Janë disa rrugë që udhëheqin drejt krimit. Këto mund përfshijnë faktorin biologjik, zhvillimin, aspektin konjitiv dhe ndikimet sociale
Denisa Canameti
Kronikat e zeza nuk mungojnë asnjë ditë në media, duke u kthyer kështu në një problematikë tepër të rëndë. Gjendja
paraqitet edhe më e rëndë kur të gjitha këto krime ndodhin për motive të dobëta, ku më i lakuari është motivi i xhelozisë.
Për ta parë këtë problematikë nën optikën e një psikologu, gazeta “Shëndet+” iu drejtua psikologes së fshatit SOS, Orjola Plaku.
E pyetur nëse xhelozia mund të konsiderohet arsye e mjaftueshme për të çuar në humbjen e logjikës dhe kryerjen e një akti të vrasjes, Plaku thotë se xhelozia është një emocion i cili shpeshherë nuk mund të kontrollohet dhe shpie drejt vrasjes. Por vrasja nuk ndodh në një moment të menjëhershëm. Ka pasur kontradikta të mëparshme, të cilat nuk janë menaxhuar si duhet.
Në Shqipëri dëgjojmë çdo ditë për vrasje brenda familjes, pse mendoni se ndodhin (përtej shkaqeve që sqaron policia)?
Asnjë nuk lind kriminel. Janë disa rrugë që e udhëheqin drejt krimit. Këto mund përfshijnë faktorin biologjik, zhvillimin, aspektin konjitiv dhe ndikimet sociale. Këta janë faktorë risku që shpeshherë udhëheqin drejt shkakut që fëmija të shfaqë sjellje devijante. Është thelbësore që të kuptohet rëndësia që ka presioni i mjedisit, i cili shkakton tek fëmija sjellje delikuente si rezultat i një sërë mekanizmash komplekse.
Faktori biologjik i referohet çrregullimeve neurologjike, si: p.sh.: mungesës së balancuar të neurotransmetuesve, dëmtimit të trurit etj. Gjithashtu, mungesa e kontrollit të impulseve frenuese përbën shkak në kryerjen e një vepre penale.
Sipas psikologëve, a mund të jetë xhelozia arsye e mjaftueshme për të çuar në humbjen e logjikës dhe kryerjen e një akti të vrasjes?
Lidhja emocionale që krijojnë fëmija me prindin ndikon dukshëm në marrëdhënien me partnerin. Xhelozia është një emocion i cili shpeshherë nuk mund të kontrollohet dhe shpie drejt vrasjes. Por vrasja nuk ndodh në një moment të menjëhershëm. Ka pasur kontradikta të mëparshme të cilat nuk janë menaxhuar nga çifti.
Xhelozia shpeshherë shoqërohet me mendime negative dhe ndjenja pasigurie që burojnë nga lidhja me figurën atashuese. Kjo pasiguri shkakton ndjenja agresiviteti në varësi të temperamentit të individit dhe mungesa e menaxhimit të zemërimit apo agresivitetit bën që të kryejnë krim.
Grupet më të prekura në këtë drejtim cilat janë?
Grupet më të prekura janë fëmijët pasi janë dëshmitarë të dhunës apo problematikave brenda familjes, të cilat i mbartin në formën e traumës. Në fshatin SOS ku unë punoj është e dhimbshme që ka prindër që po lënë fëmijët pranë institucioneve të cilat kujdesen për mirërritjen dhe edukimit të tyre. Traumat që shkaktojnë tek fëmija janë të mëdha dhe profesionisti vetëm mund t’i zbusë traumën, por jo të ketë rikuperim të menjëhershëm.
Sa ndikon në psikologjinë e fëmijës dhe sa ndikon në formimin e tij si individ në të ardhmen?
Çregullimet e atashimit sjellin pasoja të mëdha dhe impakt tepër negativ tek zhvillimi i fëmijës. Marrëdhëniet e pashëndetshme prindërore apo familjet me një historik në të kaluarën shkaktojnë tek fëmija probleme të mëdha psikologjike. Sigurisht, mjedisi ndikon negativisht tek fëmija pasi do të modelojë sjelljet prindërore në të ardhmen.
A janë detyrimisht të sëmurë individët që vrasin pjesëtarë te familjes ?
Individët të cilët kanë kryer krim brënda familjes apo jashtë kanë probleme të mëdha me veten, pasi nuk arrijnë dot të kontrollojnë impulset frenuese. Personalisht, do t’i kategorizoja si individë që mbartin një çrregullim, i cili mund të jetë humori apo personaliteti antisocial.
A ka shenja treguese që mund të lexohen tek personi që do të kryejë vrasjen për atë që do të bëjë apo është një veprim i momentit?
Individët të cilët kanë kryer sjellje delikuente, janë ata të cilët iu identifikohen tiparet e vrasësit. Por nuk përjashtohen edhe ata të cilët dinë të fshihen pas veprës që kanë kryer. Në rast se është ndjekur nga një specialist i shëndetit mendor, e ka të thjeshtë ta identifikojë atë që ka kryer një plan për të kryer një vepër krimi.
Stili i jetesës sa ndikon?
Stili i të jetuarit ndikon në zhvillimin e fëmijës, pasi ashtu sikurse përmenda, fëmija modelon sjelljet prindërore. Fëmija priret të bëjë atë që shikon.
A mund të konsiderohet faktor, dhuna kulturë?
Kultura është një faktor, i cili ndikon dukshëm në formimin e një individi. Duke qenë se shoqëria shqiptare ka favorizuar gjininë mashkullore, duke e bërë dominant kundrejt femrës. Dhunën e kemi në disa forma, si: psikologjike, emocionale dhe fizike dhe kjo ka marrë përmasa galopante në zonat rurale.
A mos kemi të bëjmë me një përplasje të kulturës perëndimore dhe asaj shqiptare që i ka dhënë një hov vitet e fundit vrasjeve? (Gra që duan të punojnë, vajza që duan të dalin etj).
Zhvillimi i menjëhershëm ka shkaktuar keqperceptime të kulturës perëndimore me atë shqiptare. Femrës në shoqëri duhet t’i jepet roli që i takon duke u përfshirë edhe në vendimmarrje brenda në familje, duke i dhënë të drejta të barabarta me gjininë e kundërt. Kjo gjë duhet të favorizojë zhvillimin e shoqërisë.
Si mund të parandalohen këto fenomene?
Individët të cilët janë viktima të dhunës duhet ta raportojnë atë në instanca përkatëse që të parandalojnë dhunën. Duke heshtur, jeta e tyre do të jetë në rrezik. Është e nevojshme që të kërkohet ndihma e duhur që të parandalohet edhe krimi brenda familjes. Ekzistojnë organizata të shumta që mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe ato të gruas, duke i ndihmuar që të rikuperohen nga traumat brenda familjes.


