacioni për garantimin e një mbrojtjeje më të sigurt dhe të qendrueshme për fëmijët në Republikën e Shqipërisë. Ngritja dhe sanksionimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është edhe një detyrim që Shqipërisë i lind në kuadër të procesit të integrimit në Bashkim Evropian.
Në themel të legjislacionit shqiptar, në çdo rast, qëndron parimi i mbrojtjes të interesit më të lartë të fëmijës. Tashmë legjislacioni që garanton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri është i plotë. Në themel të hierakisë së legjislacionit shqiptar qendron Kushtetuta e Shqipërisë, e cila parashikon një mbrojtje të veçantë të fëmijëve nga shteti dhe institucionet e tij (neni 54). Në korpusin ligjor vendas, në fushën e njohjes dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve, renditen një sërë ligjesh të rëndësishme si, Ligji “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, Kodi Penal, Kodi Civil, Kodi i Familjes, Ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, ligjin e ri “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, të cilat parashikojnë konkretisht institucionet, mekanizmat, format dhe mjetet për garantimin e çdo të drejte legjitime të fëmijëve.
Ligji “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” iu shtua korpusit të legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri vetëm dy vite më parë. Ky Ligj ndalon në mënyrë të shprehur ushtrimin dhe përdorimin e çdo forme të dhunës kundër fëmijëve në të gjitha mjediset, si private, ashtu edhe ato publike. Ndër të tjera, ligji rregullon disa të drejta bazë të fëmijës si, të drejtën për nivel jetese të përshtatshëm, të drejtën për kujdes shëndetësor, të drejtën për mbrojtje nga të gjitha format e dhunës, të drejtën për mbrojtje nga shfrytëzimi ekonomik.
Ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” parashikon parandalimin dhe reduktimin e të gjitha formave të dhunës në familje, me anë të masave të përshtatshme ligjore dhe të masave të tjera të nevojshme, si dhe garantimin e mbrojtjes të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë fëmijëve. Në këtë ligj renditen subjektet të cilat mund të paraqesin kërkesën për urdhër mbrojtje si a); b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës; c) policia / prokuroria, duke legjitimuar si subjekt denoncues edhe vetë fëmijën (vetë viktima). Po ashtu, Ligji përcakton se, kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një të mituri mund ta paraqesin edhe prindi ose kujdestari i të miturit, përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës, të afërmit, përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, policia/prokuroria, si dhe personat ligjërisht përgjegjës për fëmijët.
Përveç hartimit të një legjislacioni të plotë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, ligjbërësit shqiptarë janë kujdesur edhe në ngritjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit në këtë fushë. Agjensia Shtetërore e Mbrojtjes të të Drejtave të Fëmijës është një nga institucionet më të rëndësishme shtetërore për zbatimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të fëmijëve, të cilit i është deleguar e dreja për të vendosur sanksione për çdo shkelës të këtyre të drejtave.
Ndonëse përpjekjet e Shqipërisë për përmirësimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë vlerësuar si të rëndësishme, zbatimi i tyre mbetet i dobët për arsye të ndryshme, ku më I rëndësishme është niveli I ulët I njohjes së legjislacionit të publiku, ku bëjnë pjesë edhe prindësit, edukatorët dhe kujdestarët e fëmijëve. Pikërisht, nëpërmjet një seti shkrimesh informuese rreth të drejtave të fëmijëve dhe, në mënyrë të veçantë mbrojtjes së tyre nga dhuna, ne do të përpiqemi të ndikojmë në vetëdisimin e prindërve dhe edukatorëve për rëndësinë e identifikimit të dhunës dhe garantimit të mbrojtjes së tyre nga çdo formë dhune.
*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

