Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me ecurinë e pandemisë globale të COVID-19 në Shqipëri. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli është pyetur për hapjen normale të spitalit COVID-2 “Shefqet Ndroqi”.
Ajo tha se aktualisht nuk është menduar që ky spital t’i rikthehet normalitetit, por se do jetë në gatishmëri për të trajtuar pacientët e sëmurë me coronavirus. Zonja Rakacolli theksoi se me lehtësimin e masave, Shqipëria rrezikon të përballet me një valë të shtuar të infeksionit COVID-19.
“ Pavarësisht se epidemia është kontrolluar shumë mire, është kontrolluar shumë mirë edhe në saj të masave të mëdha shtrënguese që u morën që në fillim të saj. Tashmë me hapjen e masave, ne jemi në një moment tejet delikat, të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes, dhe ekziston mundësia që përsëri infeksioni të shtohet. Për këtë arsye, këtë problem ne do ta shqyrtojmë në dritën e kësaj dinamike”, tha ajo.
Gazetarët pyetën gjithashtu zv.ministren e Shëndetësisë për kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila ka insistuar vazhdimisht, që skuadrat shqiptare, të rikthen në fushë për të rinisur sërish aktivitetin sportiv.
“Ministria e shëndetësisë dhe Komiteti i Ekspertëve i ngritur pranë kësaj ministrie po e vlerësojnë me shumë vëmendje këtë problem dhe shumë shpejt do të ketë një vendim për këtë”, theksoi ajo/ Euronews ALBANIA

