Gazetare: Klevisa GJIKA
Jemi më shumë se 2 javë pas radhës së gjatë të krijuar në pikën kufitare të Kakavijës dhe krahas radhëve të gjata në doganë, vazhdojnë edhe radhët për të bërë tamponin PCR për Covid-19 në spitalet private.
Gjatë monitorimit të kryer në një nga spitalet private që e ofron këtë shërbim në Tiranë, spikatëm dy vajza me origjinë turke që shprehën qartë pakënaqësinë e tyre në lidhje me çmimin e lartë që duhet të paguajnë për kryerjen e tamponit, detyrim ky për të kaluar në shtetin ku dëshiron të kalosh. Njëra prej tyre u shpreh për gazetën “Shëndeti”:
“Duam të shkojmë në Mal të Zi. Ne jemi turke dhe në Turqi është 30 euro për të bërë tamponin, testin e virusit. Turqia është më e madhe se Shqipëria, pastaj në Gjermani është falas.”
Shtetasja turke thekson se shifrat e nxjerra nga dita në ditë nga instancat përkatëse nuk janë të besueshme:
“Besoj se numri i të prekurve është më i lartë nga sa raportohet”, shton më tej.
Imazhet e siguruara për gazetën “Shëndeti” tregojnë se pritjet për bërjen e testit të virusit nuk kanë mbaruar. Sipas asaj që rrëfejnë qytetarët, kjo është një situatë ku qytetarët po shfrytëzohen.
“Po presim që të bëjmë tamponin. Kam që në 8 të mëngjesit këtu. Është shumë kosto e lartë. Në të gjithë vendet është falas. Më i shtrenjti është 25 euro, këtu 100 euro është vjedhje e madhe. Po e bëjmë familjarisht, po paguajmë 400 euro dhe të lë s’të lë tjetri. 400 euro është shumë lekë”, shprehet një tjetër qytetar turk në pritje për të bërë tamponin.
Përveç kostos së lartë të tamponit, ai nxjerr në pah se kanë humbje kudo, për shkak të pasojave që COVID-19 la në rritjen e çmimeve, kalimet në pikat kufitare dhe në sfera të tjera të jetës.
“Kemi humbje gjithandej. Në çdo gjë të marrin lekë dhe s’ka asnjë lloj rimbursimi nga shteti, po nuk është puna vetëm këtu. Mora karrocën e çunit që ma sollën dhuratë dhe më mori dogana 15 000 lekë. As e bleva, po ma solli vëllai dhuratë. Dogana lekë, këtej lekë, ushqimet katastofë fare, çmimet të papara fare, edhe kjo lekë këtej dhe s’di nga t’ia bësh”, tregon ai.
Në lidhje me qytetarët shqiptarë që prisnin të merrnin shërbimin apo e kishin marrë atë, komentet për situatën ishin pozitive dhe në mungesë së dëshirës për të folur më tej, pohonin se çmimi i vendosur për bërjen e tamponit është në rregull.
“Po presim të marrim përgjigje. Shërbimi ishte i mirë.”
“Çmimi i mirë është për të gjithë.”
Kujtojmë se radha në këtë spital privat vijon si në ditët e para. Edhe pse jemi më shumë se 14 ditë pas vërshimit të qytetarëve për bërjen e tamponit, hap ky që i lejon të lëvizin drejt vendeve ku duan të shkojnë dhe të zhvillojnë aktivitetin e përditshëm, qytetarët akoma vazhdojnë të qëndrojnë në radhë, gjë që tregon se kërkesat nuk janë ulur.



