Ekspertët ngrenë alarmin: Në 2030 nuk do të mjaftojnë insulinat

Në vitin 2030, 40 milionë diabetikë nuk do të kenë insulina. Ndërkohë që numri i njerëzve që jetojnë me sëmundjen e diabetit vazhdon të rritet, qasja tek insulina e nevojshme po përballet me rritjen e kërkesës dhe së shpejti mund të ketë probleme.

Sipas një studimi të ri, deri në vitin 2030, 79 milionë të rritur me diabet të tipit 2 pritet të kenë nevojë për insulinë për të mënaxhuar sëmundjen, e nëse nivelet aktuale të qasjes do të vijojnë, vetëm gjysma e tyre mund të jenë në gjendje të sigurojnë sasinë që u duhet.

Studimi i publikuar në gazetën “Lancet”, “Diabeti dhe endokrinologjia”, nënvizon se qasja tek insulinat do të vështirësohet shumë veçanërisht në rajonet e Afrikës, Azisë dhe Oqeanisë, që do të preken më shumë.

“Këto përllogaritje tregojnë se niveli aktual i qasjes tek insulina nuk përputhet me nevojën e parashikuar dhe duhen bërë shumë përpjekje për të kapërcyer këtë sfidë”, tha Sanjay Basu, profesor në Universitetin Stanford.

Insulina nevojitet për të trajtuar të gjithë personat e prekur nga diabeti i tipit 1 dhe të tjerë të prekur nga diabeti i tipit 2. Kjo formë e fundit e sëmundjes lidhet shumë me faktorë të jetesës së përditshme, si obeziteti, dieta e mangët apo mungesa e aktivitetit fizik.

Ekspertët thonë se numri i të prekurve nga diabeti do të rritet, ndaj duhen marrë masa për insulinën. Në të gjithë botën, numri i të rriturve me diabet të tipit 2 do të rritet nga 406 milionë në 2018, në 511 milionë në 2030. Nga totali i 511 milionë të prekurve, 79 milionë parashikohet të kenë nevojë për insulinë, që do të thotë 20 për qind rritje të kërkesës, e vetëm 38 milionë do të mund ta sigurojnë atë.

 

Postime të ngjashme

PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Këto 3 vitamina që ekspertët rekomandojnë të mos i merrni me stomak bosh
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet