Sistemi shëndetësor gjatë pandemisë, problem mungesa e materialeve mbrojtëse

Mungesa e materialeve të mbrojtjes personale, informimi dhe trajnimi i stafit, janë disa nga problematikat kryesore që ka hasur sistemi shëndetësor në Shqipëri gjatë periudhës mars-maj të pandemisë.

Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer” zhvilloi një studim me profesionistë të kujdesit shëndetësor publik, i cili ka shfaqur disa problematika mbas shpërthimit dhe përhapjes së virusit COVID-19. E ftuar në Euronews për prezantimin e gjetjeve të këtij studimi ishte drejtoresha e shoqatës Together for Life, Eglantina Bardhi.

Sipas studimit, u shpreh Bardhi, shqetësimet kryesore të personelit mjekësor janë evidentuar kryesisht në mungesën e materialeve të mbrojtjes personale si dhe në informimin dhe trajnimin e stafit.

Në periudhën mars–maj 2020, faza fillestare e koronavirusit në vend, vetëm 1/3 e personelit deklaron se institucioni i tyre ka pasur materialet e duhura mbrojtëse dhe 1/4 i kanë pasur ato në sasi të mjaftueshme, ndërkohë që 1/10 nuk kanë pasur fare.

Nën këto rrethana, stafi i ka përdorur materialet e mbrojtjes personale me kursim, madje duke mos i përdorur fare në disa raste të nevojshme.

Mjekët dhe infermierët në spitalet COVID-19 janë më mirë të pajisur me të gjitha materialet e mbrojtjes personale, e megjithatë më pak se gjysma e personelit kanë sasi të mjaftueshme të materialeve kryesore mbrojtëse për punën me pacientët e konfirmuar me COVID-19, siç janë maskat e duhura, përparëse kirurgjie njëpërdorimshme me mëngë të gjata që bëjnë izolim total apo mbrojtëse për sytë (syze ose helmeta mbrojtëse). Njësoj edhe mbulojat e njëpërdorshme për këpucët.

Gati 2/5 e personelit tregojnë se kanë marrë një trajnim të tillë në kuadër të pandemisë COVID-19 në lidhje me përdorimin, veshjen, zhveshjen dhe eliminimin e sigurt të materialeve mbrojtëse.

Për sa i përket testimeve të personelit mjekësor, shumica e atyre që punonin pranë spitaleve Covid kanë pohuar se testimet kanë qenë një praktikë e zakonshme.

Pjesa tjetër e personelit në spitale pohojnë se testi nuk është kryer edhe në rastet kur ata vetë kanë shfaqur simptoma apo pasi janë vetë-izoluar si pasojë e familjarëve që kanë shfaqur simptoma. Të punuarit në kushtet të mungesës së mbrojtjes të përshtatshme si dhe mungesë të trajnimeve dhe politikat e varfra institucionale për testim të personelit kanë ndikimin e tyre tek 30% e stafit të cilët nuk ndjehen aspak të sigurt e të mbrojtur në vendin e punës.

Lodhje, stres dhe pagjumësi janë tri simptomat më të shfaqura tek personeli shëndetësor gjatë periudhës mars-maj 2020, të pasuara nga ankthi dhe mungesa e dëshirës.

 

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus