Pas muajsh të tërë debatesh në lidhje me pandeminë e koronavirusit, për shkak dhe të mungesës së informacionit në lidhje me virusin e ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë jep më në fund një lajm të mirë.
“Pandemia e koronavirusit po ngadalësohet në botë”. Në këtë konkluzion ka arritur OBSH duke krahasuar të dhënat e rasteve të reja dhe vdekshmërinë javë pas jave.
Sipas të dhënave, situata paraqitet më e përmirësuar në kontinentin amerikan. Shifrat tregojnë se nga 17-23 gushti janë regjistruar 1.7 milionë raste të reja dhe 39 mijë viktima ose e thënë ndryshe 5% më pak të infektuar dhe 12% më pak humbje jete, krahasuar me javën paraardhëse.
Ngadalësimi është regjistruar kudo përveçse në Azinë juglindore dhe në zonën e mesdheut. Këto dy zona të fundit kanë regjistruar respektivisht rritje prej 4.06 për qindësh dhe 4.28 për qindësh. Në kontinentin amerikan, rënia e rasteve të konfirmuara është ndërkohë 11.35 për qind, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë; në Evropë me 0.9 për qind dhe në Afrikë 8.4 për qind.
Në të gjithë botën, sipas universitetit Johns Hopkins, ka 23.9 milionë raste të konfirmuara dhe rreth 820 mijë viktima.

