Manastirliu: Do dyfishojmë ekipet e terrenit për shërbimin në banesë për pacientët me COVID19

Gazetare: Klevisa GJIKA

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se do të dyfishohen ekipet e terrenit për shërbimin në banesë për qytetarët e prekur nga Covid-19. Lajmi u bë i ditur nga Urgjenca Kombëtare, gjatë një inspektimi rutinë për forcimin e masave për përballimin e situatës së krijuar në vend nga koronavirusi.

“Tirana mbetet vatër e nxehtë, por ndërkohë jemi duke u përgatitur për përgjigjen ndaj situatës në të gjithë vendin. Në këtë moment jemi duke ndërtuar edhe më shumë skuadra mobile për pacientët me Covid-19, pra skuadra të lëvizshme të cilat do të ofrojnë ndihmën në banesë sipas protokolleve, sipas gradës së sëmundshmërisë, për ata të cilët do të kenë nevojë për asistencë në shtëpi, apo për transferimin në spital, sipas protokolleve. Përgjatë vjeshtë-dimrit, do të dyfishojmë ekipet tona të terrenit”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Njësinë e Koordinimit të Urgjencës Kombëtare, ministrja u shpreh se numri i telefonatave mbetet i lartë dhe se në rrethana të tilla çdo qytetar duhet të kontaktojë numrin unik 127 për të marrë ndihmën e duhur.

“Janë mbi 500 thirrje në ditë janë vetëm për Covid19 në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Nga ana tjetër Urgjenca Kombëtare vijon që të japë shërbime edhe për gjithë patologjitë e tjera. Edhe kjo falë një pune dhe një organizimi shumë të mirë, të bërë nga ana juaj, me gjithë spitalet. Dua të bëj një thirrje për të gjithë qytetarët, për të komunikuar me numrin unik 127 kur kanë shenja të sëmundjes sepse e dinë ekipet e urgjencës se si duhet të veprohet dhe spitalet ku dërgohen qytetarët si dhe për informacion mbi COVID19, për kontaktet me mjekun e familjes, duhet të lidhet me numrin falas 0800 40 40. Situata është serioze dhe duhet ta përballim duke zbatuar sistemin e referimit”.

Nga fillimi i pandemisë janë mbi 1 mijë qytetarë që janë dërguar për trajtim spitalor, ndërsa në total janë 2411 qytetarë të prekur nga SARS COV2 që kanë marrë trajtim nga urgjenca kombëtare në banesë dhe janë dërguar në spital.

Postime të ngjashme

Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus