Mjekë dhe infermierë në spitalin e Durrësit kanë protestuar sot për të marrë pagë shtesë, pasi sipas tyre, që para se të niste situata me pandeminë COVID-19, ata kanë punuar përtej fashës që iu takonte.
Ata kanë thënë se kanë punuar jashtë orarit, dhe Kodi i Punës përcakton shpërblim për të gjitha ditët e punës. “Kemi punuar 60 orë në javë, jo 40. Kemi shkuar kudo, i kemi bërë SMS Ramës por asgjë. Janë 22 punonjës të prekur. 12 vetë kanë marrë para se janë ca të nënës e ca të njerkës. Pika një e vendimit të Ramës na përfshin dhe neve, por kështu i kanë ndarë. Edhe ato që kanë punuar në vijën e parë të COVID-19 nuk kanë marrë asgjë. Nga nëntori s’kemi marrë asnjë lekë. As për tërmetin. Të tjerët janë ata të koronavirusit dhe nuk kanë marrë asgjë. Mua më keni parë aty sa herë keni ardhur. Drejtoresha nuk zbaton asnjë vendim të ministrisë. Urdhëri i kryeministrit s’njihet. Ata justifikohen me “s’ke punë të dish ti”, lista e shpërblimit u bë e fshehtë. Edhe sot nuk e dimë kush mori para. Në fund të vitit e njëjta gjë. Asnjë punëtor thotë s’dimë gjë. Vetëm ato që do drejtoresha marrin lekë.”-, tha njëri prej mjekëve.

