Torta me portokall përgatitet shumë lehtë dhe është mjaft e shijshme. Lëngu i portokallit dhe lëkura e tij i japin një aromë të veçantë.
- 180 g miell
- 100 g gjalpë në temperaturë ambienti
- 120 g sheqer
- 3 vezë
- 4 portokaj
- 1 bustinë pluhur pjekës
- pak kripë
Përgatitja
Grijmë hollë në rende lëkurën e 2 portokajve dhe shtrydhim lëngun e të katërve duke i lënë mënjanë.
Me ndihmën e një mikseri rrahim gjalpin derisa të bëhet kremoz, i shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë ta rrahim dhe për pak. Më pas shtojmë të verdhat e vezëve me radhë, duke u kujdesur që hedhja e të dytës të bëhet pas tretjes së të parës. Shtojmë lëkurën e portokallit, gjysmën e lëngut të tij dhe në fund shtojmë miellin dhe pluhurin pjekës duke e përzier mirë brumin me një spatul.
Pastaj rrahim me mikser edhe të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të formohet një masë e qëndrueshme të cilën ia shtojmë brumit të mësipërm.
E hedhim përbërjen e përftuar në një tortierë të lyer me pak gjalp dhe miell dhe e pjekim kekun me portokall në furrë të parangrohur në 180 C për 40-45 minuta. Bëjmë gjithnjë provën e pirunit për të vërtetuar se keku është pjekur dhe në brendësi.
Në momentin që torta është gati, e nxjerrim nga furra dhe me ndihmën e një luge e spërkasim me lëngun e mbetur të portokallit. Për zbukurim mund të presim protkallin në rrota dhe ia vëmë sipër. Torta shërbehet e ftohtë.


