A kanë të drejtë të marrin pasuri gratë që kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë rritur fëmijët?
Sipas së drejtës zakonore, gratë kanë për detyrë të rrinë në shtëpi, të kujdeset për burrin dhe fëmijët, por nuk ka të drejtë të kërkojë pasuri në rast divorci.
Shprehjet e tilla si “Ti s’ke punuar, vetëm burri ka punuar”, “Të gjitha i ka blerë, i ka sjellë ai” duhet të hiqen sepse shfaqin haptas diskriminimin që ju bëhët grave.
Rritja e fëmijëve, kujdesi për ta dhe për familjen është një punë shumë e dobishme dhe rrit cilësinë e jetës familjare. Duke punuar në këtë mënyrë, keni kontribuar për mbarëvajtjen dhe shtimin e pasurisë në bashkësinë ligjore. Nëse martesa zgjidhet, do të pjesëtoni me bashkëshortin tuaj pasuritë që keni fituar gjatë martesës.
Për këtë, nuk ka rëndësi nëse keni marrë pagë apo jo. Kontributi juaj brenda familjes do të mbahet parasysh nga gjykata gjatë pjesëtimit të pasurisë bashkëshortore.
Por, cilat janë pasuritë që fitohen gjatë martesës, por janë në pronësi të vetëm njërit bashkëshort?
Në regjimin e bashkësisë ligjore, pasuritë që janë në pronësi të vetëm njërit bashkëshort janë:
– pasuritë e fituara më trashëgim
– pasuritë e fituara me dhurim
– pasuritë e përfitimit ngushtësisht vetjak
– pasuritë e përfituara nga tjetërsimi i pasurisë vetjake
– pasuritë e fituara nga shpërblimi i dëmit vetjak
Këto lloje pasurish të listuara më sipër nuk mund të pjestohen në rastin e zgjidhjes së martesës edhe nëse kemi pasur regjimin e bashkësisë ligjore.
Ky material është plotësisht i financuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, nëpërmjet fondeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim – Sida.
AWEN dhe Sida nuk janë domosdoshmërisht dakord me opinionin e shprehur. Vetëm ‘Together for Life’ është përgjegjës për përmbajtjen.

