Dom Gjergj Meta: Mos ta kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv, a larg o Zot në një morg

Gazetare: Klevisa GJIKA

Nuk mungojnë thirrjet për ndërgjegjësim të qytetarëve, në mënyrë që të minimizohet sa më shumë të jetë e mundur përhapja e COVID – 19.

Në një postim në rrjetin social facebook, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, rikujton se po jetojmë në kohën e pandemisë dhe i kërkon qytetarëve që të heqin dorë nga normaliteti sepse në Shqipëri dhe Ballkan numri i të prekurve me COVID – 19 po rritet.

“TE HEQIM DORE NGA NORMALITETI…Ndjej për detyrë qytetare që t’ju ftoj të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Është koha e përkujdesjes e cila duhet të na zhvillojë përmasën e solidaritetit me njëri-tjetrin dhe ndaj të mirës së përbashkët”.

Dom Gjergj Meta shkruan se është më mirë që të dëgjojmë këshillën e mjekëve, për të mos e kthyer Shqipërinë në një morg.

Postimi i plotë:

TE HEQIM DORE NGA NORMALITETI…

Të dashur miq,

Në Shqipëri e në Ballkan numrat e të prekurve me Covid-19 po rriten.

Ndjej për detyrë qytetare që t’ju ftoj të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Është koha e përkujdesjes e cila duhet të na zhvillojë përmasën e solidaritetit me njëri-tjetrin dhe ndaj të mirës së përbashkët.

Nuk vlen ajo shprehja mors tua vita mea (vdekja jote është jeta ime), pasi vdekja apo sëmundja e një njeriu është edhe vdekja apo sëmundja e të gjithëve. Jeta është një e mirë që na është dhënë. Kjo pandemi po na tregon se jeta jonë është në dorën e të tjerëve dhe jeta e të tjerëve në dorën tonë.

Mjekët po na thonë të kemi kujdes. T’u besojmë atyre e t’ua dëgjojmë e zbatojmë këshillën. Mos ta kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv, a larg o Zot në një morg.

Prandaj:

distancim fizik;
përdorim i maskave në ambjente të mbyllura;
përgjegjësi ndaj simptomave.

Është një rast i volitshëm për t’u rritur në përgjegjshmëri e të tregojmë se sa e duam jetën dhe se sa e vlerësojmë njëri-tjetrin.

Jemi një vend i vogël dhe i varfër, me shumë probleme edhe pa pandeminë e tërmetin. Nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të na varfërojë e izoloi më shumë. Na kanë mbyllur kufijtë, jemi të detyruar të rrimë në karantinë nëse kalojmë kufirin në ndonjë shtet. Rritja e rasteve po na penalizon.

Prandaj është detyrë e të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, që të heqim dorë nga normaliteti i jetës së deritanishme e të strukturojmë një normalitet të ri që ndoshta do të na kushtëzojë për shumë kohë.

Sa më parë të mësohemi aq më mirë është për ne të gjithë.

Ditë të mirë

Postime të ngjashme

Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet
Raporti i TFL: Probleme me kostifikimin e shërbimeve dhe raportimin e efektivitetit të shpenzimeve